Shtëpia / Hadithe te Buhariut / 78 – BEJA DHE BETIMET

78 – BEJA DHE BETIMET

›  2142.  Abdurr-Rrahman Ibn Semura r.a. tregon se Pejgamberi a.s. i ka thënë atij: “O Abdurr-Rrahman Ibn Semura! Mos kërko të jesh drejtues, sepse, në qoftë se të jepet në dorë sundimi, duke e kërkuar vetë atë, atëherë do të jesh vetë përgjegjës për të, por, në qoftë se të jepet pa e kërkuar ti atë, atëherë Allahu do të të ndihmojë ty. Dhe sa herë që të betohesh për të bërë diçka, ndërsa më vonë sheh se diçka tjetër është më e mirë se zgjedhja e parë, atëherë jep diçka sadaka për të shlyer betimin dhe vepro atë që është më e mirë!” (6622)
›  2143.  Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ne muslimanët jemi të fundit që vijmë në botë, por do të jemi më të parët dhe më të shquarit Ditën e Ringjalljes. Betohem për Allahun! Në qoftë se ndonjëri prej jush këmbëngul për të përmbushur një betim, por që me të mund t’i sjellë dëm familjes së tij, kjo është më gjynah për të në gjykim të Allahut, sesa prishja e betimit dhe dhënia e sadakasë për shlyerjen e tij ashtu siç ka urdhëruar Allahu.” (6624, 6625)
›  2144.  Abdullah Ibn Hishami r.a. tregon: “Ishim me Pejgamberin a.s. dhe ai kishte kapur Umer Ibn Hattabin për dore. Umeri i tha: “O i Dërguari i Allahut! Je më i dashur për mua se çdo gjë tjetër, përveç vetes sime!” Pejgamberi a.s. tha: “Jo, betohem për Atë në Duart e të Cilit është shpirti im! Nuk do të kesh besim të plotë, derisa të jem për ty më i dashur se vetja jote!” Pastaj Umeri tha: “Tani, betohem për Allah, se ti je më i dashur për mua edhe se vetja ime.” Pejgamberi a.s. tha: “Tani, o Umer (je me të vërtetë besimtar tamam i plotësuar)!” (6632)
›  2145.  Ebu Dherri r.a. tregon: “Një herë shkova te Pejgamberi a.s. kur ai po thoshte nën hijen e Qabesë: “Ata janë të humburit! Betohem për Zotin e Qabesë! Ata janë të humburit! Për Zotin e Qabesë!” Thashë me vete: “Ç’kam unë? A mos më duket ndonjë gjë mua? Ç’është me mua?” Kështu, u ula pranë tij, ndërsa ai vazhdonte ta përsëriste atë fjalë. Unë nuk munda të duroj dhe Allahu e di se në ç’gjendje mërzie isha ndërkohë, kështu që e pyeta: “Kush janë ata, u bëfshin kurban babai dhe nëna i ime për ty, o i Dërguari i Allahut?” Atha: “Ata janë pasanikët, përveç atyre që thonë dhe bëjnë kështu, kështu dhe ashtu (atyre e që shpenzojnë pasurinë sipas Ligjit të Allahut)” (6638)
›  2146.  Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Çdo musliman, të cilit i kanë vdekur tre fëmijë, nuk do ta prekë Zjarri përveç atij që do të përmbushë Betimin e Allahut të Madhëruar (ata për të cilët është betuar Allahu i Madhëruar).” (6656)
›  2147.  Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Allahu nuk do t’i vë re tek pasuesit e mi ato gabime të cilat ua pëshpërit nepsi i tyre, për aq kohë sa nuk i zbatojnë ato gjynahe me vepra ose me fjalë.” (6664)
›  2148.  Aishja r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kushdo që betohet se do të jetë i bindur dhe i nënshtruar ndaj Allahut, le të qëndrojë i bindur dhe i nënshtruar ndaj Tij dhe, kush betohet se nuk do t’i bindet Allahut, nuk duhet ta kundërshtojë Atë, por t’i bindet Atij.” (6696)
›  2149.  Saëb Ibn Ubada r.a. tregon: “E kam pyetur Pejgamberin a.s. për një përbetim që kishte bërë nëna ime, e cila kishte vdekur pa e përmbushur atë. Pejgamberi a.s. gjykoi për këtë çështje se duhet ta përmbushja unë përbetimin e nënës sime”. (6698)
›  2150.  Ibn Abbasi r.a. tregon: “Kur po mbante një ligjëratë fetare, Pejgamberi a.s. pa një burrë në këmbë, kështu që pyeti për të. Njerëzit i thanë: “Është Ebu Israili. Është betuar se do të qëndrojë në këmbë dhe nuk do të ulet kurrë, se nuk do të hyjë kurrë në hije, se nuk do të flasë dhe se do të agjërojë.” Pejgamberi a.s. tha: “Urdhërojeni që të flasë e të hyjë në hije dhe bëjeni të ulet, por le ta plotësojë agjërimin!” (6704)

Postimi i radhës

Milingona dhe Mjalti

Rrugës duke ecur milingona pa një copë mjalti. U ndal, e provoi dhe deshi të …