Ekzistenca e Krijuesit

world-of-wonder-hd-wallpapers

Ekzistenca e Allahut është aq e qartë sa të mos ketë nevojë për argument. Mirëpo Krijuesi i Lartë, ekzistenca e të cilit është më e qartë se çdo gjë, për sa i përket Individualitetit, është një Qenie e lartë dhe e pashoqe, aq sa sytë të mos mund ta shohin vetë Atë, të mos mund ta njohin dot Atë. Nisur nga kjo, Krijuesi i Lartë kërkon të na e bëjë të njohur veten jo me anë të Individualitetit, por me anë të veprave që ka krijuar dhe udhëzuesve që ka dërguar. Argumentet që na flasin për Të ose që na çojnë tek Ai, janë të panumërt. Argumentet më të mëdha janë:

a) Gjithësia                    b) Kurani                    c) Profeti ynë (s.a.s.)

——————————————————

a) Gjithësia

Gjithësia, e cila është një vepër arti e shkëlqyer, zotëron hollësi, bukuri dhe fshehtësi që do t’i ngacmonin me të tepërt të gjitha ndjesitë racionale dhe sentimentale të njeriut. Në këtë gjithësi, për sytë që mund të shohin, çdo gjë e deklaron me të madhe dhe në një mënyrë që nuk do të linte vend për dyshim ekzistencën e Tij:

“Vallë, a mund të dyshohet për ekzistencën e Allahut, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?!” (Ibrahim, 14/10)

Çdo mendje/arsye e pakushtëzuar për të mohuar, duke u nisur nga arkitektura syverbuese e gjithësisë dhe funksionimi harmonik marramendës i saj, mundet të përftojë të dhëna objektive nga gjithësia dhe mundet ta lexojë atë fletë-fletë pothuaj si një libër.

Rregulli dhe harmonia në një vend a nuk tregojnë për dikë që e ka ngritur atë rregull dhe harmoni? Arti në një vepër, a nuk tregon për artistin e tij? Gjithashtu, bujaria dhe mikpritja në një vend, a nuk tregojnë për bujarin dhe mikpritësin e atij vendi? Duke u nisur nga kjo, po qe se njeriu mundet ta vështrojë këtë gjithësi me syrin e mendjes e të zemrës të padëmtuar nga indiferentizmi dhe parakushtëzimi, do të arrijë t’i shohë të vërtetat e saj, si artin, rregullin, harmoninë, planin dhe bujarinë dhe do të besojë se këto janë nga një argument ose provë më vete që tregojnë ekzistencën e një Krijuesi me dituri, fuqi dhe bujari të pafund. Ndërkaq, këtu duhet ta kujtojmë edhe këtë që, edhe nëse kjo harmoni dhe bukuri janë të mjaftueshme për të kuptuar qenien e një krijuesi, janë në vetvete të pamjaftueshme për të kuptuar veçoritë e Krijuesit, mënyrën se si mund t’i afrohemi Atij, se si mund t’ia shprehim Atij ndjenjat tona për gjithë këto të mira që na ka dhuruar. Janë Profetët e dërguar prej Tij dhe revelacioni hyjnor që na japin mësim mbi Krijuesin e Lartë dhe si duhet ta adhurojmë Atë.

b) Kurani

Kurani është nga argumentet dhe provat më të mëdha të ekzistencës së Allahut. Një libër kaq gjithëpërfshirës, që bën fjalë për të kaluarën, për të ardhmen, për ringjalljen dhe jetën e pasme, që jep udhëzime mbi gjithësinë dhe jetën e pasme të pasosur, para së gjithash pohon me të madhe Individualitetin e Lartë që e ka dërguar. Në Kuran janë përgjigjet e pyetjeve që kanë qëndruar para njeriut të çdo periudhe:

“Kush jam unë ?”

“Pse jam ky që jam dhe ku po shkoj ?”

“Ç’punë kam në këtë botë nga e cila jam i detyruar të ndahem me anë të vdekjes ?”

“Kush më dërgoi në këtë botë dhe ç’kuptim kanë këto vende ku kam ardhur jashtë vullnetit tim ?”

“Megjithëse nuk dua të largohem që këtu, pse nuk mbetem dot ?”

“Ç’është vdekja ?”

“A ekziston jeta e përtejme ?  Nëse ekziston, si është ?”

c) Profeti ynë (s.a.s.)

Me Librin që iu shpall dhe me mënyrën e jetesës që e parashtroi dhe e praktikoi vetë personalisht sipas atij Libri si dhe me synimet që tregoi, Profeti Muhamed (s.a.s.) është një shembull i gjallë që e bën të njohur Allahun. Fakti që ai formoi nga fiset nomade të shkretëtirës një shoqëri që ngriti qytetërime që do t’u flisnin shekujve dhe fakti që lëvizjen që i dha ai njerëzimit e bëri dinamike që të ndikonte thellësisht edhe ditët tona, është një argument i fuqishëm që i ndihmon njerëzit për ta njohur Allahun.