Si merret Gusul ?

Gusli është larja e gjithë trupit me ujë.

 

close-up-shower-head-with-water

Fjala gusul në kuptimin gjuhësor do të thotë: “Hudhja e ujit në gjithë trupin. ”

Ndërsa në kuptimin terminologjik fjala gusul do të thotë: “ Përdorimi i ujit për pastrim në tërë trupin në mënyrë të veçantë”. Argumenti i cili shpreh obligueshmërinë e guslit është ajeti kuranor: “Nëse jeni xhunub, atëherë pastrohuni” ( El-Maide; 6).

Farzet e guslit janë tri: Futja e ujit në gojë, futja e ujit në hundë , larja e tërë trupit.

Larja e trupit bëhet e obligueshme në këto raste:
– Dalja e spermës për shkak të stimulimit gjatë gjumit apo duke qenë zgjuar. Ebu Seid ka transmetuar se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Përdorimi i ujit (gusli) është i nevojshëm pas ejakulimit të spermës”. (Transmeton Muslimi).
Umu Seleme ka transmetuar se Umu Suleim i ka thënë Profetit (alejhi selam) “ O i Dërguar i Allahut! Allahu nuk ka turp nga e vërteta. A duhet të marrë gusël gruaja, nëse ajo sheh një ëndërr nga e cila ka sekrecione? Ai iu përgjigj: “Po, nëse ajo sheh lëngun”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Ahmedi)
– Kontakti seksual, edhe pse nuk ka ejakulim.
Nëse ndodh ky kontakt, atëherë gusli është obligim për të dy bashkëshortët , edhe në  rast se nuk ndodh ejakulimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse jeni të papastër, atëherë pastrohuni (lahuni).” ( El- Maide; 6).
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush qëndron ndërmjet katër pjesëve të trupit të gruas së tij dhe kryen marrëdhënie me të, atëherë larja bëhet obligim (për të dy). (Transmeton Ahmedi dhe Muslimi).
Të gjithë dijetarët janë të mendimit se nëse ndodh vetëm prekja e organeve njëri me tjetrin, atëherë gusli nuk është obligim për asnjërin nga bashkëshortët, por gusli bëhet i obligueshëm atëherë kur ndodh kontakti seksual i vërtetë, kur organi i mashkullit depërton në atë të femrës.

Ekzistojnë edhe dy lloj lëngjesh të cilat dalin prej mashkullit dhe femrës të cilat nuk e obligojnë guslin, por e obligojnë vetëm abdesin.
Njëri lëng del kur çifti vetëm përqafohet dhe ledhatohet ndërmjet tyre dhe nuk kanë kontakt.Gjithashtu ky lëng del edhekur njeriu  thjesht  mendon ose imagjinon  marrëdhënie seksuale. Njeriu është zakonisht i pavetëdijshëm për kohën e sekretimit të këtij lëngu. Ky lëng quhet el-medhju.
Ndërsa lëngu tjetër, del pas nevojës fiziologjike, kur njeriu çon peshë të madhe ose kur është i sëmurë. Ky lëng quhet el-vedju.
Këto dy lëngje konsiderohen të papastërta dhe për pasojë duhet të pastrohet njëherë organi dhe më pas të merret abdes.
Lëngu i cili e obligon guslin del me epsh, me vrull, dhe ka thyerje, ndërsa ajo që del në mënyrë të natyrshme dhe më pas e vëren lagështinë, nuk e obligon guslin.
– Ndërprerja e menstruacioneve dhe lehonisë.
Në lidhje me menstruacionet dhe rrjedhjen e gjakut pas procesit të lindjes Allahu i Lartësuar thotë: “Mos iu afroni atyre (grave) derisa ato të pastrohen. Dhe kur të jenë pastruar, shkoni tek ato në atë mënyrë që Allahu i Lartësuar e ka caktuar për ju.” (El- Bekare :222)
Gjithashtu, i Dërguari i Allahut i ka thënë Fatime bint Ebu Hubejsh: ”Mos u fal gjatë kësaj kohe (gjatë periodave). Pasi të kenë mbaruar menstruacionet, merr gusël dhe falu!” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). Lehonia është sikurse menstruacioni, duke u bazuar në ixhmanë e dijetarëve.
– Jomuslimani që pranon Islamin. Gusli pra është obligim edhe për ata të cilët konvertohen në fenë Islame.
Njëherë, kur Profeti (alejhi selam) po kalonte afër Thumame El Hanefi , ai më në fund e përqafoi Islamin. Profeti  (alejhi selam) e liroi atë dhe i tha të shkonte në kopshtin e Ebu Talhës dhe të merrte gusël. Thumamja bëri siç i tha Profeti (alejhi selam) dhe pastaj fali dy rekate namaz. Pas kësaj Profeti (alejhi selam) tha: “Me të vërtetë, vëllai juaj u bë musliman i mirë.” (Transmeton Ahmedi).
– Vdekja
Sipas mendimit të të gjithë dijetarëve, vdekja e një muslimani e bën obligim larjen e trupit të tij apo të saj. Pra, është obligim i të gjallëve që të bëjnë pastrimin e personit të vdekur.

Forma e larjes:
Sipas praktikës së Profetit alejhi selam mënyra e saktë e marrjes së guslit është si më poshtë:
-Larja e secilës dorë tre herë
– Larja e organit gjenital
– Marrja e plotë e abdesit (sikurse për namaz- Profeti alejhi selam e vononte larjen e këmbëve deri në fund të guslit të tij).
– Hedhja ujë mbi kokë tri herë, duke e lënë ujin që të arrijë deri në rrënjët e flokëve.
– Hedhja ujë mbi të gjithë trupin, duke filluar me anën e djathtë, pastaj në të majtën, duke e larë pjesën nën sqetulla, brenda veshëve, brenda kërthizës, mes gishtërinjve të këmbëve si dhe në çdo pjesë tjetër të trupit.

 

Kjo bazohet në hadithin e Aishes (radiallahu anha): ”Kur Profeti (alejhi selam) bënte banjë, pas kryerjes së marrëdhënieve intime, fillonte me larjen e duarve. Pastaj, me dorën e tij të djathtë hidhte ujë mbi të majtën dhe lante organin e tij gjenital, merrte abdes si për namaz, merrte pak ujë dhe i vendoste gishtërinjtë e tij në rrënjët e flokëve, derisa e shihte se lëkura lagej, më pas hidhte ujë mbi kokën e tij tre herë dhe pastaj mbi pjesën tjetër të trupit.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Përsa i përket grave, edhe ato marrin gusël në të njëjtën mënyrë si burrat. Nëse gruaja i ka flokët me gërsheta, nuk është e nevojshme që ti zgjidhë ato, por duhet të kujdeset që uji të depërtojë në rrënjët e flokëve të saj.
Umu Seleme e ka pyetur Profetin alejhi selam: “ O i Dërguar i Allahut! Unë i kam flokët të lidhur gërsheta. A duhet t’i zgjidh ato kur të marr gusël, pas marrëdhënieve intime? Pejgamberi (alejhi selam) i është përgjigjur: “Jo, është e mjaftueshme për ty që të hedhësh tre grushta ujë mbi kokë dhe pastaj të hedhësh ujë mbi të gjithë trupin. Pasi ta kesh bërë këtë, duhet të pastrohesh.” (Transmeton Ahmedi, Muslimi, Tirmidhiu).

Veprimet e ndaluara për atë person i cili është i papastër:
– Namazi. Ndalimi i namazit argumentohet me Kuran dhe me konsensus të dijetarëve. Allahu i Lartësuar thotë: ”Nëse jeni xhunub, atëherë pastrohuni ( lahuni)!” (El Maide : 6)
– Rrotullimi rreth Qabes
– Prekja apo mbajtja e Kuranit.
Shokët e Profetit (alejhi selam) ishin të gjithë të mendimit se është e ndaluar prekja apo mbajtja e Kuranit nga personi i cili është i papastër. Pejgamberi (alejhi selam)  ka thënë: “Nuk guxon ta prekë Kuranin, përveç se i pastërti.“ (Transmeton Maliku)

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Atë nuk e prek kush vetëm të pastrit”. (El Vakia 79)
– Këndimi i Kuranit. Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, personi i cili është fizikisht i papastër (pas marrëdhënieve seksuale apo menstruacioneve), nuk duhet të këndojë ndonjë ajet nga Kurani. Ky mendim bazohet në hadithin e Aliut (radijallahu anhu), ku ka thënë se asgjë nuk e pengonte të dërguarin e Allahut nga këndimi i Kuranit, përveç papastërtisë seksuale.

– Qëndrimi në xhami.
Ume seleme transmeton se njëherë, Profeti (alejhi selam) hyri tek oborri i xhamisë dhe tha me zë të lartë: ”Xhamia nuk është vend për njerëzit e papastër  (xhunubë) dhe për grate me menstruacione.” (Transmeton Ibn Maxhe dhe Tabaraniu) Pra, personi i tillë mundet vetëm të  kalojë në xhami.

Disa nga veprimet për të cilat preferohet marrja e guslit janë:

(Nëse merr gusël gjatë këtyre veprimeve ke shpërblim, në të kundërtën nuk përbën ndonjë mëkat).

-Marrja e guslit para namazit të xhumasë.
Në fakt, ligji Islam shkon deri aty saqë e bën një veprim të tillë të detyrueshëm në këtë ditë. Ebu Seid ka transmetuar se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Gusli në ditën e premte, është i obligueshëm (vaxhib) për çdo të rritur ashtu sikurse është edhe përdorimi i furçës së dhëmbëve dhe parfumosja.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). Në këtë rast, kuptimi i fjalës “i obliguar” është se kryerja e veprimit  në fjalë rekomandohet së tepërmi. Pra, marrja e guslit në këtë ditë është një veprim shumë i pëlqyer. Gjithashtu, transmetohet nga Abdullah bin Omeri (radiallahu anhu) se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kush vjen prej jush në xhuma, le të pastrohet”. (Buhariu).
Por nëse nuk merr gusël nuk përbën mëkat dhe xhumaja pranohet. Pastrimi për ata që nuk shkojnë në namaz, nuk është sunnet.
– Marrja e guslit për namazet e bajrameve.
Dijetarët i nxisin muslimanët për marrjen e guslit për namazet e bajrameve dhe nga Pejgamberi (alejhi selam) transmetohet se ai është pastruar ditën e xhuma, ditën e Arafatit, ditën e Fitër Bajramit.
– Marrja e guslit për larjen e të vdekurit. Sipas shumicës së dijetarëve marrja e guslit është një veprim i pëlqyer për atë person i cili duhet të lajë një njeri të vdekur.
– Marrja e guslit për kryerjen e haxhit. Sipas dijetarëve është e pëlqyeshme që një njeri i cili do të bëjë haxhin apo Umren, të marrë gusël. Një gjë të tillë e veproi Pejgamberi (alejhi selam).
– Marrja e guslit para hyrjes në Mekë.
Transmetohet se kur shkonte në Mekë Ibn Omeri e kalonte natën në Dhi- Taua dhe hynte në Mekë të nesërmen. Ai thoshte se Profeti (alejhi selam) ndiqte të njëjtën praktikë. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
– Marrja e guslit në Malin e Arafatit për haxhiun e jo për të tjerët. Gjithashtu edhe ndalimi në Malin e Arafatit e bën marrjen e guslit një veprim të pëlqyer. Malik bin Nefa’i transmeton se përpara se të nisej për haxh, Ibn Omeri merrte gusël gjatë ndalimit të tij në Arafat.

Andaj, Guslli është në dy mënyra:

1 – Mënyra e parë: Mënyrë që është farz, ajo është që uji ta lagë gjithë trupin së bashku me larjen e gojës dhe hundës. Nëse uji e lagë gjithë trupin e tij, pa marrë parasysh se në çfarë forme, ai njeri është i pastër dhe ka abdes me të cilin mund të falë namaz, ngase Allahu, subhanehu ue teala, ka thënë: “Nëse jeni xhunub, atëherë lahuni!” (el-Maide 6), pra, urdhëroi larjen dhe nuk saktësoi ndonjë formë të caktuar.

2 – Mënyra e dytë: Mënyrë që është e plotë, ajo është që larja të bëhet ashtu siç e ka bërë Resulullahu, sal-lallahu alejhi ue selem. Ai është larë kështu: Kur ka hyrë të lahet, fillimisht i ka larë duart, pastaj organin seksual dhe vendet të cilat mund t’i ketë pasur të ndyra nga xhunubllëku, pastaj merrte abdes të plotë –ashtu siç merret abdesi komplet – pastaj derdhte ujë mbi kokë tri herë dhe e lante kokën e pastaj e lante trupin. Kjo është mënyra e plotë e gusllit.