Shtëpia / Si kryhet Haxhi ?

Si kryhet Haxhi ?

featured-image-live-hajj-broadcast-2

DISPOZITAT DHE RREGULLAT E HAXHIT

Haxhi si dhe detyrat e tjera kryesore islame, ka dispozitat dhe rregullat e veta të bazuara në Kur’an dhe Sunnet.

Farzet e haxhxhit janë:
ihrami, qëndrimi në Arafat – vukufi dhe tavafuz – zijare.

-Ihrami është nijjeti, me të cilin haxhiu fillon t’i kryejë ceremonitë e Haxhit, me çka disa gjëra i ndalohen edhe pse përndryshe i ka të lejuara. Ihrami, gjithashtu, nënkupton veshjen e dy çarçafëve të bardhë të cilët e mbulojnë pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit, ndërkaq veshen menjëherë para shkuarjes për në Meke, në vende të caktuara – mikate.
Ihram do të thotë nënshtrim i vetëdijshëm ca shtrëngimeve dhe kufizimeve gjatë kryerjes së haxhxhit. Kështu, për shembull, për meshkujt është e ndaluar të veshin tesha të qepura, ta mbulojnë kokën, të rruhen, t’i presin thonjët, të gjuajnë, t’i shkatërrojnë bimët etj.

Ceremonitë e haxhxhit, pas veshjes së ihramit, fillojnë me faljen e dy rekateve namaz së bashku me telbijen, që shqiptohet :
Lebbejkall-llahumme, lebbejk. Lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel-hamde venni’mete leke vel-mulk.
La sherike lek!
(Të përgjigjem, o Zot, të përgjigjem. Vetëm Ty të përgjigjem, Ti s’ke shok. Çdo lëvdatë, mirësi dhe fuqi vetëm Ty të takon! Sepse Ti s’ke shok).

Pas ardhjes në Meke, kryhet tavaful-kudumi shtatë rrotullime rreth Qabes, e pastaj sa’ji – ecja më të shpejtë ndërmjet dy kodrinave – Safasë dhe Merves – po ashtu shtatë herë.

Ditën e nëntë të Dhulhixhxhes (në prag të Bajramit të Kurbanit) bëhet vukufi.

Në Arafat, në kohën e drekës, falen bashkë dreka dhe ikindia, e pastaj haxhinjët pas përendimit të diellit shkojnë në Muzdelife, ku gjithashtu, falin akshamin dhe jacinë duke i bashkuar këto në kohën e jacisë.  – qëndrimi në Arafat afër Mekes.

Me ardhjen në Mine, në afërsi të Mekes, haxhinjët e kryejnë njërin nga vaxhibet e haxhxhit – hudhjen, gjuajtjen e guralecave – gurëzim simbolik i shejtanit.

E pastaj sipas këtyre ceremonive haxhinjët kthehen në Meke, ku e kryejnë farzin e fundit të haxhxhit – tavafuz-zijaren – shtatë rrotullime rreth Qabes. Më pas e bëjnë edhe therrjen e kurbanëve.

Pas kryerjes së këtij farzi, haxhinjët lirohen prej të gjitha ndalesave të ihramit, përveç marrëdhënieve intime me gratë e tyre.