Shtëpia / Pse nuk e shohim dot Allahun ?

Pse nuk e shohim dot Allahun ?

sun-rise-on-earth-from-space-wallpaper-hd

Janë shumë shkaqe për të cilat ne nuk mundemi ta shohim Allahun. Këto mund të përmblidhen në katër pika:

– Ne jemi krijuar me një kapacitet që s’na jep mundësi ta shohim Allahun

– Allahu nuk ka të ngjashëm e të kundërt

– Allahu fshihet nga intensiteti i shfaqjes

– Kështu e kërkon bota e provës

 

Le të përpiqemi t’i shtjellojmë shkurt këto katër pika.

Ne jemi krijuar me një kapacitet që s’na jep mundësi ta shohim Allahun

Ne nuk mund ta shohim Allahun sepse krijimi ynë ose, ndryshe, forma në të cilën jemi krijuar, nuk është e përshtatshme për këtë gjë. Edhe një Profet i madh si Musai (a.s.) nuk e pati duruar dot shfaqjen e Allahut në mal dhe qe rrëzuar pa ndjenja.

Me kapacitetin tonë të kufizuar, ne, në këtë botë, jo vetëm Allahun, por edhe shumë qenie të krijuara prej Tij nuk mundemi t’i shohim. Numri i qenieve apo gjërave që mundemi t’i shohim në këtë botë fizike, mbetet shumë i vogël ndaj numrit të qenieve apo gjërave që nuk mundemi t’i shohim. Kur me këto shqisa të kufizuara nuk mundemi ta përfshijmë as gjithësinë e krijuar nga Allahu, si mund ta përfshijmë Krijuesin e saj? Megjithëkëtë, në jetën e pasme, besimtarët do ta meritojnë ta shohin Allahun me përjashtim të përmasave cilësore dhe sasiore të Tij.

Allahu nuk ka të ngjashëm e të kundërt

Një shkak tjetër i rëndësishëm që nuk e shohim dhe nuk e njohim dot Allahun, është se Allahu nuk ka të ngjashëm e të kundërt me vetveten. Çfarëdo që të shohim e çfarëdo që të njohim te një qenie, e shohim dhe e njohim sepse ekzistojnë të ngjashmet apo të kundërtat e saj. Për shembull, po të mos ekzistonte të ftohtit, kurrë nuk do ta dinim dhe kuptonim ç’është të nxehtit, po të mos ekzistonte hidhësira, kurrë nuk do ta dinim dhe kuptonim ç’është ëmbëlsira, po të mos ekzistonte drita, kurrë nuk do ta dinim dhe kuptonim ç’është errësira. Kështu, ne njerëzit, kur dikush na tregon për diçka që s’e kemi parë dhe njohur kurrë më parë, atij që na tregon i bëjmë pyetje të tilla, si “si është?”, “ç’gjëje i përngjet?”, duke u përpjekur të kapim shenja mbi përbërjen e gjësë për të cilën po na flitet.

Të gjitha këto tregojnë se njeriu ka dy rrugë për ta njohur materien. E para, përpjekja për ta njohur një gjë që s’e kemi parë e s’e kemi njohur duke u nisur nga gjërat e tjera të ngjashme me të, të cilat i kemi parë dhe njohur; e dyta, përpjekja për ta njohur një gjë që s’e kemi parë e s’e kemi njohur, duke u nisur nga gjërat e tjera të kundërta me të, të cilat i kemi parë dhe njohur.

Ja, prandaj ne njerëzit e kemi të pamundur ta konceptojmë Allahun, sepse në ekzistencë Ai nuk ka as të ngjashmin, as të kundërtin e vet. Kështu na e njeh veten Allahu në suren Ihlas të Kuranit. Kurse në një ajet tjetër thuhet kështu: “Lejse ke mithlihi shej’un”, “Asgjë s’i përngjet Atij!” (Shura, 42/11)

Allahu fshihet nga intensiteti i shfaqjes

Allahun nuk e shohim dot sepse Ai fshihet ose bëhet i padukshëm për shkak të intensitetit të shfaqjes. Le të përpiqemi ta tregojmë se ç’do të thotë kjo duke marrë si shembull diellin. Le ta supozojmë se dielli do ta mbulonte tërë horizontin, veç tij s’do të shihnim dot mbi krye asgjë tjetër dhe, pra, s’do të kishte as natë, nuk do të dinim ç’është drita dhe nuk do të flisnim dot për dritën. Kështu, edhe dielli, edhe drita e tij, për shkak të pranisë së tyre të vazhdueshme dhe intensive, do të bëheshin të padallueshëm, të shmangshëm nga vëmendja, për pasojë, të fshehur e të padukshëm.

Edhe Allahu, jashtë administrimit të të cilit nuk mund të mendohet as dhe një çast i vetëm, e bën ekzistencën e vet të ndjehet me anë të atributeve si jeta, dituria, mëshira, vullneti dhe fuqia, çdo çast dhe pandërprerë aq intensivisht në gjithësi, saqë për indiferentët bëhet që të mos u shkojë nëpërmend e të mos ta kujtojnë.

Kështu e kërkon bota e provës

Një shkak tjetër i rëndësishëm që nuk e shohim dot Allahun, është se kjo botë është botë prove. Po qe se Allahu do të na kishte krijuar ndryshe nga struktura jonë ekzistente, me një konsistencë që të mund ta shihnim dhe vëzhgonim Atë, atëherë, e fshehta e provës do të prishej. Meqë çdo njeri do ta shihte Allahun me sytë e ballit, çdo njeri pa përjashtim do ta besonte dhe, atëherë, s’do të lindte as qëllimi për provë. Kjo do t’i ngjiste rastit të atij mësuesit që pasi të jepte pyetjet e provimit, të shkruante në dërrasë të zezë përgjigjet e pyetjeve. A nuk ishte qëllimi i kësaj bote që të dilnin në shesh besimtari me mosbesimtarin, e mira me të keqen? Prandaj, ndërsa na e ka fshehur veten nga sytë e ballit sepse kështu e kërkon prova e kësaj bote, Allahu, me veprat që ka krijuar, pra, me veprat e artit që i ka ekspozuar në panairin e gjithësisë dhe me librat dhe Profetët që ka dërguar, na e ka treguar ekzistencën për sytë e zemrës. Në këto kushte, ata që, duke parë veprat e ekspozuara para tyre me qëllim për t’i shqyrtuar dhe kuptuar, munden ta shohin krijuesin e tyre artist dhe që u vënë veshin Profetëve prijës e udhëzues që shpjegojnë qëllimin e krijimit dhe ekzistencës së këtyre veprave, do ta fitojnë provën, kurse ata që nuk shohin apo nuk duan të shohin gjë, do ta humbin provën!