Shtëpia / Si merret Tejemumi ?

Si merret Tejemumi ?

b2404_tayammum11

 

Fjala “tejemmum” në kuptimin terminologjik të Sheriatit islam do të thotë: ”Prekja e duarve dhe fytyrës tri herë me dhe (pluhur) të pastër dhe me ato duar t’i bihet fytyrës dhe krahëve deri mbi bërryla. Tejemmumi zëvendëson abdesin në momentin kur nuk ekziston ujë, apo kur ekziston uji por nuk ka mundësi përdorimi. Tejemmumi, përveç se vlen për zëvendësimin e abdesit, ai mund të zëvendësojë edhe pastrimin nga papastërtia. Pra, tejemmumi është lehtësim për ummetin e Muhammedit Alejhis-selam. Ky lehtësim është argumentuar në Kur’an, sunet, ixhma (konsensus). Argument nga Kurani Famëlartë, që vërteton se tejemmumi është lehtësim, është ky ajet ku All-llahu xh.sh. thotë:

“E nëse nuk gjeni ujë, atëherë mësyni (merrni tejemmum), dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja. (El Maide: 06) [1]

 

Kushtet e tejemmumit شروط التيمم

Sipas medhhebit hanefij që të jetë tejemmumi në rregull duhet patjetër të plotësohen tetë kushte, që janë:

1. Nijeti – Qëllimi.

Koha e nijetit është në momentin kur i lëshojmë duart në tokë për të marrë tejemmum. Që nijeti të jetë i vlefshëm duhet t’i plotësojë tre kushte, që janë:

a) Të jetë musliman,

b) Pubertiteti Të jetë i pjekur (moshërritur)

c) Të jetë i vetëdijshëm se për çka ka bërë nijetin.

Sa i përket vlefshmërisë së tejemumit për namaz duhet të vendosë për njërën nga këto tri çështje :

Të merr tejemmum për t’u pastruar nga hadethi i madh,

Të merr tejemmum për të falë namaz,

Të merr tejemmum për të bërë ibadet

Prandaj me tejemmum nuk mund të falemi nëse kemi marrë tejemmum për t’u pastruar nga papastërtia, apo nuk mund të falim namaz nëse kemi marrë tejemmum për të hyrë në xhami, apo për të lexuar Kur’an. Me një tejemmum mund të falim shumë namaze.

2. Arsyeja, e cila lejon tejemmumin, është edhe largësia e ujit një mile edhe nëse është vendbanim (qytet). Një mile konsiderohet 400 hapa. Kurse sipas mendimit të disa dijetarëve, arsyetohet tejemmumi, nëse uji është larg afër gjysmë ore udhëtim.

Gjithashtu arsyetim për përdorimin e tejemmumit, konsiderohet edhe sëmundja e cila shtohet ose prolongohet shërimi i saj nëse përdoret uji. Kjo vërtetohet ose përmes bindjes së tij nga praktika ose përmes thënies së mjekut të asaj lëmie që i takon sëmundja e që është mysliman dhe nuk njihet për vepra të liga, pra që është zbatues i islamit. Po ashtu arsyetim konsiderohet edhe frika prej ndonjë sëmundjeje, apo vdekjes, nëse e përdor ujin, frika nga armiku, pastaj në rastin kur ka ujë, por nëse përdoret për abdes, ka frikë se nuk do të ketë ujë për pije. Gjithashtu justifikohet tejemmumi, nëse ka frikë se nëse merr abdes, do t’i kalojë namazi i xhenazes apo i bajramit.

3. Tejemumi të merret në vend të pastër që është nga esenca e tokës si: dheu, guri i rrafsh dhe pluhuri të cilat nuk digjen me zjarr e të bëhen hi si druri apo barërat

4. Tejemumi duhet përfshirë fytyrën e edhe bërrylat që nënkuptonë përfshirjen e tërë fytyrës dhe krahëve deri mbi bërryla. Duhet hjekur unazën dhe bylyzykun nëse janë të shtrënguar për gishti apo dore ose ti lëvizë nga vendi, por nëse ato janë të gjëra dhe ka mundësi që pluhuri të depërtojë nën to atëherë nuk obligohen me hjekje e as lëvizje.

5. Mes’hi të bëhet me tërë shuplakën e dorës, apo me shumicën e saj sepse nëse jep mes’h vetëm me gishta, nuk lejohet me përjashtim të dhënies mes’h kokës.

6. Duhet të bëhen dy të rëna në tokë edhe atë me shuplaka të hapura, edhe nëse bëhet rënia në një vend.

7. Gjatë marrjes së tejemmumit të mos ketë diç që e prish tejemmumin si p.sh. hajzi, nifasi etj.

8. Mënjanimin e sendeve që pengojnë prekjen depërtimin e dheut në vendet ku shtrohet mes’hi, siç është qiriri, dhjami etj.

Sunnetet e tejemmumit سنن التيمم

Sunnetet e tejemmumit sipas medhhebit hanefij janë:

1. Në fillim të thuhet “Bismil-lahi”. Thuhet se më mirë është të thuhet i tërë“ Bismil-lahirr-Rramanirr-Rrahim”.

2. T’i jepet mes’h së pari duarve e pastaj fytyrës.

3. Pandërprershmëria në marrjen e tejemmumit, që praktikon veprimin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme

4. Hapja e gishtave në atë mënyrë që pluhuri të arrijë edhe mes tyre.

6. Shkundja e duarve pas ngritjes, bëhet në atë mënyrë që duke i rrahur gishtat e mëdhenj mes veti, në mënyrë që të mbrohet nga ndyrësira.

Gjërat që e prishin tejemmumin – نواقض التيمم

Gjërat që e prishin tejemmumin janë:

1. Çdo gjë që e prish abdesin dhe guslin, e prish edhe tejemmumin, ngase tejemmumi i zëvendëson këto të dyja.

2. Tejemmumin e prish edhe evitimi i arsyes, e cila ka lejuar tejemmumin, siç është rasti i mundësisë së përdorimit të ujit, pasi që nuk kishte mundësi.

3. Të parit e ujit apo mundësia e përdorimit të tij.

Mënyra e marrjes së tejemumit

Tejemumi merret duke i dhënë mes’h krahut të djathtë me shuplakën e dorës së majtë me katër gishtërinj, anës së sipërme duke filluar nga maja e gishtërinjve e deri te bërryli, pastaj kthehet prej bërrylave por jo me gishtërinj dhe i jep mes’h anës së poshtme të dorës së djathtë deri te kyçi i dorës, pastaj brendësin e gishtit të madh e kalon mbi gishtin e madh të dorës së djathtë, e pastaj të njëjtën e bënë me dorën tjetër mbi dorën e majtë.

Nëse të premtohet ujë, atëherë detyrimisht duhet prolonguar tejemumin deri në momentin e fundit edhe nëse friket se do ti ngelë kaza nëse uji ekziston ose është më afër se një mile. Mirëpo nëse uji është më larg se një mile atëherë nuk lejohet prolongimi. Po ashtu nuk detyrohet prolongimi nëse është premtuar për ndonjë bidon uji apo rrobe edhe nëse është i zhveshur – pa e mbuluar avretin, porse në këtë rast është i preferuar prolongimi deri në fund të kohës, e nëse frikohet se do ti kalojë koha, merr tejemum dhe falet.

Misafiri- udhëtari është i detyruar të kërkoj ujë aq sa ka mundësi, katër qind hapa nëse përmes syrit sheh ndonjë anë dhe mendon bindshëm[2] se atje gjendet uji dhe që është më pak se një mile nëse ka shenja apo dikush e ka informuar dhe ka siguri për te.  Në të kundërtën, nuk obligohet të kërkojë ujë, por është mirë (mendub) nëse shpreson se do të gjejë. Nëse gjendet në vendbanime apo afër tyre kërkimi i ujit është obligim.

Gjithashtu obligohet të kërkojë ujë edhe prej personit i cili gjendet me te, porse nëse ai takon kategorisë së koprracëve dhe nuk jep ujë vetëm se me para, ose e dyfishon çmimin e ujit dhe ai posedon[3], nuk lejohet tejemumi edhe nëse e paguan me çmim të dyfishtë, e sikur të mos posedon këto para atëherë lejohet tejemumi.[4]

Në qoftë se shumica e gjymtyrëve që pastrohen gjatë abdesit ose gjysma e tyre janë të lënduara dhe kanë plagë që nuk mund të pastrohen, atëherë merr tejemum. Nëse shumica e gjymtyrës është e shëndoshë, pjesa e shëndoshë pastrohet, dhe asaj pjese që ka plagë i jepet mes’h, nëse ka mundësi të pastrojë pjesën e shëndoshë pa i dëmtuar plagët në pjesën tjetër, e në të kundërtën merr tejemum.


[1] El Maide: 06.

[2].Mendimi sipas normave të sheriatit obligon veprim sipas saj për dallim nga dyshimi sepse  mbi dyshimin nuk ndërtohet dispozita fetare. Merakijel Felah, Tahtavi.

[3] Posedon para për të paguar, Merakijel felah, Shirinbilali.

[4].Nuk i lejohet të marrë para borxh për të paguar ujin për abdes, Merakijel Felah, Shirinbilali.