Shtëpia / Si jepet Zekati ?

Si jepet Zekati ?

norma-e-zekatit

Kujt i jepet zekati

Sipas Kur’anit (suretu Tevbe, ajeti 60) të dhënat e obligueshme fetare, zekati dhe sadakatul-fitri, mund të shpenzohen dhe të shpërndahen në njërën nga këto tetë kategori:

  1. për të varfërit,
  2. për të ngratët,
  3. për punonjësit (që e tubojnë),
  4. për ata që duhet përfituar zemrat e tyre,
  5. për lirirmin nga robëria,
  6. për të mbyturit në borxhe,
  7. për në rrugën e All-llahut dhe
  8. për atë që ka mbetur në rrugë

Këto kategori nuk mund të shfuqizohen – abrogohen, po as të shuhen. Për prioritetin e njërës kategori mbi tjetrën në rastin e dhënë, është i obliguar të kujdeset pushteti kompetent islam.

Në rastet tona, sipas mendimit të shumicës së ulemave, më e rëndësishmja është kategoria e shtatë “për të mirën e përgjithshme – për në rrugën e All-llahut – “fi sebilil-lahi”, që përfshin të gjitha llojet e arsimit dhe edukimit islam, gjegjësisht ngritjen dhe zhvillimin e instituteve dhe enteve fetare, qëllimi i të cilave është ruajtja dhe avancimi i parimeve islame.

Sipas dispozitave të fikhut, zekati, parimisht, mund t’u jepet: vëllezërve, motrave, fëmijëve të tyre, mixhallarëve, motrave të babait dhe fëmijëve të tyre, tezeve dhe dajëve dhe fëmijëve të tyre. Zekati gjithashtu, mund t’u jepet edhe fqinjve.

Prioritet te dhënia e zekatit kanë të afërmit, pastaj të familjes së largët, fqinjët, përderisa i mbushin kushtet për pranimin e zekatit.

Kujt nuk i jepet zekati

Zekati, sipas dispozitave të Sheriatit, nuk mund t’i jepet:

  1. jomyslimanit,
  2. personit që ka pasuri të mjaftueshme për mirëmbajtje,
  3. burri gruas po as gruaja burrit,
  4. brezit ngjitës: babait, nënës, gjyshes, gjyshit po as edhe brezit zbritës: fëmijëve, nipave…
  5. personit të sëmurë mentalisht dhe të miturit, të cilët nuk e kuptojnë rëndësinë e zekatit. Ndërkaq, mbikëqyrësit – tutorët e tyre mund ta marrin zekatin në emër të tyre,
  6. borxhliut tënd, për shkak të pagimit të borxhit me zekat.