Shtëpia / Ngjarje Islame / Dy Vëllezër.

Dy Vëllezër.

brothers

Dikur në kohët e hershme, jetonin dy vëllezër, njëri jetonte në qytet, kurse tjetri jetonte në një majë mali.

I dyti besonte se jeta mes njerëzve ishte e vështirë, për shkak të degjenerimit moral dhe veseve të këqija. Për këtë, ai ishte vendosur në një mal, ku kishte ndërtuar një shtëpi dhe merrej me bagëti. Atje ndjehej i qetë, larg të keqes së njerëzve. Të paktën nuk e shihte të ligën me sy, as nuk dëgjonte për të. Aq shumë kishte fituar devotshmëri dhe dëlirësi shpirtërore në mal dhe larg njerëzve, saqë edhe ujin e mbarte me një çantë pëlhure. Po, nuk e mbarte me bucelë, qyp apo gjëra të ngjashme, por me çantën e tij të pëlhurës, të cilës i kishte vënë dy rripa dhe e mbante mbi shpinë ngado që shkonte.

Një ditë, i del një punë e detyruar dhe merr rrugën për në qytet. Menjëherë shkon në shtëpinë e të vëllait, përshëndetet me të, qëndron pak dhe i kërkon leje për të dalë në Pazar.
“Çantën e ujit po e lë këtu!” i tha të vëllait dhe e vari çantën me ujë në një gozhdë.
Pasi kishte kaluar pak kohë nga largimi i tij për në Pazar, vëllai që jetonte në qytet vëren diçka të pazakontë, diçka që nuk kishte ndodhur më parë. Ai vëren që nga çanta ku i vëllai mbante ujin, kishin rrjedh disa pika ujë. Ai u çudit nga kjo dhe me vete mendoi:”Diçka duhet të ketë ndodhur me tim vëlla sot!”
Kur i vëllai erdhi, ai e pyeti: ”Hë more vëlla, si shkoi pazari? Si ia kalove dhe çfarë ka bërë vaki?”
I vëllai që jetonte në mal iu përgjigj tërë mllef: ”Lëre mos e pyet! Qenka prishur dynjaja, qenka degjeneruar fare!” dhe lëshoi një lum mallkimesh.
I vëllai i qytetit buzëqeshi pak dhe i tha: ”O vëllai im i dashur! Kush bëhet i devotshëm këtu në qytet, mes njerëzve me vese e me probleme, pa atje në majë të malit ku jeton ti, të gjithë bëhen të devotshëm e zemërdëlirë!”

Profeti Muhamed a.s., thoshte: ”Besimtari që përzihet me njerëzit dhe i duron të këqijat që mund t’i vijnë prej tyre, është më i mirë se besimtari që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk i duron të këqijat që mund ti vijnë prej tyre.”

Postimi i radhës

Djaloshi që shkonte në xhami

Ishte një djalosh që nuk i kalonte asnjë xhuma pa e falur, çdo ditë xhumaje …