Viti i hidhërimeve

Sad-Nature-hd-Wallpapers7

I Dërguari dhe ithtarët e tij përsëri iu kthyen mënyrës normale të jetësës, mirëpo vitet e vuajtjes e dobësuan Hatixhen për së tepërmi. Ajo u sëmur dhe së shpejti vdiq. Kështu, i Dërguari (s.a.v.) e humbi gruan dhe shoqen e tij të dashur, personin e parë që pranoi Islamin dhe e përkrahu atë. Ajo ishte strehim nga të gjitha shqetësimet e tij, ndërsa për shkak të zemrës së mirë që kishte, edhe shoqja më e mirë e tij nëpër mjerimet që përjetuan. Menjëherë pas kësaj vdiq edhe Ebu Talibi, xhaxhai dhe mbrojtësi i të Dërguarit Muhamed (s.a.v.). Ebu Talibi ishte ndër njerëzit më të çmuar të Mekës dhe njëri nga kurejshët më të vjetër. Edhe pse kurrë nuk u bë ithtar i Islamit, ai gjithmonë e mbrojti të Dërguarin (s.a.v.) nga armiqtë e tij. Ky nuk ishte vetëm një pikëllim për të Dërguarin (s.a.v.), por njëkohësisht edhe rrezik për të. Sipas zakoneve arabe, çdokush që ishte nën mbrojtjen e dikujt, ishte i sigurt përderisa mbrojtësi i tij ishte gjallë.

Tani, me vdekjen e xhaxhait të tij, i Dërguari (s.a.v.) nuk kishte më mbrojtje. Armiqtë e të Dërguarit gëzoheshin pa masë kur e shihnin të pikëlluar, pa gruan, në të cilën mbështetej dhe pa xhaxhanë që e mbronte. Ata filluan të sillen me të më keq se kurdoherë. Madje edhe fëmijët e vegjël filluan ta fyejnë. Me një rast, një i ri hodhi disa fëlliqësira mbi kokën e të Dërguarit (s.a.v.), mirëpo i Dërguari shkoi në shtëpi pa e bërë të madhe. Kur njëra nga bijat e tij, duke e parë, deshi ta fshijë dhe ta lajë, ai me qetësi i tha: “Mos qaj bija ime e vogël, sepse babain tënd do ta mbrojë Allahu.”

Ebu Talibi ishte lidhja e fundit e të Dërguarit me kurejshët, prandaj tani i Dërguari (s.a.v.) pandehu se për shkak të zemrave që kurejshët kishin mbyllur ndaj tij, Islami nuk ishte më në gjendje që të përparonte në Mekë. Prandaj vendosi që të udhëtojë në Taif ku shpresoi se do të gjejë përkrahje. Tërë rrugën deri në qytet, e cila ishte e gjatë afro shtatëdhjetë kilometra, ai e kaloi në këmbë. Atje foli kudo ku tuboheshin njerëzit, mirëpo askush nuk e dëgjoi. Ai u takua me udhëheqësit e tri fiseve më të rëndësishme, mirëpo as ata nuk deshën ta dëgjojnë. Jo vetëm që nuk ia vinin veshin asaj që ai thoshte, por filluan edhe të tallen, dhe i urdhëruan robërit e tyre që ta fyejnë e gjuajnë me gurë.

I pikëlluar, i Dërguari (s.a.v.) e lëshoi qytetin dhe gjeti një vend të qetë pranë një muri në skaj të qytetit, ku mund të ishte i vetmuar. Atje iu lut Allahut me këto fjalë:

” Allah, Ty të qahem për dobësinë, për paaftësinë dhe përulësinë që e kam para njerëzve. i Mëshirueshmi, Ti je Zot i të dobtëve dhe Ti je Zoti im. Ti, kujt do t’ia falësh fatin tim? Të huajit që më fyen apo armikut, të cilit Ti i ke dhënë pushtet mbi mua? Nëse Ti nuk je zemëruar në mua, unë atëherë nuk do të brengosem se ç’do të ndodhë me mua. Qëllimi im është ndihma Jote. Unë strehohem në dritën e përkrahjes Tënde, nga e cila ndriçohet errësira dhe varet kjo botë dhe e ardhmja; le të mos zbresë zemërimi Yt apo i drites Tënde. Sepse, Ti duhet të jesh i kënaqur. Nuk ka fuqi dhe madhështi, përveç prej Teje.”

Muri pranë të cilit ishte mbështetur i Dërguari (s.a.v.) ishte pjesë e një kopshti që u takonte dy vëllezërve. Kur ata e dëgjuan kete lutje, u erdhi shumë keq për të dhe pas një robi të tyre i dërguan një pjatë plot me rrush. Para se të fillojë të hajë, i Dërguari (s.a.v.) tha: “Bismil-lah” – “Me emrin e Allahut”. Shërbëtori, emri i të cilit ishte Addas, u befasua shumë nga këto fjalë, sepse nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë. “Për Allahun”, tha Addasi, “kjo nuk është mënyra me të cilën flasin njerëzit e këtushëm”. Atëherë o Addas, nga cili vend je dhe cila është feja jote?” e pyeti i Dërguari (s.a.v.) “Unë jam i krishterë nga qyteti Asirian Ninive”, u përgjigj ai. “Nga qyteti i njeriut të mirë Jahjasë, birit të Matta-së”, vazhdoi i dërguari (s.a.v.) “Ku di ti për atë?”, pyeti Addasi. “Ai është vëllai im – ai ka qenë i Dërguar dhe unë jam i Dërguar”, u përgjigj i Dërguari i Allahut (s.a.v.).

Addasi u përkul dhe e puthi kokën e të Dërguarit, duart dhe këmbët e tij, sepse tani e pa se ai me të vërtetë është i Dërguar. Pastaj i Dërguari (s.a.v.) u kthye në Mekë. Tani ishte në gjendje që për çdo gjë të ishte më i durueshëm, sepse e dinte se Allahu kurrë nuk do ta linte më vetëm. Rruga e tij për në Taif nuk qe e kotë, sepse Addasi i krishterë, tani u bë musliman dhe ky ishte vetëm fillimi i ndryshimeve të mëdha.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *