Udhëheqësit kurejshë u brengosën së tepërmi për atë se populli i Mekës filloi të ndahet nën ndikimin e mësimeve të të Dërguarit. Më në fund, Umer ibnul Hattabi, njëri nga bujarët e Mekës, vendosi se mënyra e vetme për ta heshtur të Dërguarin (s.a.v.), është vrasja e tij. Pasi e vendosi këtë doli jashtë dhe filloi ta kërkojë.Rrugës takoi një njeri, i cili e kuptoi menjëherë qëllimin e Umerit dhe i tha:”Përse një herë, para se të vrasësh Muhamedin, nuk hedh një shikim rreth shtëpisë tënde? A nuk e di se motra jote Fatimeja është muslimane?”Umeri u befasua shumë. Nuk mund të besonte se kjo ishte e vërtetë, menjëherë vajti te shtëpia e së motrës. Kur arriti para shtëpisë, ai dëgjoi Fatimenë dhe të shoqin, Saidin, se si me zë të lartë lexonin suren “Ta Ha” nga Kurani. Posa dëgjoi zërin e të vëllait, Fatimeja menjëherë fshehu pergamenin në të cilin ishte shkruar sureja.Umeri me shpejtësi hyri në dhomë dhe bërtiti: “Ç’është kjo marrëzi që dëgjova?” Fatimeja i mohoi të gjitha. Pastaj Umeri e humbi durimin dhe sulmoi burrin e Fatimesë duke ulëritur: “Mua më thane se ju i jeni bashkangjitur Muhamedit në fenë e tij!” Fatimeja u përpoq ta mbrojë të shoqin, mirëpo Umeri i ra edhe asaj.Pastaj ajo pranoi: ” Po, ne jemi muslimanë dhe besojmë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, kurse ti mund të bësh ç’ka të duash.”Duke e parë besimin dhe guximin e saj, Umerit i erdhi keq për atë që i bëri të motrës dhe i tha: “A mund ta shoh atë që dëgjova se jeni duke lexuar, me qëllim që të mund ta kuptoj atë që i Dërguari juaj ua ka sjellur?” Fatimeja ia dha pergamenin dhe, pasi u la e u pastrua, me qëllim që para se ta prekë atë të jetë i pastër, ai i premtoi asaj se pas një kohe do t’ia kthejë.
Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
“Ta Ha.Ne nuk ta shpallëm Kuranin për të munduar ty. Ta shpallëm vetëm këshillë (përkujtim) për atë që frikësohet (Kjo është) Shpallje nga Ai qe’ krijoi tokën dhe qiejt e lartë. (E Ai është) Mëshiruesi që qëndron mbi arshin (e mban sundimin mbi gjithçka që ekziston). E Tij është çdo gjë që ekziston në qiej e në tokë dhe çdo gjë që gjendet në mes tyre, edhe ç’ka nën dhe. Andaj, nëse bën shprehjen (lutjen) haptazi, Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo. Ai është Allahu, nuk ka zot përveç Tij. Atij i takojnë emrat më të bukur.”
(Ta-Ha: 1-8)
Posa e lexoi, Umeri e diti se këto fjalë janë nga më të bukurat që kishte dëgjuar ndonjëherë dhe se kjo fe duhet të jetë ajo e vërteta.Pa e hequr shpatën nga dora, ai shkoi drejt e në shtëpinë e të Dërguarit dhe trokiti fort në derë. Njëri nga ithtarët e të Dërguarit doli jashtë. Aty qëndronte Umeri, i cili njihej për nga guximi e trimëria. Kur e pa Umerin të shqetësuar e me shpatë në dorë, ai u friksua për jetën e të Dërguarit. Mirëpo i Dërguari (s.a.v.) i tha që ta lejojë Umerin të hyjë dhe e luti që t’i lerë vetëm.I Dërguari (s.a.v.) e pyeti se përse kishte ardhur dhe Umeri iu përgjigj:”Unë kam ardhur të betohem se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti Muhamed je i Dërguari i Allahut.” Duke thënë këto fjalë, ai ende e mbante në dorë shpatën, me të cilën dikur dëshironte të vriste të Dërguarin (s.a.v.). E njëjta shpatë tani do të përdoret për mbrojtjen e të Dërguarit (s.a.v.) dhe të besimit Islam.
Në atë kohe, sa herë që muslimanët dëshironin të bënin adetin e rrotullimit rreth Qabes, të njohur si tavaf, ishin të detyruar që këtë ta bënin fshehurazi dhe me frikë. Sidoqoftë, Umeri ishte shumë guximtar. Posa e shpalli besimin e tij, ai shkoi drejt e në Qabe dhe në mes të ditës e bëri një rrotullim përskaj Shtëpisë së Shenjtë dhe atë në praninë e qytetarëve të habitur të Mekës. Askush nuk mori guxim që t’i thotë asgjë.Mirëpo tani udhëheqësit e kurejshëve u friksuan më tepër, sepse Islamin filluan ta shohin si kërcënim për jetën e tërësishme të Mekës. Ata vazhdimisht bëheshin gjithnjë e më të vrazhdë, përderisa nga ana tjetër
numri i muslimanëve vetëm rritej, prandaj vendosën ashtu siç kishte vendosur Umeri kohë më parë, ta vrasin të Dërguarin (s.a.v.).Me të dëgjuar për këto plane, Ebu Talibi, xhaxhai i të Dërguarit (s.a.v.), menjëherë i porositi të gjithë bijtë e Abdulmuttalibit që ta mbrojnë nipin e tyre, më të cilën ata ranë dakord. Kur e pane kurejshët, se për shkak të kësaj mbrojtjeje, nuk do të mund ta vrisnintë Dërguarin (s.a.v.), vendosën që t’i shmangen tërësisht atij dhe ithtarëve të tij. Ata varën në Qabe një deklaratë. Sipas kësaj, askujt në qytet nuk i lejohej të bëjë asgjë që është në lidhje me të Dërguarin (s.a.v.) apo njerëzit e tij, madje edhe të mos u shisnin as ujë e ushqim.Në fillim, muslimanët gjetën përkrahje te njerëzit e Beni Hashimit, që ishte një degë e kurejshëve, së cilës i takonte edhe vetë i Dërguari (s.a.v.). Disa nga këta njerëz nuk ishin muslimanë, por treguan besnikëri ndaj farefisit të tyre duke vuajtur së bashku me ta.
Por, jeta bëhej gjithnjë e më e vështirë dhe ushqimi sa vinte e pakësohej.Urrejtja e kurejshëve ndaj ithtarëve të të Dërguarit (s.a.v.) u rrit aq shumë, saqë kur shokët e tij mundoheshin të blinin ushqime nga karvanët që kalonin pranë Mekës, atëherë Ebu Lehebi, njëri nga armiqtë e përbetuar të muslimanëve, u ofronte tregtarëve çmime të mallrave dhjetë herë më të larta. Me këtë, ai ia dilte që t’ua ndalojë muslimanëve blerjen e gjërave të domosdoshme.
Gjatë viteve të këtij trajtimi të tmerrshëm, ndodhi diçka e mrekullueshme.Në vend që Islami të dobësohej, ai u bë edhe më i fortë. Allahu dërgoi gjithnjë e më tepër Shpallje. Megjithatë, muslimanët bëheshin gjithnjë e më të fuqishëm dhe të dlirë, sepse mundimet që përjetonin ishin sprovë e besimit të tyre.
Çdo vit, në kohën e haxhit në Mekë, vinin njerëz nga e tërë Arabia. Këta haxhilerë e panë vrazhdësinë dhe padrejtësinë e kurejshëve që tregonin karshi muslimanëve dhe shumicës prej tyre u vinte keq për ithtarët e të Dërguarit. Kurejshët filluan ta ndiejnë veten të turpëruar për sjelljen e tyre të egër, sepse pjesa dërmuese e muslimanëve ishin farefis dhe kushërinj të tyre.Pas tre vjetëve, ata më në fund u bindën se erdhi koha që të përfundojnë vuajtjet e muslimanëve dhe vendosën ta heqin shpalljen që kishin vendosur në Qabe. Për habi të tyre, shpalljen e kishin ngrënë krimbat, përveç fjalëve “Me emrin Tënd, o Allah” e cila kishte qenë e shkruar në krye të shpalljes së tyre.