Premtimi në Zemzem

Keajaiban-air-zam-zam

Kur Arabët i vendosën idhujt e tyre në Qabe, burimi i Zemzemit u zhduk dhe u tret nën rërë. Kështu, vite me rradhë, njerëzit e kurejshëve ishin të detyruar që të bartnin ujë prej së largu. Një ditë,duke bërë kështu, Abdulmutalibi u lodh shumë dhe e zuri gjumi pranë Qabes. Ai pa një ëndërr ku iu tha që përsëri ta rrëmihë Zemzemin. Kur u zgjua, ishte i hutuar, sepse nuk e dinte se ç’është Zemzemi,sepse ky burim ishte zhdukur shumë vjet para lindjes së tij. Ditën tjetër pa të njëjtën ëndërr, por këtë herë atij iu tregua vendi se ku gjendej Zemzemi.

Në atë kohë Abdulmuttalibi kishte një djalë dhe së bashku filluan të rrëmihin. Puna ishte aq e rëndë, saqë Abdulmuttalibi iu betua Allahut se, në qoftë se një ditë do të ketë dhjetë djem që do t’i ndihmojnë dhe t’i ketë prane tij atëherë njërin prej tyre do ta flijojë për hir të Allahut. Pas punës triditëshe ata më në fund e gjetën burimin e Zemzemit. Që atëherë haxhilerët prej atij burimi pijnë ujë.

Vitet kalonin dhe Abdulmuttalibit i lindën dhjetë djem. Ata u rritën e u bënë djem të mirë e të fuqishëm e kështu erdhi koha që edhe ai ta mbajë premtimin që ia kishte dhënë Allahut. Ai u tregoi bijve për premtimin e dhënë e ndërkaq ata ranë dakort që njëri prej tyre të flijohej. Që të shihnin se cili do të jetë ata vendosën të hedhin short që ishte zakon i kurejshëve kur vendosnin për çështje me rëndësi. Abdulmuttalibi i tha çdonjërit prej djemve që të marrin nga një shigjetë dhe në të të shkruajnë emrin e vet e pastaj t’ia sjellin atij.

Pasi e bënë këtë i mori dhe i çoi në Qabe ku ishte një njeri detyra e posaçme e të cilit ishte që t’i vlerësojë shigjetat dhe të zgjedhë njërën prej tyre. Ky njeri me nderim të madh pranoi ta bëjë këtë. Në shigjetën që zgjodhi ishte shkruar emri i Abdullahut, djalit më të ri dhe më të dashur të Abdulmuttalibit. Atëherë i ati e mori të birin afër Qabes dhe u përgatit që ta flijojë atë.

Shumica e udhëheqësve kurejshë, që u gjendën aty u zemëruan shumë, ngase Abdullahu ishte shumë i ri dhe shumë i dashur nga të gjithë. Ata u përpoqën të gjejnë zgjidhje, se në ç’mënyrë t’ia shpëtojnë jetën. Dikush sugjeroi se do të duhej të kërkohet edhe mendimi i një gruaje plakë e të urtë, që jetonte në Jethrib, andaj Abdulmuttalibi e mori të birin dhe shkuan të shohin se si do të jetë gjykimi i plakës. Disa nga banorët e Mekës shkuan me ta dhe posa arritën atje, gruaja pyeti: “Cili është çmimi i jetës së njeriut?” Ata i thanë: “Dhjetë deve” sepse aso kohe, kur dikush vriste dikë, atëherë familja e dorasit i jepte dhjetë deve familjes së të vrarit, vetëm me qëllim që të ruanin paqen në mes tyre.

Kështu, gruaja u tha atyre që të kthehen në Mekë dhe të hedhin short ndërmjet Abdullahut dhe dhjetë deveve. Nëse shorti binte mbi devetë, atëherë ato do të vriteshin dhe mishi i tyre do t’u jepej të varfërve. Në qoftë se zgjidhej Abdullahu, atëherë numrit të deveve do të duhej t’i shtohen edhe dhjetë të tjera dhe kështu shorti vazhdimisht të përsëritej derisa më në fund të bie mbi devetë.

Abdulmuttalibi u kthye në Qabe bashkë me të birin dhe me njerëzit e Mekës. Pastaj filluan të hedhin short ndërmjet Abdullahut dhe deveve, duke filluar me dhjetë deve. Abdulmuttalibi iu lut Allahut që t’ia kursejë te birin ndërkaq të tjerët pritnin rezultatin në heshtje. Shorti ra mbi Abdullahun, kështu që i ati i shtoi edhe dhjetë deve të tjera. Përsëri shorti ra mbi Abdullahun, kështu që ata e përsëritën këtë gjë shumë herë, vazhdimisht duke shtuar nga dhjetë deve. Vetëm kur numri i tyre arriti në njëqind, shorti ra mbi devetë. Abdullahu shpëtoi dhe çdonjëri ishte shumë i gëzuar. Mirëpo, Abdulmuttalibi prapësëprapë dëshironte që të sigurohej se ky është rezultat i drejtë, prandaj e përsëriti shortin edhe tri herë dhe çdo here ai binte mbi devetë. Pastaj falenderoi Allahun që ia shpëtoi jetën Abdullahut. Devetë u sakrifikuan dhe pati mjaft ushqim për tërë qytetin, madje edhe për kafshët dhe shpendët.

Abdullahu u rrit dhe u bë një i ri i pashëm, kur i ati i zgjodhi për grua Aminen, të bijën e Uehbit. Ishte ky një takim i mirë, sepse ajo ishte më e mira nga vajzat e kurejshëve ndërkaq Abdullahu ishte më i miri nga të gjithë djemtë. Ai kaloi disa muaj me të mirëpo me vonë u detyrua ta lerë, dhe me njërin nga karvanet e tregtarëve të tregtojë me Sirinë. Duke u kthyer prej Sirie për në Mekë, Abdullahu u sëmur dhe u ndal në Jethrib me qëllim që të shërohej. Karvani e vazhdoi rrugën, pa pjesmarrjen e tij dhe arriti në Mekë. Me të dëgjuar për sëmundjen e të birit, Abdulmuttalibi dërgoi djalin tjetër el Harithin që ta sjellë Abdullahun në Mekë mirëpo tani ishte tepër vonë. Kur arriti ai në Jethrib Abdullahu kishte vdekur. Amineja mbeti me zemër të thyer për humbjen e burrit të saj dhe të babait të fëmijës që së shpejti duhej të lindte. Vetëm Allahu e dinte se ky fëmijë jetim një ditë do të bëhej i Dërguari i madh.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *