Haxhi i Lamtumirës

haxh

Pejgamberi (s.a.v.) ishte duke u bërë prijësi më i fuqishëm në tërë Arabinë.Pas shembjes së idhujve të Qabes dhe islamit të kurejshëve, shumica e fiseve të tjera të Arabisë erdhën të deklarohen për Islamin. Viti, gjatë të cilit ata erdhën, më vonë do të quhej Viti i Delegimeve. Në çdo fis të ri që pranonte Islamin, Pejgamberi (s.a.v.) dërgonte nga një njeri të tij me qëllim që ti mësojë ata për fenë e re.

Gjithashtu, shumë njerëz vinin në Medine që personalisht ta pyesnin Pejgamberin (s.a.v.) për Islamin. Njëri prej fiseve dërgoi një njeri të madh e të fuqishëm, që njihej me emrin Dimam. Me të arritur në Medine, ai shkoi drejt e në xhami, ku rrinte Pejgamberi (s.a.v.) me shokët dhe u ndal para tij. Me zë të lartë dhe të vrazhdë ai pyeti: “Cili prej jush është i biri i Abdulmuttalibit?” Kur Pejgamberi (s.a.v.) u përgjigj, Dimami vazhdoi: “Unë do të të bëj një pyetje të vështirë, andaj mos më keqkupto. Kërkoj të betohesh në Allahun, Allahun tënd, Allahun e atyre para teje dhe Allahun e atyre që do të vijnë pas teje, se a thua vallë të ka dërguar Ai te ne si Pejgamberin e Tij?”

“Po, Ai më ka dërguar”, u përgjigj Pejgamberi (s.a.v.) ” A të ka këshilluar të na udhëzosh që t’i shërbejmë Atij, të falemi pesë herë në ditë, të japim sadaka, të agjërojmë, ta bëjmë haxhin dhe të ndjekim ligjet e tjera të Islamit?”, vazhdoi Dimami.

Kur Pejgamberi (s.a.v.) u përgjigj se Allahu me të vërtetë kështu e ka këshilluar, Dimami u bë musliman dhe duke ikur shtoi: “Atëherë unë do t’i bëj gjërat që na janë të lejuara dhe do t’u shmangem gjërave që i kemi të ndaluara, as më shumë e as më pak.”

Ndërkohë, që Dimami përgatiste devenë e tij me qëllim që të nisej, Pejgamberi (s.a.v.) u tha njerëzve rreth tij: “Nëse ky njeri është i sinqertë,
atëherë ai do të shkojë në xhenet.” Kur Dimami arriti te njerëzit e tij, ata të gjithë menduan se është i marrë, mirëpo pas muzgut, kur ai mbaroi fjalimin e tij, në mesin e tyre nuk mund të gjendej njeri që s’e kishte pranuar Islamin. Kur u afrua koha e haxhit vjetor, u shpall lajmi se edhe Pejgamberi (s.a.v.) do të shkonte në Meke. Muslimanët u grumbulluan në Medine nga të gjitha anët e Arabisë, vetëm e vetëm që t’i bashkohen atij në rrugën e tij për në Qabe. Ashtu si arrinin, fiset e vendosnin kampin e tyre rreth qytetit, derisa më në fund u bënë mbi tridhjetë mijë frymë. Pejgamberi (s.a.v.) së bashku me familjen dhe shokët e tij, doli që t’i presë dhe t’u prijë për në haxh, por para se të nisen ai u priu në lutjen e përbashkët. Pas lutjeve, Pejgamberi (s.a.v.) hipi mbi devenë e tij dhe u nis në drejtim të Mekës, i ndjekur nga haxhilerët, shumica e të cilëve për herë të parë në shekujt e shkuar, e adhuronin të vetmin Zot, Allahun xh.sh.

Pejgamberi (s.a.v.) dhe shokët e tij u prekën thellë nga pamja madhështore e numrit të madh të muslimanëve që u shkonin pas në Meke, ku të gjithë ishin të paarmatosur dhe sypatrembur. Atyre nuk mund të mos u kujtohej arratisja e tyre nga Meka kur ishin aq të paktë në numër dhe kur u detyruan të ikin vetëm e vetëm që t’i shmangen zemërimit të kurejshëve. Duke udhëtuar për në Meke, besimtarët përsëritnin lutjen që u kishte mësuar Pejgamberi (s.a.v.), të cilën pjesë-pjesë e kishte pranuar nga meleku Xhibril. Prej atëherë, kjo lutje e quajtur telbijje, është pjesë e ritualit të haxhit. Ajo është përgjigje në thirrjen, që kishte bërë Ibrahimi kur, së bashku me Ismailin, kishin përfunduar ndërtimin e Qabes.

Lebbejke All-llahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel-hamde venni’mete leke vel-mulk, la sherike leke.

Ja ku jam, o Allah, në shërbimin Tënd, Ja ku jam, Ti nuk e ke shokun, ja ku jam. Të gjitha lutjet dhe bekimet janë për Ty edhe Sundimi! Ti nuk e ke shokun!

Dhjetë ditë më vonë, në kohën e muzgut, haxhilerët kaluan nëpër të njëjtin vendkalim, nëpër të cilin kishin hyrë në ditën e pushtimit të Mekes. Kur arritën në Qabe, Pejgamberi (s.a.v.) qëndroi përpara saj dhe u fal, e pastaj së bashku me të gjithë muslimanët e tjerë i bënë shtatë rrathë përqark Qabes duke i thënë lutjet e tyre me zë të lartë. Pas kësaj, ashtu siç kishte bërë edhe Ibrahimi; ata u nisën në drejtim të malit të Mëshirës (Xhebelurr-Rrahme) në Arefat, të cilën rrugë Pejgamberi (s.a.v.) e kaloi hipur mbi devenë e tij. Nga mali, ai u priu njerëzve gjatë lutjes së përbashkët dhe pastaj u foli të tubuarve në rrafshinën e gjerë që shtrihej nën të. Ajo që tha Pejgamberi (s.a.v.) njihet me emrin “Hutbeja e Lamtumirës”, sepse ishte fjalimi i fundit i Pejgamberit (s.a.v.) para vdekjes së tij. Ai tha: ” Ju me siguri do të takoheni me Zotin tuaj dhe Ai do t’ju pyesë për punët tuaja.” Ai kërkoi nga muslimanët që të udhëhiqen nga Kurani dhe nga shembulli i tij personal. Kjo, tha ai, është mënyra më e mirë për të jetuar. Ai u urdhëroi ta braktisin mënyrën e jetesës që kishin para Islamit. Hakmarrja, njëra nga traditat më të vjetra në Arabi, mori fund njëherë e përgjithmonë; fajdeja u ndalua; prona duhet të respektohet. Gjërat, të cilat më parë ishin të ndaluara vetëm gjatë katër muajve tëe vitit, tani u ndaluan gjatë tërë vitit.” Ai pastaj urdhëroi: “Ta dini se çdo musliman është vëlla i muslimanit”, e cila ishte një ide plotësisht e re për fiset që në të kaluarën kanë pasur shumë mosmarrëveshje midis tyre. Ai gjithashtu tha: “Allahu secilit i ka dhënë të vetën, pikërisht atë që meriton.” Pas çdo çështjeje, Pejgamberi (s.a.v.) pyeste: “A e kam shpjeguar mirë? A është plotësisht e qartë? ” Të gjithë u përgjigjën: “Po”. Sepse, këta njerëz ishin ata që do të duhej të bartnin porositë dhe këshillat e Pejgamberit (s.a.v.) për tek njerëzit e tjerë që nuk patën mundësinë të ishin aty, si dhe gjeneratave të ardhshme. Pejgamberi (s.a.v.) tha: ” Unë u kam lënë dy gjëra. Në qoftë se ju u përmbaheni, atëherë do të jeni të shpëtuar. Ato janë Libri i Allahut dhe fjalët e Pejgamberit tuaj.” Pastaj pyeti: ” Mos vallë nuk e kam përcjellur shpalljen? ” Të gjithë të tubuarit bërtitën: “Pafsha Allahun, po!”

“0 Allah, Ti je dëshmitar për këtë”, përfundoi Pejgamberi (s.a.v.).

Në emer të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

“…Tashmë, ata që mohuan, humbën shpresën për fenë tuaj (se do të ndërroni) andaj mos ju friksoni atyre, por m’u friksoni Mua. Sot përsosa për ju fene’ tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodhapërju Islamin fe… “

(El – Maide:3)

Muslimanëve të shumtë filluan t’u lotojnë sytë, sepse e dinin se Pejgamberi (s.a.v.) ka përfunduar shpalljen e tij e atëherë jetës së tij doemos i kishte ardhur fundi.

Pasi e kaluan pjesën tjetër të “Ditës së Arefatit” në lutje dhe në falje, muslimanët filluan të përmbushin haxhin duke u kthyer në Meke me lutjen e telbijjes në buzët e tyre. Natën e parë gjatë kthimit e kaluan në Muzdelife. Aty mblodhën guralecë, të cilët të nesërmen i bartën me vete deri në Mina. Aty qëndruan para një shkëmbi të madh dhe e gjuajtën me gurë, si përkujtim të takimit të Ibrahimit me shejtanin, takim i cili kishte ndodhur pikërisht në atë vend. Kur Ibrahimi kishte marrë urdhërin e Allahut xh.sh., që të flijonte të birin, Ismailin, si sprovë për besimin e tij, shejtani ishte përpjekur ta bindë që të mos veprojë ashtu. Ai kishte ardhur te Ibrahimi në Mina, i cili kishte qënë duke zbatuar urdhërin e Allahut xh.sh., por Ibrahimi kishte marrë ca gurë dhe i kishte hedhur mbi të dhe në këtë mënyrë e kishte larguar shejtanin. Hedhja e gurëve në Mina, gjatë “Haxhit të  Lamtumirës” të Pejgamberit (s.a.v.), u bë edhe një ritual, të cilin muslimanët e bënë gjatë haxhit vjetor të tyre, që gjithashtu nënkupton se duhet të vazhdojnë flakjen e shejtanit atëherë kur ai përpiqet t’i zbrapsë ata nga nënshtrimi i tyre ndaj Allahut xh.sh.

Pas hedhjes së këtyre gurëve, haxhilerët flijuan dele dhe deve, kurse mishin ua dhanë të varfërve. Në këtë mënyrë përkujtohet besimi i lartë i Ibrahimit, të cilit kur ishte i gatshëm të flijojë Ismailin, në vend të të birit, Allahu i kishte dërguar një dash. Pastaj muslimanët e përfunduan haxhin duke bërë përsëri shtatë rrathë rreth e përqark Qabes -tavafe.

Ata pastaj i prenë flokët dhe thonjtë dhe i ndërruan rrobet e bardha që të tregojnë se përsëri i kthehen jetës së tyre të përditshme. Para se të kthehen në Medine, muslimanët kaluan tri netë në luginën e Mines, ku dhe bënë përgatitjet përfundimtare për t’u kthyer në shtëpi.

Sa i përket Pejgamberit (s.a.v.), ai bëri edhe një vizitë të fundit para nisjes nga Meka. Kjo qe vizita e varrit të gruas së tij të devotshme, Hatixhes, e cila kishte qenë njeriu i parë që besoi në Shpalljen e Allahut xh.sh., nëpërmjet tij. Pejgamberi (s.a.v.) e dinte se kjo është hera e fundit që viziton varrin e saj apo Meken, sepse gjatë kohës së haxhit kishte pranuar një sure nga Kurani, që quhet “Ndihmë”, që ai e dinte se vdekja e tij nuk është shumë larg.

Në emer të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

“Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhnjimi) dhe i pe njerëzit qe’ po hyjnë turma – turma në fenë e Allahut.
Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falenderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai Vërtet pranon shumë pendimin, është Mëshirues i madh. “

(En Nasr: 1-3)

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *