Shtëpia / Hadithe te Buhariut / 85 – SHPJEGIMI I ËNDRRAVE

85 – SHPJEGIMI I ËNDRRAVE

›  2176.  Enes Ibn Malik r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Një ëndërr e mirë (dhe e vërtetë) e një besimtari të drejtë është një nga dyzet e gjashtë pjesët e Pejgamberisë.” (6983)
›  2177.  Ebu Said Hudriu r.a. tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. të thotë: “Në qoftë se dikush sheh një ëndërr që e pëlqen, atëherë ajo është nga Allahu. Kështu pra, le ta falënderojë Allahun dhe le t’ua dëftojë atë edhe të tjerëve. Por, nëse sheh diçka tjetër që nuk e pëlqen, atëherë ajo është nga shejtani, kështu që le t’i mbështetet Allahut për ta ruajtur nga e keqja e saj dhe të mos ia dëftojë atë askujt, sepse ajo nuk do t’i sjellë atij asnjë të keqe.” (6985)
›  2178.  Ebu Hurejra r.a. tregon: “Një herë e dëgjova Pejgamberin a.s. të thoshte: “Prej Pejgamberisë nuk ka mbetur më gjë tjetër, përveç sihariqtareve”. E pyetën: “Ç’janë sihariqtaret?” Ai u përgjigj: “Ëndrrat e mira e të vërteta (që përcjellin lajme të mira)” (6990)
›  2179.  Ebu Hurejra tregon r.a. se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. të thotë: “Kush më sheh mua në ëndërr, do të më shohë edhe kur të zgjohet Ditën e Ringjalljes. Shejtani nuk mund të marrë pamjen time.,/ (Ibn Sirini thotë në lidhje me pamjen e Pejgamberit a.s. në ëndërr: “Vetëm në qoftë se dikush e sheh Pejgamberin a.s. në pamjen e tij, do ta shohë atë kur të zgjohet Ditën e Ringjalljes). (6993)
›  2180.  Ebu Said Hudriu r.a. tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. të thotë: “Kushdo që më sheh mua në ëndërr, sigurisht që ka parë të vërtetën, sepse shejtani nuk mund të marrë e të shfaqet në pamjen time.” (6997)
›  2181.  Enesi r.a. tregon: “I Dërguari i Allahut a.s. shkonte shpesh për vizitë tek Umm Haram bint Milhani r.a., e cila ishte gruaja e Ubade Ibn Samitit. Kështu, një ditë Pejgamberi a.s. i shkoi asaj për vizitë dhe ajo e gostiti, pastaj filloi t’i ledhatonte kokën, derisa të Dërguarin e Allahut a.s. e zuri gjumi.Pastaj u zgjua duke qeshur. Umm Harami e pyeti: “Ç’të bëri të qeshësh, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Disa njerëz nga pasuesit e mi m’u shfaqën në ëndërr si luftëtarë për Rrugën e Allahut, duke lundruar mes detesh si mbretër mbi frone ose si mbretër të ulur në fronet e tyre.” (Is’haku, përcjellësi i hadithit dyshon për këtë fjalë). Umm Harami tha: “O i Dërguari i Allahut! Lutju Allahut që të më bëjë edhe mua prej atyre.” Kështu, i Dërguari i Allahut a.s. u lut për të, pastaj vuri kokën dhe fjeti përsëri. Më pas u zgjua sërish duke qeshur. E pyeta: “Për çfarë po qesh, o i Dërguari i Allahut?” Ai m’u përgjigj: “Disa njerëz nga pasuesit e mi m’u shfaqën në ëndërr si luftëtarë në rrugën e Allahut …” siç tha herën e parë. Ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut! Lutju Allahut të më bëjë edhe mua prej atyre.” Ai më tha: “Ti do të jesh me të parët e tyre.” Përcjellësi i hadithit shton: “Më vonë Umm Harami lundroi mes detit në kohën e kalifit Muavije Ibn Ebi Sufjan në marrjen e Qipros. Ajo ra nga kafsha e saj sapo doli në breg dhe vdiq.” (7001, 7002)
›  2182.  Muhamed Ibn Sirini thotë se e ka dëgjuar Ebu Hurejrën r.a. të tregojë se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Kur të afrohet fundi i kohës (së kësaj bote), ëndrra e besimtarit zor se nuk do të dalë e vërtetë. Ëndrra e besimtarit është një pjesë nga dyzet e gjashtë pjesët e Pejgamberisë dhe ajo që i përket Pejgamberisë, kurrë nuk gënjen.” Muhamed thotë se ata nuk e quanin gjë të mirë të shihnin në ëndërr vargonj në qafë, ndërsa prangat e dorës i shihnin si gjë e mirë dhe vendosmëri në fe. (7017)
›  2183.  Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka rrëfyer: “Pashë në ëndërr sikur një grua e zezë me flokë të prishur doli nga Medina, derisa qëndroi në Mehja, e cila është Xhuhfa. Unë e shpjegova këtë si tregues që epidemia e Medines të shpërngulet atje.// (7038)
›  2184.  Ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush hiqet se ka parë një ëndërr, të cilën në të vërtetë nuk e ka parë, do t’i kërkohet të lidhë nyje dy kokrra elbi, gjë të cilën ai nuk do të jetë në gjendje ta bëjë kurrë. Në qoftë se dikush përgjon bisedën e disa njerëzve pa pëlqimin e tyre, atëherë atij do t’i derdhet plumb i shkrirë në veshë Ditën e Gjykimit. Ai që bën një figurë frymorësh, do të ndëshkohet t’i fryjë asaj shpirtin (Ditën e Llogarisë), gjë të cilën ai nuk do të jetë kurrë në gjendje ta bëjë.” (7042)
›  2185.  Ibn Umeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Gënjeshtra më e keqe është ajo që dikush të shtiret sikur ka parë një ëndërr, të cilën në të vërtetë nuk e ka parë.” (7043)
›  2186.  Ibn Abbasi tregon: “Një burrë shkoi tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i tha: “Mbrëmë pashë në ëndërr një re që bënte hije, prej së cilës kullonte gjalpë dhe mjaltë, të cilët njerëzit i mblidhnin në duar, disa më shumë e disa më pak. Atë çast pashë një litar që zgjatej nga toka në qiell dhe të pashë ty (o Pejgamber a.s.) që e kape atë dhe u ngjite lart. Pastaj u kap pas tij një burrë tjetër dhe u ngjit lart; pastaj u kap pas tij një burrë i tretë dhe u ngjit lart dhe më pas u kap një i katërt, por litari u këput dhe u lidh përsëri.” Ebu Bekri tha: “O i Dërguari i Allahut! U bëftë kurban babai im për ty! Për Allahun, më lër ta shpjegoj unë këtë ëndërr.” Pejgamberi a.s. i tha: “Shpjegoje!” Ebu Bekri tha: “Reja me hije tregon Islamin, ndërsa gjalpi dhe mjalti që kullojnë prej saj tregojnë Kuranin, ëmbëlsia e tij që pikon dhe disa njerëz që mësojnë shumë prej Kuranit dhe disa pak. Ndërsa litari që zgjatet nga qielli në tokë është e Vërteta, të cilën ti (o Pejgamber a.s.) po e ndjek. Ti e ndjek atë dhe Allahu do të të lartësojë ty përmes saj. Pastaj atë do ta ndjekë një burrë tjetër dhe ai do të lartësohet nëpërmjet saj, pas tij një burrë tjetër do ta ndjekë atë dhe ai do të lartësohet me anët të saj. Më pas do të vijë një burrë tjetër që do ta ndjekë atë, por ajo do t’i këputet dhe më pas do t’i lidhet, përsëri duke u ngjitur lart me të. Më thuaj, pra, o i Dërguari i Allahut, u bëftë kurban babai im për ty! A e kam gjetur apo kam gabuar?” Pejgamberi a.s. tha: “Disa i ke thënë mirë dhe në disa ke gabuar.” Ebu Bekri tha: “Për Allah pra, o i Dërguari i Allahut! Më trego pra, ku kam gabuar.” Pejgamberi a.s. i tha: “Mos bëj be!” (7046)

Postimi i radhës

Milingona dhe Mjalti

Rrugës duke ecur milingona pa një copë mjalti. U ndal, e provoi dhe deshi të …