86 – FITNET

›  2187.  Ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush shpreh mospëlqim për një gjë që bën sunduesi i tij, duhet të tregohet i duruar, sepse, kush nuk del jashtë bindjes ndaj sunduesit të vet, qoftë edhe një pëllëmbë, do të vdesë si ata që kanë vdekur në kohën e padijes paraislame.”
Ndërsa në një hadith tjetër ai tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush vë re te qeveritari i tij diçka që nuk i pëlqen, atëherë le të bëjë durim, pasi, kushdo që ndahet nga bashkësia e muslimanëve, duke u larguar qoftë edhe një pëllëmbë, dhe vdes në këtë gjendje, ai veçse ka vdekur si ata që kanë vdekur në kohën e padijes paraislame (si gjynahqar i pabindur)” (7053, 7054)
›  2188.  Xhunada Ibn Ebi Umeja tregon: “Shkuam te Ubada Ibn Samiti r.a. kur ishte sëmurë. I thamë: “Allahu të përmirësoftë e të shëroftë! A do të na tregosh ndonjë fjalë të dëgjuar nga Pejgamberi a.s., me të cilën Allahu do të të bëjë të përfitosh?” Ai tha: “Pejgamberi a.s. na thirri dhe ne i dhamë atij besën për Islam. Midis kushteve për të cilat na mori besën, ishin dëgjimi dhe bindja ndaj sunduesit musliman, si kur të jemi të aktivë ashtu edhe kur të jemi të lodhur, si në vështirësi ashtu edhe në lehtësi t’i bindemi sunduesit e t’i japim atij të drejtën që i takon, edhe nëse ai nuk na e jep të drejtën që na takon, si edhe të mos luftojmë kundër tij përderisa nuk kemi vënë re tek ai Kufr (mosbesim a femohim) të qartë, për të cilin do të kemi prova të qarta nga Allahu.” (7055, 7056)
›  2189.  Ibn Mesudi r.a. tregon se e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. të thotë: “Disa nga njerëzit më të ligj janë ata që do t’i zërë të gjallë Ora e Kiametit.” (7066, 7067)
›  2190.  Zubejr Ibn Adiju tregon: “Shkuam tek Enes Ibn Maliku r.a. dhe iu ankuam për padrejtësitë që po vuanin njerëzit nga Haxhaxhit. Enesi r.a. tha: “Bëni durim, derisa të takoni Zotin tuaj, pasi, çdo kohë që do të vijë, do të jetë më e keqe se ajo që ka kaluar. Këtë fjalë e kam dëgjuar nga Pejgamberi a.s..” (7068)
›  2191.  Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Askush të mos ia drejtojë armën vëllait të vet musliman, sepse nuk e di, mbase shejtani mund t’ia shtyjë dorën për ta goditur atë, duke e bërë kështu që të bjerë në një humnerë zjarri.” (7072)
›  2192.  Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Do të ketë shumë fitne (trazira, sprova e vështirësi) gjatë të cilave ai që rri ulur do të jetë më i mirë se ai që rri në këmbë, ai që rri në këmbë do të jetë më i mirë se ai që ecën dhe ai që ecën do të jetë më i mirë se ai që vrapon. Kushdo që do t’u dalë përpara këtyre sprovave, do të shkatërrohet prej tyre. Prandaj, kush mund të gjejë një vend që të ruhet e të mbrohet prej tyre, atëherë le të strehohet atje!” (7081)
›  2193.  Selema Ibn Akvai r.a. tregon se, kur ka shkuar për vizitë te Haxhaxhi, ai i ka thënë: “O biri i Akvasë! Ia ke mbathur, duke qëndruar në shkretëtirë me beduinët!” Selema i është përgjigjur: “Jo, por i Dërguari i Allahut a.s. më ka lejuar që të rri me beduinët në shkretëtirë!” (7087)
›  2194.  Ibn Umeri r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Në qoftë se Allahu zbret ndëshkim mbi një popull, atëherë ai do të bjerë mbi të gjithë ata njerëz, pa dallim. Pastaj ata do të ringjallen, do të gjykohen dhe do të shpërblehen sipas veprave të tyre.” (7108)
›  2195.  Hudhejfa Ibn Jeman r.a. tregon: “Vërtet që në kohën e Pejgamberit a.s. ishte e pranishme hipokrizia, por sot është mosbesimi e femohimi pas besimit!” (7114)
›  2196.  Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nuk do të bëhet Kiameti derisa të dalë një zjarr nga toka e Hixhazit, i cili do të ndriçojë qafat e deveve në Busra.”(7118)
›  2197.  Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë:
“Lumi i Eufratit do të nxjerrë një thesar ari të madh, kështu që, kush të ndodhë aty, le të mos marrë prej tij asnjë grimcë.” (7119)
›  2198.  Ebu Hurejra r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nuk do të bëhet Kiameti derisa:
– Dy grupe të mëdha të luftojnë mes tyre nga ku do të ketë pasoja të mëdha për të dyja palëve, ndërsa që të dyja do të ndjekin të njëjtin besim fetar; dhe
– Të dalin afër tridhjetë Dexhxhalë mashtrues e secili prej tyre të shtiret si i dërguar i Allahut; dhe
– Të hiqet dija fetare (nga vdekja e dijetarëve islamë); dhe
– Të shtohen tërmetet; dhe
– Koha të ikë shumë shpejt; dhe
– Të shfaqen fitnet (trazirat, sprovat vështirësitë e stërmundimet); dhe
– Të shtohen vrasjet; dhe
– Të shtohet ndër ju pasuria aq shumë, saqë pasaniku do të shqetësohet se nuk ia merr kush lëmoshën dhe, sa herë që do t’ia zgjasë atë dikujt, ai do t’i thotë: ‘S’kam nevojë për të!’; dhe
– Njerëzit të bëjnë gara me njëri- tjetrin në ngritjen e ndërtesave të larta; dhe
– Kur një njeri të kalojë pranë varrit të dikujt të thotë: ‘Ah sikur të isha unë në vendin e tij!’ dhe
– Derisa dielli të lindë nga perëndimi. Kur ai të lindë nga perëndimi dhe njerëzit ta shohin këtë dukuri, ata të gjithë do të bëhen besimtarë muslimanë, por kjo do të jetë një kohë kur, siç thotë Allahu i
Madhëruar në Kuran: ‘askujt nuk do t’i bëjë dobi besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë ndonjë të mirë me besimin e vet’ (Kuran, 6:158) Ora e Kiametit do të vijë aq papritur dhe do të bëhet aq shpejt, saqë dy vetë që kanë hapur një rrobë përpara, nuk do të jenë në gjendje t’ia shesin atë njëri-tjetrit dhe as ta palosin. Kiameti do të bëhet aq papritur, saqë dikush që ka mjelur devenë dhe është larguar prej saj, nuk do të mundet ta pijë atë qumësht. Kiameti do të bëhet aq papritur, saqë dikush që sapo ka rregulluar hurdhën e ujit nuk do të mundet t’u japë ujë aty bagëtive. Kiameti do të bëhet aq papritur, saqë dikush që ka ngritur kafshatën te goja, nuk do të mundet ta hajë atë!” (7121)

Postimi i radhës

Milingona dhe Mjalti

Rrugës duke ecur milingona pa një copë mjalti. U ndal, e provoi dhe deshi të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *