Shtëpia / Hadithe te Buhariut / 67 – THERRJA DHE GJAHU

67 – THERRJA DHE GJAHU

›  1915.  Adij Ibn Hatim r.a. tregon: “Një herë e pyeta Pejgamberin a.s. për gjahun e vrarë me heshtë (druri me majë ose me majë hekuri). Ai u përgjigj: “Në qoftë se gjahu është vrarë nga goditja me majë atëherë haje atë! Por, në qoftë se është goditur nga bishti i heshtës, atëherë ai gjah është i paligjshëm, sepse kafsha ka ngordhur ngaqë është goditur për vdekje dhe jo ngaqë është gjakosur.” E pyeta për gjahun e kapur nga një zagar i stërvitur. Ai më tha: “Në qoftë se zagari e ka kapur gjahun për ty (nuk e ka ngrënë) atëherë haje atë gjah, sepse kapja e gjahut nga zagari është si therja. Por, në qoftë se sheh me zagarin ose me zagarët e tu ndonjë qen tjetër dhe ke frikë se ai mund të ketë marrë pjesë me zagarin tënd në kapjen dhe gjakosjen e gjahut, atëherë nuk duhet ta hash atë gjah, sepse ti ke shqiptuar Emrin e Allahut (duke thënë Bismil-lah – Me Emrin e Allahut) vetëm kur ke ndërsyer zagarin tënd dhe nuk ke bërë ‘Bismil-lah’ për ndonjë qen tjetër.” (5475)
›  1916.  Ebu Thalebe Husheniju r.a. tregon: “Një herë i thashë (Pejgamberit a.s.); “O Pejgamber i Allahut! Ne jetojmë në një vend të sunduar nga popujt e Librave të Parë. A mund të hamë në enët e tyre? Në vendin tonë ka shumë gjah dhe unë gjuaj me hark, me një qen të pastërvitur dhe një zagar të stërvitur për gjah, Atëherë çfarë më lejohet për të ngrënë?” Pejgamberi a.s. më tha; “Sa për atë që the për të krishterët ose çifutët, në qoftë se gjeni enë të tjera, mos hani me to, por, në qoftë se nuk gjeni të tjera, atëherë lajini dhe hani në to. Sa për gjahun, në qoftë se gjuan me harkun tënd dhe thua ‘Bismil-lah’ atëherë ha nga ai gjah. Po kështu, në qoftë se kap gjah me zagarin e stërvitur, pasi të kesh thënë ‘Bismil-lah’, atëherë ha nga ai gjah dhe, në qoftë se e kap gjahun me qenin e pastërvitur e pastaj e arrin gjahun pa ngordhur dhe e ther atë, atëherë haje atë!” (5478)
›  1917.  Abdullah Ibn Burejde tregon: “Një herë Abdullah Ibn Mugaffali r.a. pa dikë të hidhte gurë me dy gishta dhe i tha: “I Dërguari i Allahut a.s. e ka ndaluar hedhjen e gurëve kështu ose nuk e ka pëlqyer një gjë të tillë. Hedhja e gurëve në këtë mënyrë as nuk bën për gjah dhe as nuk e vret dot armikun, por mundet vetëm të thyejë ndonjë dhëmb ose të nxjerrë ndonjë sy.” Më pas Abdullahu e pa përsëri atë burrë të gjuante me gurë ashtu si herën e parë dhe i tha: “Të them se i Dërguari i Allahut a.s. e ka ndaluar hedhjen e gurëve në këtë mënyrë ose e ka urryer një gjë të tillë, ndërsa ti po vazhdon të njëjtën gjë! Nuk do të të flas për kaq e aq kohë!” (5479)
›  1918.  Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kushdo që mban qen manar që nuk përdoret as si qen roje për bagëtitë dhe as si zagar për gjah, atij njeriu i pakësohen çdo ditë dy kiratë nga veprat e tij të mira.” (5480)
›  1919.  Adij Ibn Hatimi tregon pothuaj si në hadithin përpara (nr. 1915/5475) por këtu shton se Pejgamberi ka thënë: “… Dhe në qoftë se ka qëlluar një gjah me shi’gjetë dhe e gjen atë të vrarë një a dy ditë më vonë, duke mos pasur tjetër veçse gjurmën e shigjetës tënde, atëherë mund ta hash atë gjah. Por, në qoftë se e gjen në ujë atë gjah që ti e ke qëlluar me shigjetë, atëherë mos e ha atë!” (5484, 5485)
›  1920.  Ibn Ebi Aufa r.a. tregon: “Kemi marrë pjesë me Pejgamberin a.s. në gjashtë a shtatë fushata të shenjta luftarake dhe kemi ngrënë karkaleca bashkë me të.” (5495)
›  1921.  Esma bint Ebi Bekr r.a. tregon: “Kemi therur një kalë në kohën e Pejgamberit a.s., kur ishim në Medine, dhe e hëngrëm atë.” (5510)
›  1922.  Ibn Umeri r.a. tregon se ka kaluar pranë një grupi të rinjsh që kishin lidhur një pulë dhe e qëllonin si nishan. Kur e kanë parë Ibn Umerin, ata janë shpërndarë menjëherë, duke e lënë pulën aty të lidhur. Kur pa këtë gjë ai tha: “Kush e ka bërë një gjë të tillë? Pejgamberi a.s. e ka mallkuar atë që bën kështu.” (5515)
›  1923.  Ibn Umeri r.a. tregon në një hadith tjetër të ngjashëm duke thënë se Pejgamberi a.s. i ka mallkuar ata që i presin gjymtyrët ose ndonjë pjesë tjetër nga trupi i kafshës, duke qenë gjallë. (5515)
›  1924.  Ebu Musai r.a. tregon se e ka parë Pejgamberin a.s. të hante mish pule.
›  1925.  Ebu Thalebe r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka ndaluar ngrënien e kafshëve të egra që kanë dhëmbë qeni. (5530)
›  1926.  Ebu Musai r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shembulli i një shoku të mirë e të drejtë dhe i një të keqi është si shembulli i atij që mbart misk dhe i një tjetri që i fryn shakullit të farkës. Kështu, ai që mban misk ose do të të dhurojë pak parfum, ose ti do të blesh pak prej tij, ose do të ndjesh e do të shijosh prej tij erë të mirë. Ndërsa ai që i fryn shakullit të farkës ose do të të djegë rrobat, ose do të ndjesh e do të marrësh prej tij erë të keqe.” (5534)
›  1927.  Ibn Umeri r.a. tregon se Pejgamberi a.s. e ka urryer damkosjen e kafshëve në fytyrë. Në një transmetim tjetër, ai (a.s.) e ka ndaluar të qëllohen kafshët në fytyrë. (5541)

Postimi i radhës

Milingona dhe Mjalti

Rrugës duke ecur milingona pa një copë mjalti. U ndal, e provoi dhe deshi të …