El Adijat (mekase) 11 ajete
Me emrin e Allahut,
të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
- Për vrapuesit e shpejtë, që hingëllijnë,
- që me thundrat e tyre nxjerrin xixëllima nga gurët!
- Ata të cilët vërsulen herët në agim,
- duke ngritur pluhurin përpjetë,
- dhe ashtu hidhen mu në mes të turmës.
- Vërtet, njeriu ndaj Zotit të vet është përbuzës,
- dhe për këtë ai është dëshmues.
- Dashurinë për pasuri ai e ka shumë të madhe,
- por a nuk e di ai se kur të dalin jashtë ato çfarë varret mbajnë,
- dhe kur të dalin në shesh ato çfarë fshihen në kraharorë,
- atë ditë, vërtet, Zoti i tyre i di me hollësi veprat e tyre!