Shtëpia / Kur'an Shqip / 084. INSHIKAK

084. INSHIKAK

El inshikak (mekase) 25 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

  1. Po kur qielli të çahet,
  2. duke dëgjuar me bindje e nënshtrim Zotin e vet, ashtu siç e ka për detyrë!
  3. Po kur Toka të shtrihet në gjerësinë e saj,
  4. të nxjerrë çfarë ka brenda e të çlirohet,
  5. duke dëgjuar me bindje e nënshtrim Zotin e saj, ashtu siç e ka për detyrë!
  6. O njeri! Vërtet, ti që bën përpjekje të mëdha, që të afrojnë te Zoti yt, ato do t’i gjesh!
  7. Për sa i përket atij të cilit, libri i vet do t’i jepet nga e djathta,
  8. atij do t’i bëhet një llogari e lehtë,
  9. dhe do të kthehet te familja e vet i gëzuar.
  10. E për sa i përket atij të cilit, libri i vet do t’i jepet nga pas shpine
  11. ai do të lutet për t’u asgjësuar,
  12. dhe do të flaket në një zjarr të ndezur fort.
  13. Ai jetonte i gëzuar në familjen e vet.
  14. Ai vërtet mendonte se nuk kishte për t’u ringjallur .
  15. Por, në fakt, Zoti i tij e ka patur gjithnjë nën vëzhgim atë!
  16. Betohem në kuqëlimin e muzgut,
  17. në natën e në çka ajo mbulon me errësirën e saj,
  18. edhe në hënën e plotë,
  19. se ju, me siguri, do të kaloni gjendje pas gjendjeje.
  20. Çfarë kanë ata që nuk besojnë?
  21. Përse, kur u lexohet Kurani, nuk përulen?
  22. Përse mohojnë ata që nuk besojnë?!
  23. Por Allahu e di më së miri atë çfarë fshehin ata.
  24. Lajmëroi ata për një dënim të dhembshëm,
  25. përveç atyre që besojnë e bëjnë vepra të mira, të cilët do të kenë shpërblim të pandërprerë!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …