Shtëpia / Kur'an Shqip / 070. EL MEARIXH

070. EL MEARIXH

El Mearixh (mekase) 44 ajete

Me emrin e Allahut,

Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!

  1. Dikush kërkoi dënimin e pashmang-shëm.
  2. Askush nuk mund ta ndalë atë për jobesimtarët.
  3. Ai dënim vjen nga Allahu, Pronari i rrugëve të larta.
  4. Atje ngjiten engjëjt dhe shpirti në një ditë, e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet.
  5. Ti bëj durim, një durim të hijshëm.
  6. Ata e shohin atë larg,
  7. kurse Ne e shohim atë afër.
  8. Ditën kur qielli të bëhet si plumb i shkrirë,
  9. malet të bëhen si lesh i shprishur,
  10. dhe asnjë mik të mos pyesë për mikun,
  11. kur ata të shihen ndërmjet tyre. Krimineli do të dëshironte ta shpaguante dënimin e asaj dite me bijtë e vet,
  12. me gruan dhe me vëllain e vet,
  13. me të afërmit e tij, tek të cilët mbështetej;
  14. madje, me gjithë ç’ka në tokë, vetëm për të shpëtuar!
  15. Jo, kurrsesi! Ajo është Ledhá,
  16. që ta shkul lëkurën e kokës.
  17. Ai zjarr thërret atë që është sprapsur e larguar,
  18. atë që vetëm grumbullonte dhe fshihte.
  19. Pa dyshim, njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm.
  20. Kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi.
  21. Ndërsa, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac.
  22. Përveç atyre që falen,
  23. të cilët janë të vazhdueshëm në faljen e namazit të tyre.
  24. Edhe përveç atyre që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar
  25. për lypësin dhe për nevojtarin.
  26. Edhe përveç atyre që e besojnë me siguri të plotë Ditën e Gjykimit,
  27. dhe atyre që prej dënimit të Zotit të tyre frikësohen.
  28. Nuk ka dyshim se prej dënimit të Zotit të tyre nuk ka shpëtim.
  29. Përjashtohen edhe ata që e ruajnë ndershmërinë e vet,
  30. dhe shkojnë veç me gratë e veta ose me robëreshat që kanë në zotërim, për të cilat nuk fajësohen.
  31. Ndërsa ata që kërkojnë më tepër, ata janë të shfrenuarit.
  32. Edhe ata të cilët janë besnikë ndaj amanetit që u është besuar dhe ndaj premtimit të dhënë.
  33. Edhe ata që dëshminë e vet nuk e fshehin.
  34. Edhe ata që ndaj namazit të tyre janë të kujdesshëm.
  35. Të gjithë këta janë në Xhenete, të nderuar.
  36. Ç’është me ata që nuk besojnë, të cilët pandërprerë zgjasin shikimet drejt teje
  37. e që sorollaten në grupe, djathtas e majtas teje?
  38. A mos duan që të hyjnë në Xhenetin e begatshëm?!
  39. Kurrsesi! Ne i krijuam ata prej asaj që ata e dinë.
  40. Betohem në Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve, se Ne jemi të plotfuqishëm,
  41. që t’i zëvendësojmë ata me të tjerë më të mirë se ata, dhe askush nuk mund të na dalë para Ne.
  42. Por ti lëri ata të zhyten edhe më thellë dhe le të dëfrehen, derisa të përjetojnë Ditën e tyre, që iu është paralajmëruar;
  43. ditën kur, duke u ngutur, do të dalin prej varreve, sikur të ishin duke nxituar drejt idhujve të tyre.
  44. Të përulura do jenë shikimet e tyre. Ata do t’i ketë kapluar poshtërimi. Kjo është dita që iu është premtuar!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …