Shtëpia / Kur'an Shqip / 071. NUH

071. NUH

Nuh (mekase) 28 ajete

Me emrin e Allahut,

Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!

  1. Ne e dërguam Nuhun te populli i vet: “Tërhiqja vërejtjen popullit tënd, para se ata t’i godasë një dënim i dhembshëm!”
  2. Ai tha: “O populli im! Unë për ju jam një paralajmërues i qartë.
  3. Adhurojeni Allahun, ruhuni prej Tij dhe bindmuni mua!
  4. Ai ju mbulon gjynahet tuaja dhe ju jep afat deri në një moment të caktuar. Por kur të vijë afati i caktuar prej Allahut, ai nuk shtyhet për më vonë, nëse e dini.
  5. Ai tha: “O Zoti im! Unë e ftova popullin tim natën dhe ditën,
  6. por ftesa ime vetëm sa ia shtoi largimin.
  7. Sa herë që unë i ftoja ata tek Ti, për t’ua falur gjynahet, ata i vendosnin gishtat në veshët e tyre dhe mbulonin kokat me teshat e tyre, për të vazhduar në të tyren me një arrogancë të madhe.
  8. Unë i ftova ata haptazi.
  9. Ua drejtova thirrjen botërisht e shumë herë edhe fshehurazi”.
  10. Unë u thashë: “Kërkojini falje Zotit tuaj, se Ai vërtet është Falës i madh.
  11. Ai do t’ju lëshojë nga qielli shi me bollëk,
  12. do t’ju begatojë me pasuri dhe fëmijë, do t’ju mundësojë të keni kopshte dhe lumenj.
  13. Ç’është kështu me ju, që nuk i shprehni Allahut madhërinë që e meriton,
  14. kur Ai ju krijoi në disa etapa?!
  15. A nuk e shihni se si Allahu ka krijuar shtatë qiej, palë-palë.
  16. Dhe në ta, hënën e bëri dritë e diellin e bëri ndriçues.
  17. Allahu ju nxori ju prej tokës, si bimë.
  18. Pastaj ju kthen në të, për t’ju nxjerrë sërish.
  19. Allahu e bëri tokën shtrojë për ju,
  20. që nëpër të, të ecni rrugëve të gjera”.
  21. Nuhu tha: “O Zoti im! Ata nuk m’u bindën mua, por shkuan pas atyre, të cilëve pasuria dhe fëmijët e tyre u shtuan veçse dëshpërim,
  22. dhe të cilët u kurdisën kurthe shumë të mëdha.
  23. Ata u thanë: “Kurrë mos i braktisni zotat tuaj! Mos e braktisni Ueddën, as Suvânë, as Jeguthën, Jeûkën dhe Nesrën”.
  24. Ata zhytën në humbje shumë pasues të tyre. Prandaj, të padrejtëve Ti shtoju veçse humbje!”
  25. Për shkak të gjynaheve të tyre, ata u përmbytën dhe u hodhën në zjarr. Ata nuk gjetën ndihmës, që t’i shpëtonin prej Allahut.
  26. Nuhu tha: “O Zoti im! Mos lër mbi tokë asnjë nga jobesimtarët!
  27. Sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i devijojnë adhuruesit e Tu, dhe se prej tyre do të lindin veçse të shfrenuar dhe jobesimtarë!
  28. O Zoti im! Më fal mua, prindërit e mi, ata që hynë në shtëpinë time si besimtarë dhe të gjithë besimtarët e besimtaret! Ndërsa jobesimtarëve shtoju veçse dëshpërim!”.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …