Shtëpia / Kur'an Shqip / 069. EL HAK-KA

069. EL HAK-KA

El Hak-kah (mekase) 52 ajete

Me emrin e Allahut,

Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!

  1. El Hãkkah!
  2. Çfarë është El Hãkkah?!
  3. E ku mund ta dish ti se ç’është El Hãkkah?!
  4. Themudi dhe Adi mohuan Ditën e Tmerrit.
  5. Sa i përket Themudit, ata u shkatërruan me një ushtimë të tmerrshme.
  6. Ndërsa Adi u shkatërrua me një stuhi të fuqishme e të zhurmshme,
  7. që Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht. T’i shihje njerëzit të shembur përdhe, si të ishin trungje hurmash të zgavruara.
  8. A e gjen ndonjë që ka mbetur prej tyre?
  9. Faraoni, ata që ishin para tij dhe të përmbysurit kryen vepra të padrejta.
  10. Ata kundërshtuan të Dërguarin e Zotit të tyre, prandaj Ai i ndëshkoi me një dënim edhe më të ashpër.
  11. Pasi vërshoi uji, Ne ju hipëm në anije,
  12. që të shërbente si përkujtim për ju dhe për ta kuptuar çdo vesh (zemër) përkujtues.”.
  13. E kur t’i fryhet Surit vetëm një herë,
  14. dhe të ngrihen toka e malet dhe, me një të goditur të vetme, të përplasen me njëri-tjetrin,
  15. në këtë ditë ndodh e Vërteta!
  16. E çahet qielli, që atë ditë është i rraskapitur,
  17. ndërsa engjëjt qëndrojnë në skajet e tij. Atë ditë, Arshin e Zotit tënd e bartin mbi vete tetë prej tyre.
  18. Atë ditë, ju do të dilni zbuluar, duke mos mbetur i fshehtë asnjë sekret i juaji.
  19. Ai të cilit do t’i jepet libri i vet nga e djathta e tij, do të thotë: “Ej, ju të gjithë! Ja, lexojeni librin tim!”
  20. Unë kam qenë i bindur se do të jap llogarinë time!”
  21. Ai do të jetë në një jetë të kënaqshme,
  22. në një Xhenet të lartë,
  23. ku pemët e veta do t’i ketë shumë pranë.
  24. Hani e pini shijshëm, se ju e keni përgatitur këtë në ditët e kaluara.
  25. Ndërkaq, kujt i jepet libri nga e majta e vet, ai thotë: “Oh, i mjeri unë! Ah, sikur të mos më jepej fare ky libri im,
  26. e kështu të mos e dija se si është llogaria ime!
  27. Ah, sikur të kishte qenë ai fund i përhershëm për mua!
  28. Pasuria nuk më bëri aspak dobi!
  29. M’u hoq edhe pushteti!”
  30. Kapeni atë dhe vendosjani prangat!
  31. Pastaj hidheni në Xhehenem!
  32. Mandej lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë.
  33. Se ai nuk besonte Allahun e Madhëruar.
  34. Ai nuk nxiste për të ushqyer të varfërit.
  35. Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik,
  36. as ushqim tjetër, përveç gislin-it,
  37. që nuk e ha kush, përveç të gabuarve!
  38. Unë betohem në atë që e shihni!
  39. Edhe në atë që nuk e shihni!
  40. Se me të vërtetë ai është Fjalë që e lexon i Dërguari i ndershëm.
  41. Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, por ju nuk besoni.
  42. Nuk është as fjalë e ndonjë falltori, por ju nuk përkujtoni.
  43. Ai është shpallje prej Zotit të botëve!
  44. Sikur ai të trillonte për Ne ndonjë fjalë,
  45. Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë,
  46. e pastaj do t’ia këputnim atij arterien e zemrës.
  47. E askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij.
  48. Ai është këshillë për të devotshmit.
  49. S’ka dyshim se Ne dimë që prej jush ka edhe mohues.
  50. Ai pa dyshim do të jetë dëshpërim për jobesimtarët.
  51. Ai është e vërteta e sigurt!
  52. Prandaj, ti lartësoje nga të metat Zotin tënd të Madhëruar!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …