Shtëpia / Kur'an Shqip / 068. EL KALEM

068. EL KALEM

El kalem (mekase) 52 ajete

Me emrin e Allahut,

Të Gjithmëshirshmit Mëshirëplotit!

  1. Nun! Betohem në lapsin dhe në atë çka shkruajnë!
  2. Ti, me dhuratën e Zotit tënd, nuk je i çmendur!
  3. Ti, pa dyshim, do të kesh një shpërblim të pandërprerë!
  4. Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!
  5. Më vonë ti do të shohësh, por edhe ata do të shohin,
  6. se cili prej jush është i çmendur.
  7. S’ka dyshim se Zoti yt është më i ditur se cili është ai që ka humbur rrugën e Tij dhe Ai është më i ditur për të udhëzuarit.
  8. Prandaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët!
  9. Ata do të dëshironin që ti të bësh lajka, që edhe ata të bëjnë lajka.
  10. Mos e respekto asnjë që betohet shumë dhe është i poshtër,
  11. që është përgojues e përhap fjalë ngatërrestare ndër njerëz,
  12. që është shumë koprrac ndaj rrugës së mbarë, armiqësor, gjynahqar i madh,
  13. shumë i vrazhdë dhe, përveç këtyre, është edhe kopil!
  14. Vetëm pse ka pasuri e djem!
  15. Kur atij i lexohen ajetet Tona, ai thotë: “Legjenda të të parëve!”
  16. Ne do ta damkosim atë në hundë!
  17. Ne i sprovuam ata, siç sprovuam pronarët e kopshtit, kur u betuan se do ta vilnin atë herët në agim,
  18. por pa thënë: “Në dashtë Allahu!”
  19. Atëherë, atë (kopshtin) e goditi një ndëshkim nga Zoti yt, ndërkohë që ata ishin në gjumë,
  20. dhe u gdhi i nxirosur si nata e errët.
  21. Ata thirrën njëri-tjetrin në mëngjes:
  22. “Ngrihuni e shkoni herët te prodhimet tuaja, nëse doni t’i vilni!”
  23. Ata u nisën, duke pëshpëritur mes njëri-tjetrit:
  24. “Sot, nuk do të lejojmë asnjë fukara të afrohet atje!”
  25. U nisën herët dhe plot entuziazëm për planet e tyre, të sigurt për prodhimin e madh që i priste.
  26. Por kur vajtën dhe panë vendin, thanë: “Oh, paskemi gabuar drejtim!”
  27. “Jo, kemi humbur atë që kishim!”
  28. Më i urti prej tyre tha: “A nuk ju thashë përse nuk e përmendni Zotin?”
  29. Atëherë, ata thanë: “I pastër nga çdo e metë është Zoti ynë! Pa dyshim, ne u treguam të padrejtë”.
  30. Dhe më pas iu kthyen njëri-tjetrit me qortime,
  31. duke thënë: “Të mjerët ne, që tejkaluam kufijtë!
  32. Shpresojmë që Zoti ynë të na e zëvendësojë këtë fatkeqësi me diçka më të mirë se ajo që na humbi! Ne e mbajmë shpresën vetëm te Zoti ynë!”
  33. Ja, i tillë do të jetë dënimi. Ndërsa në botën tjetër, dënimi do të jetë shumë më i ashpër, sikur ta kuptonin!
  34. Është e sigurt se për të devotshmit do të ketë kopshte të begatshme te Zoti i tyre.
  35. A do t’i konsiderojmë kriminelët të barabartë me muslimanët?!
  36. Ç’është me ju? Si gjykoni ashtu?!
  37. A mos keni ndonjë libër, nga i cili mësoni
  38. se ju do të keni atje çka të dëshironi?!
  39. A mos keni ndonjë zotim të fortë prej Nesh, që vazhdon deri në Kijamet, se do ta arrini atë që gjykoni dhe dëshironi?!
  40. Pyeti: “Cili prej tyre jua garanton atë?”
  41. Apo kanë ortakë, që u japin garanci?! Le t’i sjellin “ortakët” e vet, nëse thonë të vërtetën!
  42. Ditën kur të zbulohet Kërciri dhe ata do të ftohen për të bërë sexhde, por nuk do të munden.
  43. Të përulura e të tmerruara janë shikimet e tyre, ndërsa ata i kaplon poshtërimi, pasi dihet se ata u ftuan të bënin sexhde kur ishin tepër të aftë.
  44. Pra, më lër Mua me ata që e mohojnë këtë Kuran! Ne do t’i afrojmë ata gradualisht, prej nga nuk e presin.
  45. Unë u jap afat atyre, sepse ndëshkimi Im është shumë i fortë.
  46. A mos po u kërkon atyre shpërblim e ata të rëndohen nga shpenzimet?!
  47. A mos ndoshta dinë të fshehtën, e kështu të trumbetojnë?!
  48. Po ti bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd dhe mos u bëj si ai i peshkut në kohën kur u lut, në atë gjendje të ngarkuar ankthi e trishtimi.
  49. Sikur të mos i vinte mëshira nga Zoti i tij, ai do të hidhej në shkretëtirë i braktisur dhe i fajësuar.
  50. Por Zoti i tij e bëri atë të zgjedhur dhe prej të mirëve.
  51. Ata që nuk besojnë gati sa nuk të hanë me shikimet e tyre dhe thonë: “Ai është i marrë!”
  52. Po ai nuk është gjë tjetër, por veçse këshillë për botët.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …