061. EL SAF

Es Saff (medinase) 14 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Allahun e madhëron ç’gjendet në qiej dhe në Tokë! Ai është Ngadhënjyesi, i Urti!
  2. O ju që keni besuar, pse e thoni atë që vetë nuk e veproni?
  3. Për Allahun, është shumë e urryer që ta thoni atë gjë që vetë nuk e veproni.
  4. Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij të rreshtuar, si një ndërtesë e fortifikuar.
  5. Kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Pse më mundoni, kur e dini me siguri se, me të vërtetë, unë jam i Dërguari i Allahut për ju!” Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë.
  6. Dhe kur Isai, biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Israilit! Unë jam i dërguar i Allahut për ju. Unë jam vërtetues i Teuratit, që ishte para meje, siç jam lajmës për një profet që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!”.
  7. E kush është më mizor se ai që shpif për Allahun gënjeshtra, ndërkohë që ai ftohet në fenë Islame?! Por Allahu nuk u ofron udhëzimin e drejtë njerëzve të padrejtë.
  8. Ata duan që, me gojën e tyre, të shuajnë dritën e Allahut, por Allahu e forcon dritën e vet, edhe pse jobesimtarët e urrejnë këtë.
  9. Është Ai që e çoi të Dërguarin e Vet me udhëzim të qartë e fé të vërtetë, për ta bërë të epërme mbi të gjitha fetë, edhe pse idhujtarët e urrejnë këtë.
  10. O ju që keni besuar, a t’ju tregoj për një tregti të suksesshme, që ju shpëton prej dënimit të dhembshëm:
  11. Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe veten tuaj. Kjo është shumë herë më e dobishme për ju, sikur ta dinit!
  12. Ai jua fal gjynahet tuaja, ju fut në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, dhe në pallate të bukura, në xhenetet e amshuar. Ky është suksesi i madh!
  13. Edhe të tjera që ju i dëshironi, si: ndihmë prej Allahut dhe fitore të afërt. Atëherë, përgëzoji besimtarët!
  14. O ju që keni besuar, bëhuni ndihmës të Allahut, sikurse Isai, biri i Merjemes, u tha dishepujve: “Kush do të jetë ndihmësi im në rrugën e Allahut?” Dishepujt i thanë: “Ne do të jemi ndihmësit e rrugës së Allahut!” Disa prej bijve të Israilit besuan e disa të tjerë kundërshtuan. Ata që besuan, Ne i përkrahëm kundër armiqve të tyre, dhe ata fituan!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *