Shtëpia / Kur'an Shqip / 060. MUMTEHINE

060. MUMTEHINE

El Mumtehineh (medinase) 13 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. O ju që keni besuar, mos bëni miq armiqtë e Mi dhe armiqtë tuaj, duke treguar dashuri ndaj tyre, kur dihet se ata mohojnë të vërtetën që ju ka ardhur. Ata kanë dëbuar të Dërguarin dhe ju vetëm se besoni Allahun, Zotin tuaj. Mos u miqësoni me ta, nëse vërtet keni dalë për hir të luftës në rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush. Ju u shprehni fshehurazi atyre miqësi, ndërsa Unë e di shumë mirë se çfarë mbani të fshehur dhe çfarë shfaqni haptazi. Çdokush prej jush që vepron kështu, ka devijuar nga rruga e drejtë.
  2. Nëse ata ju mundin, ata do të jenë armiqtë tuaj e do t’ju godasin me duart dhe gjuhën e tyre. Ata do të dëshironin shumë që edhe ju të bëheshit jobesimtarë.
  3. Ditën e Kijametit nuk do t’ju bëjnë dobi farefisi e as fëmijët tuaj. Allahu do të bëjë ndarjen mes jush. Allahu sheh gjithçka që ju punoni.
  4. Një shembull i mirë për ju është Ibrahimi dhe ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne distancohemi prej jush dhe prej çfarë adhuroni ju veç Allahut. Ne ju mohojmë dhe armiqësia ndërmjet nesh është e hapur, derisa ju ta besoni Allahun si Një!” Me përjashtim të fjalës së Ibrahimit drejtuar babait të vet: “Unë do të kërkoj falje për ty, por nuk kam asnjë mundësi për ty para Allahut!” “Zoti ynë, vetëm Ty të mbështetemi, vetëm para Teje pendohemi dhe vetëm te Ti është kthimi ynë!
  5. Zoti ynë, mos na bëj sprovë të atyre që nuk besojnë dhe falna, o Zoti ynë! Ti je Ngadhënjyesi, i Urti!”
  6. Vërtet, këta njerëz janë një shembull i mirë për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit. Kushdo që kthen shpinën, le ta dijë se Allahu është Jonevojtari e i Lavdishmi!
  7. Ndoshta Allahu, ndërmjet jush dhe atyre me të cilët kishit armiqësi, do të vendosë miqësi. Allahu është i Plotfuqishëm. Allahu është Falës e Mëshirues.
  8. Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftojnë për shkak të fesë e që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.
  9. Allahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftojnë për shkak të fesë, që ju nxjerrin prej shtëpive tuaja dhe që ndihmojnë në dëbimin tuaj. Ai ju ndalon të miqësoheni me ta. Çdokush që miqësohet me ta, është zullumqar!
  10. O ju që keni besuar, kur t’ju vijnë besimtaret e shpërngulura, provojeni besimin e tyre, ndonëse Allahu e di më së miri se çfarë besimi kanë! Nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë mos i ktheni ato te jobesimtarët, sepse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to! Por kthejuani atyre shpenzimet që kanë bërë për to. Ju nuk jeni të ndaluar të martoheni me to, pasi t’u keni dhënë mehr-in. Mos i mbani si bashkëshorte idhujtaret, por kërkoni t’ju kthehen shpenzimet që keni bërë për to, ashtu si ata le të kërkojnë prej jush t’u ktheni shpenzimet që kanë bërë për to. Këto janë ligjet e Allahut, me të cilat Ai ju gjykon. Allahu është i Gjithëdijshmi e Njohësi në imtësi.
  11. Në qoftë se ndonjëra prej grave tuaja shkon te idhujtarët, e më vonë ju fitoni plaçkë lufte prej tyre, atëherë atyre që u kanë shkuar gratë tek ju jepuni aq sa ata kanë shpenzuar për to! Kijeni frikë Allahun, të Cilin e besoni!
  12. O Profet, kur të vijnë tek ty besimtaret e të japin besën se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë, nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë imoralitet, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të gënjejnë e shpifin dhe nuk do të të kundërshtojnë në atë që është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje zotimin e tyre dhe lute Allahun t’i falë ato! Vërtet, Allahu është Falës e Mëshirues.
  13. O ju që keni besuar, mos zini miqësi me njerëz që kanë zemëruar Allahun. Ata e kanë humbur shpresën për ahiretin, ashtu sikurse jobesimtarët nuk kanë shpresë për të vdekurit.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …