Shtëpia / Kur'an Shqip / 056. EL UAKIA

056. EL UAKIA

: El Uakiah (mekase) 96 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 

  1. E kur të ndodhë Ngjarja,
  2. ardhjen e saj askush nuk do ta mohojë.
  3. Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë.
  4. Kur toka të tundet me dridhje të forta,
  5. kur malet të thërrmohen e bëhen copë-copë,
  6. kur ato të bëhen si pluhur i shpërndarë,
  7. atëherë ju do të ndaheni në tri grupe:
  8. Janë të djathtët: e cilët janë ata të djathtët se?!
  9. Janë të majtët: e cilët janë ata të majtët se?!
  10. Pastaj janë të përparuarit, që janë të dalluarit.
  11. Ata janë më të afruarit
  12. dhe gjenden në kopshte të begatshme.
  13. Shumë janë prej të hershmëve
  14. e pak prej të mëvonshmëve.
  15. Ata janë në shtretër të qëndisur me ar e gurë të çmuar.
  16. Të mbështetur qëndrojnë në to, përballë njëri-tjetrit.
  17. Atyre u shërbejnë djelmosha të përjetshëm,
  18. me kupa, ibrikë dhe me gota plot me pije të kulluar, prej një burimi që rrjedh,
  19. pije prej së cilës as nuk u dhemb koka, as nuk dehen;
  20. gjithashtu, me fruta sipas përzgjedhjes së tyre,
  21. dhe mish shpendësh, si ua ka ënda.
  22. Atje do të kenë edhe hyri symëdha
  23. të cilat duken si diamante të ruajtura.
  24. Ky është shpërblimi për veprat e tyre.
  25. Atje nuk dëgjojnë fjalë të kota e as fjalë gjynahesh.
  26. Por vetëm fjalë të mira dhe qetësuese.
  27. E ata të djathtët: e kush janë të djathtët se?!
  28. Ata qëndrojnë mes lotusve pa gjemba,
  29. bananeve me fruta palë-palë,
  30. nën hije të gjera,
  31. pranë një uji që rrjedh,
  32. mes frutave të shumëllojshme,
  33. që as nuk mbarohen, as nuk janë të ndaluara.
  34. Ata qëndrojnë në shtretër të lartë.
  35. Ne i kemi bërë ato me një krijim të ri,
  36. i kemi bërë virgjëresha,
  37. të dashuruara dhe të një moshe,
  38. për ata të djathtët,
  39. që janë shumë nga të hershmit
  40. e shumë nga më të vonshmit.
  41. Janë ata të majtit: e kush janë ata të majtit se?!
  42. Ata janë në afshin përvëlues të zjarrit dhe në ujë të valë,
  43. nën një hije tymi,
  44. as të freskët e as të këndshme.
  45. Më përpara, ata kanë qenë të dhënë pas luksit
  46. dhe vazhdimisht kryenin gjynahe të mëdha.
  47. Ata thoshin: “Vallë, pasi të vdesim, të bëhemi dhé e eshtra, vërtet do të ringjallemi?!
  48. Vallë, edhe etërit tanë të hershëm?”
  49. Thuaju: “Të jeni të sigurt se, edhe të parët edhe të fundmit,
  50. keni për t’u tubuar në një ditë të caktuar!
  51. Atëherë, ju, o të humbur e jobesimtarë,
  52. keni për të ngrënë prej pemës Zekum
  53. Prej saj keni për ta mbushur barkun!
  54. E menjëherë pas saj do të pini prej ujit të vluar,
  55. do të pini si deveja e etshme!”
  56. Kjo është “gostia” e tyre në Ditën e Gjykimit.
  57. Ne ju kemi krijuar ju, përse nuk e pranoni atëherë?
  58. A më tregoni për farën, që e derdhni?
  59. Vallë, ju e krijoni atë, apo jemi Ne që e krijojmë?
  60. Ne e kemi përcaktuar vdekjen ndër ju dhe Ne askush nuk mund të na pengojë
  61. që t’ju zëvendësojmë me të tjerë si ju dhe t’ju krijojmë rishtazi, siç ju nuk dini.
  62. Ju e dini mirë krijimin e parë, atëherë përse nuk mendoni?
  63. A nuk e shihni atë që e mbillni?
  64. Vallë, ju e bëni atë të mbijë, apo Ne e bëjmë të mbijë?
  65. Sikur Ne të dëshironim, do ta bënim atë të thahej, e ju do të mbeteshit gjithmonë të habitur (duke thënë):
  66. “Ne u dëmtuam,
  67. madje, mbetëm krejtësisht të privuar”.
  68. A e shihni ujin, që pini?
  69. Vallë, ju e lëshoni atë prej reve, apo jemi Ne që e lëshojmë?
  70. Nëse dëshirojmë, Ne e bëjmë atë të kripur. A nuk falënderoni?!
  71. A e keni parë zjarrin, që ju e ndizni?
  72. Vallë, ju e krijuat drurin e tij, apo Ne jemi Krijues?
  73. Ne e bëmë atë si përkujtim dhe të dobishëm për ata që kanë nevojë.
  74. Atëherë, lartësoje emrin e Zoti tënd të Madh!
  75. Betohem në momentin e perëndimit të yjeve,
  76. ky është një betim i madh, sikur ta dinit,
  77. se, me të vërtetë, ai është Kurani bujar,
  78. në Librin e Ruajtur.
  79. Atë nuk e prek kush, përveç të pastërve.
  80. Ai është shpallje prej Zotit të botëve.
  81. Vallë, ndaj kësaj Fjale jeni mosbesues
  82. dhe si “falënderim” për furnizimin tuaj, ju e mohoni?
  83. Kur shpirti arrin në fyt,
  84. e ju në atë moment shikoni,
  85. Ne jemi më afër tij sesa ju, por ju nuk e shihni.
  86. Përse atëherë, nëse nuk besoni se do të gjykoheni,
  87. nuk e ktheni atë mbrapsht?
  88. E nëse ai është prej të zgjedhurve,
  89. atëherë do të ketë kënaqësi, rejhan dhe Xhenetin e mirësive.
  90. Në qoftë se është nga të djathtët (i thuhet):
  91. “Selam të qoftë ty prej të djathtëve!”
  92. E në qoftë se është prej gënjeshtarëve të humbur,
  93. mirëseardhja e tyre është “gosti” me ujë të valë
  94. dhe djegie nga zjarri i Xhehenemit.
  95. Nuk ka dyshim se kjo është e vërteta e sigurt.
  96. Lartësoje Zotin tënd të Madhëruar!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …