Shtëpia / Kur'an Shqip / 057. EL HADID

057. EL HADID

El Hadid (medinase) 29 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Allahun e lartëson me adhurim çdo gjë që është në qiej e në Tokë; Ai është i Gjithëfuqishmi, i Urti.
  2. Atij i takon pushteti në qiej e në Tokë, Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje dhe Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.
  3. Ai është i Pari dhe i Fundit, i Larti, i Afërti dhe Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
  4. Është Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën vetëm për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai di gjithçka që futet në tokë dhe gjithçka që del prej saj, çka zbret prej qiellit dhe çka ngrihet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu është vështrues i gjithçkaje që ju punoni.
  5. Vetëm Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.
  6. Ai e ndërfut natën në ditë dhe e ndërfut ditën në natë; Ai di për të fshehtat që mban kraharori.
  7. Besojini Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe jepni nga ajo që Ai jua ka lënë ta trashëgoni, sepse për ata nga ju që besojnë dhe shpenzojnë për hir të Zotit, ka shpërblim të madh.
  8. Ç’është me ju, që nuk i besoni Allahut, kur i Dërguari i Tij ju fton t’i besoni Zotit tuaj, i Cili ka marrë besën nga ju! Mbajeni fjalën, nëse jeni vërtet besimtarë!
  9. Ai i shpalli robit të Vet shenja të qarta, për t’ju nxjerrë ju prej errësirave në dritë. Nuk ka dyshim se Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me ju.
  10. Ç’ndodh me ju, që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, kur dihet se Allahut i mbesin trashëgim qiejt e Toka? Nuk janë të barabartë ndër ju ata që kanë shpenzuar nga pasuria e tyre dhe kanë luftuar para Çlirimit, sepse këta kanë vlerë më të madhe sesa ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. Por të gjithëve Allahu u ka premtuar mirësi. Allahu di për gjithçka që ju punoni.
  11. Kush është ai që i jep Allahut një hua të mirë, që Ai t’ia shumëfishojë atë dhe të ketë një shpërblim të mirë.
  12. Ditën kur i sheh besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe!”
  13. Ditën kur munafikët dhe munafiket u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe të ndriçohemi prej dritës suaj!” U thuhet: “Kthehuni pas dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi.
  14. Ata u thërrasin: “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” – “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut.
  15. Sot prej jush nuk pranohet asnjë lloj kompensimi, ashtu si as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni! Sa përfundim i keq është ai!”
  16. A nuk është koha për besimtarët, që zemrat e tyre të zbuten me këshillat e Allahut e me të vërtetën që u zbriti, dhe të mos bëhen si ata që iu dha libri më parë, të cilët, pasi kaloi një kohë e gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan e shumë prej tyre janë jashtë rrugës?!
  17. Dijeni se është Allahu Ai që e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Ne jua kemi sqaruar argumentet, që të kuptoni.
  18. S’ka dyshim se atyre që japin sadaka dhe që i japin Allahut një hua të mirë, atyre do t’u shumëfishohet ajo dhe do të marrin shpërblim të madh.
  19. Ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të sinqertët dhe dëshmorët, ata kanë te Zoti i tyre shpërblimin dhe dritën e vet, ndërsa ata që e mohojnë shenjat Tona janë banorë të Xhahimit.
  20. Dijeni se jeta e kësaj bote është veçse një lojë, kalim kohe në argëtim, stoli e krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve. Ajo i ngjan atij shiu, prej të cilit bima i habit bujqit, por pastaj ajo thahet dhe e sheh të verdhë, mandej përthyhet dhe kalbet. Ndërsa në botën tjetër ka dënim të rëndë, por edhe falje gjynahesh dhe dhurim kënaqësie nga Allahu. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, vetëm se një përjetim mashtrues.
  21. Shpejtoni që të fitoni faljen prej Zotit tuaj dhe Xhenetin, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiellit dhe e Tokës dhe që është përgatitur për ata që i besojnë Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ai është mirësia e Allahut, që ia jep kujt të dojë; Allahu është Dhurues i madh.
  22. Nuk ndodh asnjë sprovë në tokë e as në trupin tuaj, që të mos jetë në Libër para se të ndodhë. Kjo, me të vërtetë, për Allahun është e lehtë.
  23. Kështu, të mos dëshpëroheni tepër për atë që ju ka kaluar, e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai ju ka dhënë. Allahu, me të vërtetë, nuk e do asnjë arrogant, që u lavdërohet të tjerëve,
  24. që tregohet koprrac dhe po për koprraci i porosit njerëzit. E kush largohet prej dhënies, le ta dijë se Allahu është i Begatshëm e i Lavdishëm.
  25. Ne i çuam të dërguarit Tanë me shenja të qarta, ashtu si Ne u shpallëm atyre Librin dhe drejtësinë, që njerëzit t’i përmbahen së drejtës. Ne e kemi zbritur edhe hekurin, i cili është i fortë dhe i dobishëm për njerëzit, për t’u dalluar qartë para Allahut se kush e ndihmon Atë dhe të dërguarit e Tij duke i besuar të fshehtës. S’ka dyshim se Allahu është i Fuqishëm e Krenar.
  26. Nuhun dhe Ibrahimin Ne i zgjodhëm si të dërguar dhe mes pasardhësve të tyre vendosëm profetësinë dhe Librin. Prej tyre pati të udhëzuar në rrugën e drejtë, por shumë prej tyre kanë qenë të shfrenuar.
  27. Pastaj, në gjurmët e tyre, vazhduam me të dërguarit Tanë, e pas tyre dërguam Isain, të birin e Merjemes. Atij i dhamë Ungjillin, ndërsa në zemrat e ithtarëve të tij futëm butësi e mëshirë. Megjithatë, murgërinë ata e shpikën vetë. Ne nuk ua bëmë detyrim murgërinë, me të cilën edhe pse synuan të arrinin kënaqësinë e Allahut, ata nuk iu përmbajtën ashtu si duhet t’i përmbaheshin. Prandaj, atyre që besuan drejt, Ne ua dhamë shpërblimin, po shumë prej tyre janë të padrejtë.
  28. O ju që keni besuar, kini drojë Allahun dhe besoni të Dërguarin e Tij, se Allahu ju jep dyfish nga mëshira e Tij, ju dhuron dritë, që të ecni me të, dhe ju fal gjynahet. Allahu është Falës e Mëshirues.
  29. Le ta dinë ithtarët e Librit, se ata nuk kanë asgjë në dorë nga mirësia e Allahut, pasi e gjithë mirësia është në dorë të Allahut dhe Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Dhurues i madh.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …