Shtëpia / Kur'an Shqip / 052. EL TUR

052. EL TUR

Et Tur (mekase) 49 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

  1. Betohem për Tur-in
  2. dhe Librin e shkruar në rreshta,
  3. në pergamenë të shpalosur!
  4. Betohem për Shtëpinë plot vizitorë!
  5. Betohem për kupën e ngritur lart
  6. dhe për detin e mbushur plot!
  7. Vërtet, dënimi i Zotit tënd do të ndodhë!
  8. Atë, askush nuk mund ta pengojë.
  9. Atë ditë, qielli do të lëkundet fuqishëm
  10. e malet do të shkulen nga vendi e do të lëvizin.
  11. Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit,
  12. të cilët, të zhytur në gënjeshtra, argëtohen!
  13. Dita, kur me rrëmbim, do tërhiqen për në zjarrin e Xhehenemit.
  14. Ky është zjarri, që ju e mohonit!
  15. Vallë, mos është kjo ndonjë magji, apo ju nuk shihni?!
  16. Digjuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju! Ky është i vetmi “shpërblim” për atë që e merituat me veprat tuaja!
  17. Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshtet e Xhenetit dhe në begati,
  18. të kënaqur me ato që u ka dhuruar Zoti i tyre. Zoti i tyre i ruajti ata nga vuajtjet në Zjarrin flakërues.
  19. “Hani e pini duke u kënaqur, për hir të veprave që keni bërë!”
  20. Ata do të rrinë të mbështetur në shtretër të sistemuar mirë. Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.
  21. Besimtarët e vërtetë do t’i bashkojmë me ata pasardhës të tyre që i pasojnë në besim, duke mos u pakësuar asgjë nga veprat e veta. Çdokush është peng i punës së vet.
  22. Ne do t’ua shtojmë të mirat atyre: fruta e mish, si t’ua ketë ënda.
  23. Atje do t’ia kalojnë njëri-tjetrit kupat e mbushura e nuk do të ketë fjalë të kota e as gjynahe.
  24. Mes tyre do të sillen djelmoshat shërbyes, si të ishin margaritarë të fshehur.
  25. Ata do të afrohen, duke biseduar me njëri-tjetrin
  26. e duke thënë: “Ne, edhe me familjet tona druheshim.
  27. Por Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit në afshin përcëllues të Zjarrit.
  28. Ne i jemi falur dhe lutur Atij edhe më parë. Vërtet, Ai është Bamirësi e Mëshiruesi.”
  29. Atëherë, përkujto, sepse ti, me mirësinë e Zotit tënd, nuk je as fallxhor e as i çmendur!
  30. Ata thonë: “Ai është veçse një poet, prandaj po presim derisa vdekja ta zhdukë!”.
  31. Thuaju: “Prisni, se edhe unë po pres bashkë me ju!”.
  32. Vallë, mendja e tyre po ua imponon apo janë njerëz pa fre?
  33. Në fakt, ata thonë: “Ai e trilloi atë!” Jo, kurrsesi nuk është ashtu, por ata nuk besojnë.
  34. Le ta sjellin një libër si ai, nëse është e vërtetë ajo që thonë!
  35. A mos vallë, ata u krijuan prej hiçit, apo ata vetë janë krijues?
  36. Vallë, ata i krijuan qiejt e Tokën?! Jo, nuk është ashtu, por ata nuk janë aspak të bindur.
  37. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata mbizotëruesit?!
  38. A mos kanë ata shkallë të larta, mbi të cilat përgjojnë? Atëherë, le të sjellë përgjuesi i tyre ndonjë provë të sigurt!
  39. Vallë, për Atë janë vajzat, kurse për ju djemtë?!
  40. A mos po u kërkon atyre shpërblim, e ata janë të rënduar nga tagri?
  41. A mos njohin ata fshehtësitë, që të mund t’i shkruajnë?!
  42. A mos po kurdisin kurthe kundër teje? Le ta dinë atëherë, se në kurth do të bien vetëm ata që nuk besojnë.
  43. A mos kanë ata ndonjë zot tjetër, veç Allahut? I lartë është Allahu nga gjithçka që ata i shoqërojnë!
  44. Edhe sikur të shihnin ndonjë send duke rënë nga qielli, ata do të thoshin: “Është veç një grumbull resh!”
  45. Prandaj, lëri ata derisa të përjetojnë ditën kur ata të shtangin,
  46. ditën kur dredhitë e tyre nuk u bëjnë më asnjë dobi e kur nuk do të ndihmohen.
  47. Është e vërtetë se për ata që bëjnë padrejtësi, ka një dënim më të afërt se ai, por shumica e tyre nuk e dinë.
  48. Bëj durim me gjykimin e Zotit tënd, se t’i je nën mbikëqyrjen Tonë! Madhëroje me falënderim Zotin tënd, kur të ngrihesh!
  49. Edhe gjatë natës adhuroje Atë, ashtu si dhe kur yjet nuk duken më.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …