Shtëpia / Kur'an Shqip / 053. EL NEXHM

053. EL NEXHM

En Nexhm (mekase) 62 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Betohem në yllin kur perëndon,
  2. se shoku juaj nuk ka humbur dhe nuk ka devijuar!
  3. Ai nuk flet sipas qejfit,
  4. por ato janë veçse shpallje, që i vijnë atij.
  5. Atë ia mësoi ai, i fuqishmi,
  6. që ka mendje të lartë dhe që u shfaq në formën e vet reale,
  7. në pikën më të lartë të horizontit.
  8. Pastaj u lëshua dhe iu afrua atij,
  9. sa largësia mes dy harqeve apo edhe më afër
  10. dhe i shpalli robit të Tij atë që i shpalli.
  11. Zemra nuk e kundërshtoi atë që ai pa.
  12. Vallë, ju po e kundërshtoni për atë që ka parë!
  13. Në të vërtetë, ai e ka parë atë edhe një herë tjetër,
  14. tek Sidretul Munteha,
  15. pranë së cilës është Xheneti Me’ua,
  16. kur Sidrën e mbulonte çfarë e mbulonte.
  17. Shikimi i tij nuk u shmang e as nuk tejkaloi masën.
  18. Ai pa vërtet disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.
  19. A i shihni Latën dhe Uzzanë?
  20. Dhe atë të tretin e të fundin, Menatin?
  21. A mendoni se meshkujt janë tuajt, e të Atij femrat?
  22. Atëherë kjo është një ndarje e padrejtë!
  23. Ata nuk janë gjë tjetër, vetëm se emra, që ju dhe prindërit tuaj i caktuat. Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe dëshirat e veta, megjithëse prej Zotit të tyre u ka ardhur udhëzimi.
  24. A do të arrijë njeriu gjithçka që dëshiron?!
  25. Vetëm Allahut i takon bota tjetër dhe kjo botë.
  26. Sa engjëj ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën asnjë dobi, vetëm nëse Allahu i jep leje atij që Ai dëshiron dhe është i kënaqur me të.
  27. Vërtet, ata që nuk e besojnë jetën tjetër, i emërtojnë engjëjt me emra femrash.
  28. Ata nuk kanë asnjë njohuri për këtë, por ndjekin veçse hamendësime, ndonëse hamendësimi nuk mund ta zëvendësojë aspak të vërtetën.
  29. Largohu prej atyre që i kanë kthyer shpinën Kuranit dhe që synojnë veçse jetën e kësaj bote!
  30. Aq është e tërë dituria që ata kanë arritur. Zoti yt është më i dituri rreth atyre që janë larguar nga rruga e Tij dhe Ai është më i dituri rreth atyre që janë në rrugën e drejtë.
  31. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, për t’i dënuar ata që bëjnë keq sipas veprave të veta, e për t’u dhënë atyre që bëjnë mirë shpërblimin më të mirë.
  32. Për ata që largohen prej gjynaheve të mëdha dhe veprave të ndyra, përveç ndonjë gjynahu të vogël, s’ka dyshim se Zoti yt është i gjerë në falje. Ai është më i dituri rreth jush, qysh kur e filloi krijimin tuaj nga dheu dhe qysh kur ishit fetus në bark të nënës suaj. Atëherë, mos e mburrni veten, sepse Ai e di më mirë se cili është vërtet i devotshëm.
  33. A e ke vënë re atë që kthen shpinën,
  34. i cili bën pak, e pastaj e ndërpret?
  35. Mos vallë, ai ka njohuri për të fshehtën dhe e sheh atë?
  36. Vallë, a nuk ka dëgjuar ai për atë që thuhet në Fletët e Musait
  37. dhe të Ibrahimit – i cili i plotësoi të gjitha detyrimet:
  38. Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit
  39. dhe njeriu meriton vetëm atë që ka bërë vetë.
  40. Puna e tij pa dyshim që do të shihet,
  41. dhe pastaj ai do të marrë shpërblimin më të plotë;
  42. Pa dyshim, te Zoti yt do të jetë kthimi.
  43. Ai sjell buzëqeshjen dhe lotët.
  44. Ai jep vdekjen dhe jetën.
  45. Është Ai që i krijoi llojet në çift – mashkull dhe femër,
  46. nga një pikë lëngu, që hidhet.
  47. Eshtë detyrë e Tij ringjallja tjetër.
  48. Është Ai që pasuron dhe varfëron.
  49. Ai është Zoti i Yllit Polar.
  50. Është Ai që i shkatërroi adët e lashtë
  51. dhe themudët, prej të cilëve nuk mbeti asnjë.
  52. edhe popullin e Nuhut më herët. Vërtet, ata ishin edhe më zullumqarë dhe të shfrenuar.
  53. edhe mu’tefikët, të cilët i përplasi prej së larti.
  54. Ata i përfshiu ajo që i përfshiu!
  55. Atëherë, për cilën mirësi të Zotit tënd ke dyshime?
  56. Ky është një paralajmërues, si gjithë paralajmëruesit e mëparshëm.
  57. E afërta është afruar!
  58. Askush nuk mund ta largojë atë, veç Allahut!
  59. Vallë, prej këtyre fjalëve po çuditeni
  60. dhe po qeshni, e nuk po qani?!
  61. Madje, zhyteni me thellë në shkujdesje!
  62. Bini në sexhde për Allahun dhe adhurojeni Atë!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …