Marrëveshja e Akabes

sahara

Në Jethrib kishte dy fise kryesore, Evsi dhe Hazrexhi. Që të dy ishin mjaft të fuqishëm, çdoherë ishin në gjendje luftë me njëri-tjetrin dhe të dy fiset i adhuronin idhujt. Në Jethrib kishte edhe shumë hebrenj, te cilët për dallim nga arabët e asaj kohe, njihnin vetëm Një Zot dhe adhuronin vetëm Atë. Ata disa herë u kishin thënë arabëve se një ditë në mesin e tyre do të vijë një i Dërguar.

Erdhi koha e haxhit në Qabe dhe në mesin e njerëzve që ishin duke shkuar nga Jethribi, gjendeshin edhe gjashtë njerëz të fisit Hazrexh. Ata kishin dëgjuar për mësimet e të Dërguarit Muhamed dhe pandehën se ky do të jetë ai i Dërguar, për të cilin u kishin folur hebrejtë. Kështu, ata vendosën të nisen për në Mekë dhe të shfrytëzojnë rastin, që gjatë qëndrimit të tyre të bisedojnë me të.

Ata e takuan të Dërguarin (s.a.v.) në vendin e quajtur Akaba, në afërsi të Mekës, kurse ai i ftoi që të ulen me të. Ai u shpjegoi atyre kuptimin e Islamit dhe u lexoi disa pjesë nga Kurani. Kur i dëgjuan recitimet e Kuranit, zemrat e tyre u prekën aq shumë saqë ata menjëherë u bënë muslimanë dhe në të larguar nga Meka, premtuan që vitin e ardhshëm të kthehen përsëri. Kur, me Islamin në zemrat e tyre u kthyen në Jethrib, ata u thanë shokëve dhe farefisit rreth asaj që kishin dëgjuar nga i Dërguari (s.a.v.), me ç’rast shumë njerëz u bënë muslimanë.

Kaloi një vit dhe koha e haxhit përsëri u afrua. Nga Jethribi për në Mekë u nisën dymbëdhjetë njerëz të rëndësishëm, që ta takojnë të Dërguarin (s.a.v.) dhe t’i premtojnë besnikëri në shërbimin ndaj tij dhe ndaj Islamit. Në të kthyer, i Dërguari (s.a.v.) bashkë me ta dërgoi edhe Mus’ab ibn Umejrin, njërin nga miqtë e tij me qëllim që t’ua mësojë Kuranin dhe t’i këshillojë në lidhje me fenë e re.

Kaloi edhe një vit, me ç’rast numri i muslimanëve, që vinin nga Jethribi për në haxh në Mekë, u rrit edhe më shumë. Këtë herë u organizua një takim i fshehtë me të Dërguarin (s.a.v.). Nga njëra anë ishin shtatëdhjetë e tre burra dhe një grua nga Jethribi, ndërsa nga ana tjetër i Dërguari (s.a.v.) erdhi me xhaxhanë e tij Abbasin. Në këtë takim, njerëzit nga Jethribi, të Dërguarit (s.a.v.) dhe ithtarëve të tij u ofruan mbrojtje dhe përkrahje në qoftë se vendosin të shkojnë të jetojnë në Jethrib. Ky premtim për përkrahje u bë i njohur si Marrëveshja e Akabesë.

Marrëveshja ishte më se e nevojshme sepse, megjithëse Islami në Jethrib sa vinte e rritej, nga ana tjetër muslimanët e Mekës ende vuanin. Pastaj i Dërguari (s.a.v.) u tha shokëve dhe ithtarëve të vet që të shkojnë në Jethrib, ku do të ishin më të sigurt dhe këtë rast shumë prej tyre e shfrytëzuan. Pavarësisht nga këto vuajtje, i Dërguari (s.a.v.) nuk e kishte të lejuar t’i luftojë armiqtë e vet, sepse Allahu i kishte thënë që t’i falë ata që e fyejnë apo nuk e dëgjojnë porosinë e tij. Mirëpo, kurejshët kryekëput i kishin mbyllur mendjet e tyre ndaj fjalëve të Allahut xh.sh. dhe aq shumë i kishin prishur zemrat ndaj të Dërguarit (s.a.v.) dhe ithtareve të tij, saqë Allahu e lejoi të Dërguarin (s.a.v.) t’i luftojë ata që përpiqen ta dëmtojnë atë apo shokët e tij.

Në emer të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

“Atyre që po sulmohen me luftë u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi, e Allahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve) (U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë”, u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejtë. “

(El Haxh: 39-40)

Tani kurejshët filluan t’i tremben Muhamedit (s.a.v.), sepse e panë se ai tani ishte mjaft i fuqishem për të luftuar me ta dhe se për këtë kishte leje edhe nga vetë Allahu. Ata e dinin gjithashtu se tani me të ishte edhe populli i Jethribit, i cili e mbronte dhe e përkrahte atë. Duke parë se muslimanët e lëshojnë qytetin, ata vendosën që ta vrasin Muhamedin (s.a.v.) përpara se ai t’u bashkohet ithtarëve të tij në Jethrib. Në këtë mënyrë ata shpresonin se një herë e përgjithmonë do t’i japin fund Islamit.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *