Shtëpia / Jeta e Muhamedit (S.A.V.S) / Si filloi e tërë kjo ?

Si filloi e tërë kjo ?

jamalun2

Para afër katër mijë vjetësh, në qytetin Sumer Ur, në luginën e lumit Eufrat,jetonte një djalë që quhej Ibrahim. Në fillim banorët e Urit e adhuronin Zotin mirëpo me kalimin e kohës, ata e harruan fenë e tyre të vërtetë dhe filluan të adhurojnë idhujt e ndryshëm, skulpturat e bëra nga druri apo argjili e disa herë edhe gurët e çmuar.Edhe pse ishte i vogël Ibrahimi nuk mund të kuptonte se për ç’arsye populli i tij, e veçanërisht i ati, sendet te cilat i krijonin me duart e veta i quanin zota, e pastaj edhe i adhuronin. Ai çdo herë refuzonte që, së bashku me të tjerët, t’i respektojë keto skulptura. Ne vend te kesaj ai e lëshonte qytetin dhe i vetmuar mendonte mbi qiellin dhe botën rreth tij. Ai ishte i sigurt se populli i tij gabonte dhe kështu i vetmuar e kërkonte rrugën e drejtë. Një natë të kthjellët duke shikuar qiellin, ai pa një yll shkelqyes shumë të bukur, aq të bukur saqë klithi: “Ky duhet të jetë Allahu!” Për një kohe ai e shikoi yllin me admirim, derisa papritmas filloi të zbehet dhe të zhduket. Ai përsëri iu kthye dëshpërimit duke thënë:

“Unë nuk i dua ata që humbin”
(El En’am: 76)

Një natë tjetër, Ibrahimi përsëri shikonte qiellin dhe pa hënën aq të madhe e aq të ndritshme që ngrihej në qiell dhe sakaq mendoi se mund ta prekë atë.Ai tha në vetvete:

“Ky është Zoti im”
(El En’am : 77)

Pas pak kohe hëna perëndoi. Atëherë ai tha:

“Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur.”
(El En’am: 77)

Pastaj Ibrahimi pa bukurinë dhe mrekullinë e lindjes së diellit, dhe mendoi se dielli do të duhej të ishte më i madhi dhe më i fuqishmi i gjithësisë.Mirëpo, edhe këtë herë gaboi, sepse nga fundi i ditës edhe dielli perëndoi.Atëherë atij iu bë e qartë se Allahu është më i Fuqishmi Krijuesi i të gjitha yjeve, i hënës i diellit, i tokës dhe i të gjitha krijesave të gjalla. Papritmas për një çast e ndjeu veten plotësisht të qetësuar, ngase e dinte se e gjeti te Vërtetën.

“Kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çka jeni duke adhuruar?” Ata i thanë: “Adhurojmë idhuj, vazhdimisht u jemi besnikë atyre!” Ai tha:“A ju dêgjojnë ata juve kur luteni?” Ose, ” a ju sjellin juve dobi apo dëm?” Ata thanë: “Jo, por kështu i gjetëm se bënin edhe prindërit tanë!” Ai tha: “A po shihni se ç’po adhuroni? Ju dhe prindërit tuaj të mëparshëm. Në të vërtetë, ata (që adhuroni ju) janë armiq të mi, përveç Zotit të botëve (nëse përveç idhujve adhuroni edhe Atë).Zoti që më krijoi, Ai me udhëzon mua. Dhe ai më ushqen dhe më jep të pijë, dhe kur të sëmurem Ai më shëron, Ai më bën të vdes e mandej më ngjall, Ai tek i cili kam shpresë se do të m’i falë mëkatet e mia në Ditën e Gjykimit.”
(Esh-Shuara: 70-82)

Një ditë, kur të gjithë bashkëqytetarët gjendeshin jashtë qytetit Ibrahimi i zemëruar, me dorën e tij të djathtë i theu të gjithë idhujt përveç njërit prej tyre, i cili ishte shumë i madh. Kur njerëzit u kthyen, ata u zemëruan shumë.Atyre iu kujtuan fjalët që Ibrahimi u kishte thënë rreth idhujve. E sollën atë para të gjithëve dhe:

“I thanë: “A e bere ti këtë me zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo, por atë, e bëri i madhi i tyre, ju pyetini ata nëse mund tê flasin?”
(El-Enbija: 62-63)

Turma iu përgjigj:
“Po ti e ke ditur se këta nuk flasin?”
(El-Enbija: 65)

“Ai (Ibrahimi) tha: “A adhuroni atë që vetë e keni gdhendur? E Allahu ju krijoi juve dhe atë që e punoni.”
(Es-Safat: 95-96)

Ibrahimi vazhdoi:
“A po adhuroni në vend të Allahut diçka që nuk u sjell kurrfarë dobie e as dëmi?”
(El-Enbija: 66)

Në fund, Ibrahimi i paralajmëroi ata:

“Adhuroni Allahun dhe kini frikë prej Atij, se kjo, nëse e kuptoni, është shumë më mirë për ju. Ju në vend të Allahut jeni duke adhuruar vetëm idhuj që i trilloni vetë si gënjeshtarë.S’ka dyshim se ata që i adhuroni në vend të Allahut, nuk posedojnë furnizimin tuaj, pra kërkojeni furnizimin tek Allahu, adhurojeni Atë dhe shprehini falenderimin Atij, sepse tek Ai do te ktheheni.”
(El-Ankebut: 16-17)

Njerëzit e Urit vendosën që t’i japin Ibrahimit dënimin më të ashpër që mund të gjenin: ta digjnin deri në vdekje. Në ditën e caktuar, të gjithë njerëzit si edhe mbreti i qytetit Ur u grumbulluan në qendër të qytetit.Pastaj e vendosën Ibrahimin brenda një ndërtese të mbushur me dru. Pas kësaj drunjve iu vu zjarri. Së shpejti u përhap aq shumë zjarri, saqë njerzit filluan të zprapsen nga flaka. Mirëpo Allahu tha:

“O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”
(El-Enbija: 69)

Njerëzit pritën derisa përfundimisht u shua, pastaj e panë Ibrahimin, që rrinte sikur të mos kishte ndodhura asgje! Në atë çast u hutuan plotëisht. Sido që të jetë, ata nuk mund të lëviznin nga mrekullia që ndodhi para syve të tyre.Ibrahimi akoma mundohej ta bindte të atin e tij të dashur, i cili quhej Azer, që të mos i adhurojë idhujt e verbër, memecë e të pafuqishëm. Ibrahimi ia shpjegoi njohurinë e posaçme që i kishte ardhur dhe e luti të atin:

“O babi im, mua më është dhënë nga dituria çka ty nuk të është dhënë, andaj më dëgjo se unë të udhëzoj në rrugë të drejtë. O babai im, mos adhuro djallin.”
(Merjem: 44)

Mirëpo Azeri nuk dëgjonte. Ai iu kërcënua të birit se do ta qëllojë me gurë nëqoftëse akoma vazhdon t’i refuzojë zotat e Urit. Ai e urdhëroi Ibrahimin që ta braktisë qytetin duke thënë:

“… ndaj largohu prej meje për një kohë të gjatë.”
(Merjem: 46)

“Ibrahimi tha: “ Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus Zotin tim për të të falur ty, pse ai (babai) ishte i kujdesshëm ndaj meje.”
(Mejrem: 47)

Merreni me mend se sa vështirë e ka pasur ai që ta lëshojë shtëpinë e vet, familjen e vet dhe çdo gjë që kishte, dhe të arratisej drejt së panjohurës. Por nga ana tjetër, si mund të mbetej në mesin e njerëzve që nuk besonin në Allahun por adhuronin idhujt? Ibrahimi çdo herë e kishte atë ndjenjë se Allahu kujdesej për të, dhe gjatë tërë udhëtimit e ndjente Allahun pranë tij.Më në fund, pas një rruge të gjatë, arriti në një vend pranë detit Mesdhe, jo fort larg Egjiptit. Atje U martua me një grua bujare, që quhej Sara dhe u vendosën në tokën e Palestinës.Edhe pse disa vjet martesë, Ibrahimi dhe e shoqja e tij, nuk patën fëmijë. Me shpresë që të kenë fëmijë dhe në pajtim me traditën, Sara i sugjeroi Ibrahimit që të martohet me Haxheren, rrobaqepësen e saj egjiptianse. Pasi u realizua kjo, Haxherja lindi një djalë që e quajtën Ismail.

Pas një kohe, Allahu i premtoi Ibrahimit edhe një djalë tjeter, mirëpo kësaj rradhe nëna e fëmijës ishte gruaja e parë Sara. Djali i dytë u quajt Is’hak.Gjithashtu, Allahu i tha Ibrahimit se nga dy bijtë e tij – Ismaili dhe Is’haku – do të krijohen dy popuj e tri fe, dhe për këtë shkak ai do të duhej ta marrë Haxheren dhe Ismailin dhe t’i çojë larg Palestinës në një tokë të re.Këto ngjarje ishin pjesë e rëndësishme e planit të Allahut, sepse pasardhësit e Ismailit do të krijonin një popull, nga i cili do të dalë i dërguari i madh që do t’i udhëheqë njerëzit drejt rrugës së Allahut. Ky ishte Muhamedi (s.a.v.), i Dërguari i Allahut. Nga pasardhësit e Is’hakut, fëmijës së Sarës, do të vijnë Musai dhe Isai.Kështu Ibrahimi, Haxhereja dhe Ismaili e lëshuan Palestinën. Ata udhëtuan shumë ditë, derisa më në fund arritën në luginën e thatë të Bekës (më vonë të qujtur Meka), e cila gjendej në njërën nga rrugët e karvanëve të mëdhenj. Në luginë nuk kishte ujë, dhe megjithëse Haxhereja dhe Ismaili kishin vetëm pak ujë, Ibrahimi i la aty që Allahu të kujdesej për ta.

Së shpejti, i tërë uji u harxhua. Nga etja që kishte, fëmija rritej ngadalë dhe ishte i dobët. Në afërsi kishte dy kodra; njëra quhej Safa kurse tjetra Merua. Haxherja hipi në njërën prej tyre me shpresë se ndoshta do të gjejë ujë, por nuk gjeti asgjë. Pastaj shkoi në kodrën tjetër dhe bëri të njëjtën gjë. Ajo e bëri këtë shtatë herë. E pikëlluar u kthye tek i biri, dhe për çudi vërejti se në tokën rreth tij gurgullonte uji i burimit. Ky burim, rreth të cilit u vendosën nëna dhe i biri, më vonë u quajt Zemzem. Vendi rreth tij u bë vendpushim për karvanët që udhëtonin nëpër shkretëtirë, dhe me kohë u rrit në një qytet të njohur tregtar të quajtur Meka. Kohe pas kohe, Ibrahimi vinte nga Palestina që të vizitojë familjen e tij dhe të shohë se si rritej Ismaili dhe bëhej një i ri i fuqishëm. Gjatë njërës prej këtyre vizitave Allahu i urdhëroi që ta rindërtojë Qaben – vendin e parë ku njerëzit e kanë adhuruar Allahun xh.sh. Atyre saktësisht u ishte thënë se si dhe ku ta ndërtojnë atë. Ajo do të duhej të ngrihej pranë burimit të Zemzemit dhe të ndërtohej në formë kubi. Në skajin lindor të saj do të vendosej një gur i zi, që kishte rënë nga qielli. Nga kodra e afërt Ebu Kubejs gurin ua solli një melek (ëngjëll).Ibrahimi dhe Ismaili punuan shumë që ta rindërtojnë Qaben dhe tërë kohën i
luteshin Allahut që nga pasardhësit e tyre të dalë një i dërguar.

“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes) luteshin: “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di! Zoti ynë, bëna ne të dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tonë dhe falna ne, vërtetë Ti je që fal shumë, je Mëshirues! Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndyrësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je Ngadhnjyesi, i Dituri.”
(El-Bekare: 127-129)

Kur Qabeja u kompletua, Allahu e urdhëroi Ibrahimin që ta ftojë njerëzimin për haxh në Shtëpinë e Tij të Shenjtë. Ibrahimi pyetej se në ç’mênyrë të gjithë do të dëgjonin thirrjen e tij. Allahu i tha: “Ti thirri, kurse Unë do t’i sjell ata.” Kështu filloi Haxhi në Qaben e Mekës, kështu që haxhi i sotëm i muslimanëve është vazhdim i ftesës së lashtë të Ibrahimit.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …