Shtëpia / Hadithe te Buhariut / 9 – SUTRA E ATIJ QE FAL NAMAZ

9 – SUTRA E ATIJ QE FAL NAMAZ

312.  Ibn Umeri r.a. tregon: “Sa herë që i Dërguari i Allahut dilte (për të falë namazin) Ditën e Bajramit, gjithnjë urdhëronte që të ngulnin në tokë përpara tij një heshtë (si sutre për t’u falë), pastaj ai (a.s.) do të falte namazin me këtë sutre përpara, ndërsa njerëzit (të rreshtuar) pas tij. Një gjë të tillë e bënte edhe kur ishte në udhëtim. Pas Pejgamberit a.s. këtë rregull e ndoqën prijësit e drejtë muslimanë (të cilët ndoqën e vunë në jetë rregullat Islame sipas shembullit të tij a.s.).” (494)
›  313.  Ibn Xhuhejfa r.a. tregon se Pejgamberi a.s. u priu atyre në falje në vendin e quajtur Batha dhe para tij qe ngulur një heshtë. Ai na fali dy rekatë namaz të drekës dhe dy të pasdites, ndërkohë që gra dhe gomarë (dhe të tjerë) kalonin përpara heshtës së ngulur. (495)
›  314.  Sehl Ibn Saadi r.a. tregon se hapësira ndërmjet vendit ku falej Pejgamberi a.s. dhe murit (të xhamisë) ishte aq sa për të kaluar një dele. (496)
›  315.  Enesi r.a. tregon: Sa herë që Pejgamberi a.s. shkonte për të kryer nevojën, unë dhe një djalosh tjetër do t’i shkonim pas atij dhe me vete merrnim një shkop, ose një heshtë si edhe një shtambë me ujë. Pasi ai kryente nevojën, i jepnim shtambën e ujit. (500)
›  316.  Selema Ibn Akvai r.a. tregon: “Gjithnjë falesha pas një shtylle, e cila ishte afër vendit ku mbaheshin Mus’hafët (Librat e Kuranit).” (Treguesi i dytë i hadithit, Jezidi) i thotë: “O Ebu Muslim! Të shoh ty gjithnjë që kërkon të falesh pas kësaj shtylle.” I tha: “E kam parë Pejgamberin a.s. që gjithnjë shikonte për t u falur afër kësaj shtylle.” (502)
›  317.  Ibn Umeri r.a. tregon hadithin e hyrjes së Pejgamberit a.s. në Qabe, pastaj thotë: “Pyeta Bilalin kur doli (nga Qabja bashkë me Pejgamberin): “Çfarë bëri Pejgamberi a.s. (në Qabe, brenda)?” Ai më tha: “Ai u fal duke patur një shtyllë në të majtë, një shtyllë në të djathtë (pra u fal mes dy shtyllave) dhe tri shtylla prapa.” Ato kohë (mbulesa e) Shtëpisë (Qabes) qëndronte mbi gjashtë shtylla. Në një tregim tjetër (të Malikut) thuhet: “Në të djathtë të tij (Pejgamberit a.s.) qenë dy shtylla.” (505)
›  318.  Ibn Umeri r.a. tregon: “Pejgamberi a.s. ulte devenë për së gjeri përpara vetes dhe falej përpara saj (duke e pasur atë si sutre). E pyeti Nafiu Ibn Umerin: “Çfarë bënte Pejgamberi a.s. nëse deveja ngacmohej dhe lëvizte?” Ibn Umeri tha: “Ai a.s. e merrte shalën e devesë, e vendoste përpara dhe falej duke e pasur pjesën e pasme të saj si sutre.” Edhe Ibn Umeri vepronte të njëjtën gjë. (507)
›  319.  Aishja r.a. tregon: “A na bëni ne, grave, si qentë dhe gomarët? Kur unë isha shtrirë në shtrat, Pejgamberi a.s. vinte e falej përpara shtratit, mu në mes të tij. Unë e quaja si gjë jo të pëlqyeshme që unë të isha përpara tij, ndërsa ai falte namaz, kështu që rrëshqisja ngadalë e lehtë nga këmba e krevatit derisa dilja nga batania.” (508)
›  320.  Ebu Salih tregon: “E pashë Ebu Said Hudriun r.a. të falet ditën e xhuma, pas diçkaje që e ndante nga njerëzit e tjerë (që i shërbente si sutre). Një djalosh nga fisi Beni Muajt deshte t’i kalonte përpara (ndërmjet tij dhe sutres), por ai (Ebu Said) e zbrapsi atë duke e shtyrë në gjoks. Duke mos gjetur rrugë tjetër, ai përsëri u përpoq të kalojë, por këtë herë Ebu Said e shtyu edhe më fort. Djaloshi e fyu Ebu Sa’idin dhe shkoi tek Mervani duke iu ankuar atij, por Ebu Sa’idi e ndoqi djaloshin deri te Mervani, i cili e pyeti: “O Ebu Said! Çfarë ka ndodhur mes teje dhe djalit të vëllait tënd?” Ebu Said tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. të thotë: “Në qoftë se ndonjë prej jush falet pas diçkaje që e ka vënë si sutre dhe ndokush mundohet t’i kalojë përpara, atëherë ai duhet ta zbrapsë atë dhe, nëse ai nuk pranon, atëherë ai (që falet) duhet të përdorë forcë ndaj tij (për ta ndaluar), pasi ai është shejtan.” (509)
›  321.  Ebu Xhuheimi r.a. tregon: “I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Në qoftë se ai njeri, i cili i kalon përpara një personi që falet, do ta dinte sa gjynah të rëndë bën, atëherë ai do të zgjidhte më mirë të priste 40, sesa t’i kalojë atij përpara (dhe kjo do të ishte shumë më mirë për të).” Treguesi i dytë i hadithit thotë: “Nuk e kujtoj mirë nëse tha dyzet ditë, muaj a vjet.”(510)
›  322.  Aishja r.a. tregon: “Pejgamberi a.s. gjithnjë falej, ndërsa unë flija përpara tij në shtratin e tij. Kur donte të falte vitrin, atëherë ai më zgjonte edhe mua, kështu që edhe unë e falja vitrin.” (512)
›  323.  Ebu Katada r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. falej ndërsa mbante Umameten, vajzën e Zejnebit, bijës së të Dërguarit të Allahut a.s.. Babai i Umametes ishte As Ibn Rebi’. Kur ai (a.s.) binte në sexhde, e ulte atë në tokë, ndërsa, kur ngrihej, e merrte pësëri. (516)
›  324.  Hadithi i Ibn Mesudit r.a. për lutjen e Pejgamberit a.s. kundër kurejshëve ditën që ata i vunë zorrët dhe ndyrësitë nga barku i devesë së therur, kur ky po falej në Qabe (shih hadithi nr. 178)
Ibn Mesudi r.a. shton në këtë tregim të tij: “Trupat e tyre u tërhoqën zvarrë në Kalib (emër pusi), pastaj i Dërguari i Allahut a.s.tha: “Vërtet që tashmë ka rënë Mallkimi i Allahut mbi ata që u hodhën në Kalibl” (520)

Postimi i radhës

Milingona dhe Mjalti

Rrugës duke ecur milingona pa një copë mjalti. U ndal, e provoi dhe deshi të …