Shtëpia / Kur'an Shqip / 078. EL NEBE’E

078. EL NEBE’E

El Nebe’ (mekase) 40 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithmëshirëshmit Mëshiruesit!

  1. Për çfarë i bëjnë pyetje ata njëri-tjetrit?
  2. Për Lajmin e madh e tronditës,
  3. për të cilin aq shumë kundërshtohen e polemizojnë!
  4. Jo, të mos pyesin, sepse ata do ta kuptojnë!
  5. Përsëri jo, se ata do ta kuptojnë.
  6. A nuk e bëmë Ne Tokën të përshtatshme për ju,
  7. ndërsa malet shtylla?
  8. Ne ju krijuam në çifte.
  9. Gjumin tuaj jua bëmë për pushim.
  10. Natën jua bëmë mbulesë,
  11. ndërsa ditën jua bëmë për aktivitet.
  12. Ne kemi ndërtuar mbi ju një shtatëshe të fortë,
  13. dhe kemi vënë Ndriçuesin, që ngroh.
  14. Prej reve të shtrydhura kemi lëshuar shi të bollshëm,
  15. që, nëpërmjet tij, të rrisim drithëra e bimë (foragjere)
  16. edhe kopshte të dendura, palë mbi palë.
  17. S’ka dyshim se Dita e Gjykimit është caktuar.
  18. Ajo është dita kur do t’i fryhet Surit, ndërsa ju do të vini grupe-grupe.
  19. Qielli do të hapet e do të bëhet dyer-dyer.
  20. Malet do të shkulen e do të bëhen pluhur.
  21. Me të vërtetë, Xhehenemi është në pritë.
  22. Ai është vendstrehim i arrogantëve,
  23. të cilët do të mbesin atje pafundësisht.
  24. Atje nuk do të shijojnë as freski, as ndonjë pije,
  25. përveçse ujë të valë e kalbësira,
  26. si ndëshkim i merituar.
  27. Ata nuk besojnë se do të japin llogari
  28. dhe argumentet Tona i mohojnë me këmbëngulje.
  29. Ne kemi shkruar çdo gjë me përpikmëri.
  30. Tani vuani, se Ne do t’ju shtojmë vetëm se vuajtje.
  31. S’ka dyshim se të devotshmit do të kenë shpërblime të mëdha,
  32. kopshte e vreshta rrushi,
  33. edhe vasha të një moshe,
  34. edhe gota të mbushura plot verë.
  35. Aty nuk do të dëgjojnë fjalë të kota e as gënjeshtra.
  36. Shumë shpërblime e dhurata të dhëna nga Zoti.
  37. Zoti i qiejve e i tokës dhe ç’ka ndërmjet tyre, që është i Gjithëmëshirshmi, të Cilit askush nuk ka të drejtë t’i bëjë vërejtje.
  38. Atë ditë, Xhibrili dhe engjëjt do të qëndrojnë të rreshtuar; askush nuk mund të flasë, veç atij që e lejon i Gjithëmëshirshmi dhe që thotë të vërtetën.
  39. Ajo është ditë e vërtetë, prandaj kush dëshiron, le t’i kthehet rrugës për te Zoti i vet.
  40. Ne i kemi paralajmëruar ata për një dënim të afërt, ditën kur njeriu do të shikojë se çfarë i kanë sjellë duart e veta, ndërsa jobesimtari do thotë: “Ah, sikur të isha dhé!”

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …