Shtëpia / Kur'an Shqip / 077. MURSELAT

077. MURSELAT

El Murselat (mekase) 50 ajete

Me emrin e Allahut,

të Mëshirshmit, Mëshiruesit!

  1. Për ata që dërgohen njëri pas tjetrit me mirësi,
  2. ata që janë të shpejtë si furtunë!
  3. Për shpërndarësit, që shpërndajnë!
  4. Për ata që ndajnë saktë!
  5. Për ata që sjellin shpallje hyjnore,
  6. si dëshmi ose si paralajmërim!
  7. S’ka dyshim se ajo që u është premtuar ka për të ndodhur patjetër,
  8. atëherë kur yjet të shuhen,
  9. kur qielli të çahet,
  10. kur malet të shpërbëhen,
  11. e kur të dërguarve u është caktuar koha për të dëshmuar.
  12. E në ç’ditë u është caktuar atyre koha?
  13. Ditën e Gjykimit!
  14. E ku e di ti se ç’është Dita e Gjykimit?
  15. Ajo ditë është shkatërrim për ata që kanë mohuar.
  16. A nuk i shkatërruam Ne popujt më të hershëm,
  17. dhe pastaj të tjerët që i shoqëruan?
  18. Kështu bëjmë Ne me zullumqarët.
  19. Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit.
  20. A nuk ju krijojmë nga një lëng i dobët,
  21. që e vendosim në një vend të sigurt,
  22. deri në një afat të caktuar?!
  23. Ne e bëjmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi!
  24. Ajo ditë është shkatërrim për ata që nuk e njohin fuqinë Tonë!
  25. A nuk e bëmë Ne tokën që të mbajë në gjirin e vet
  26. të gjallë dhe të vdekur?!
  27. A nuk kemi vënë në të male të forta e të larta?! A nuk ju kemi dhënë ujin, që jua shuan etjen?!
  28. Ajo ditë është mjerim për ata që mohojnë!
  29. Shkoni tek ai vend, që ju e konsideruat të gënjeshtërt!
  30. Shkoni tek ajo hije, që ka tri degëzime,
  31. që nuk bën as fresk e as nuk mbron prej flakëve.
  32. Ai hedh shkëndija të mëdha, sa një kështjellë,
  33. që duken sikur të ishin deve të verdha!
  34. Ajo ditë është shkatërrim për mohuesit!
  35. Kjo është ditë kur ata nuk flasin,
  36. kur nuk u lejohet as që të justifikohen!
  37. Mjerë mohuesit atë ditë!
  38. Kjo është Dita e Gjykimit, që do ju mbledhë ju dhe ata të mëparshmit.
  39. Nëse keni ndonjë dredhi, atëherë ejani e bëjeni!
  40. Ajo ditë është shkatërrim për ata që nuk besojnë!
  41. Nuk ka dyshim se të devotshmit do të jenë nën hije, pranë burimeve,
  42. me larmi frutash, si t’i dëshirojnë.
  43. Hani e pini duke shijuar e me ëndje, për veprat që keni bërë!
  44. Kështu i shpërblejmë Ne mirëbërësit!
  45. Ajo ditë është mjerim për mohuesit.
  46. Hani e kënaquni për pak kohë, sepse ju jeni vërtet kundërshtues!
  47. Ajo ditë është mjerim për mohuesit e të mirave të Zotit,
  48. ata që, kur u thuhej: “Përkuluni në namaz!”, ata nuk përkuleshin.
  49. Ajo ditë është mjerim për mohuesit.
  50. Çfarë fjale besojnë ata, pas kësaj?!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …