Shtëpia / Kur'an Shqip / 063. MUNAFIKUN

063. MUNAFIKUN

El Munafikun (medinase) 11 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Kur vijnë tek ti munafikët, thonë: “Dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Allahu dëshmon se munafikët janë gënjeshtarë!
  2. Ata përdorin si mburojë betimet e tyre dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Sa e ligë është kjo sjellje e tyre!
  3. Ata besojnë e pastaj mohojnë, prandaj zemrat e tyre janë vulosur dhe ata nuk kuptojnë.
  4. Kur i sheh ata në fizionomi, të mahnisin, e kur flasin, iu dëgjohet fjala! Po ata janë si trungje bosh e të mbështetur. Çdo thirrje e mendojnë sikur është kundër tyre. Ata janë armiq, prandaj ruaju prej tyre! Allahu i vraftë, si shmangen nga e vërteta!
  5. Kur u thuhet: “Ejani tek i Dërguari i Allahut, se ai do të kërkojë falje për ju”, ata tundin kokën dhe i sheh tek të kthejnë shpinën me fodullëk.
  6. Njësoj është: kërkon apo nuk kërkon falje për ta, sepse Allahu nuk ka për t’i falur kurrsesi! Nuk ka dyshim se Allahu nuk i udhëzon zullumqarët.
  7. Ata thonë: “Mos u jepni asgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, derisa ata ta braktisin!” Por vetëm Allahut i përkasin pasuritë e qiejve e të Tokës, ndonëse munafikët nuk e kuptojnë.
  8. Ata thonë: “Kur të kthehemi në Medinë, pa dyshim, krenarët do t’i dëbojnë prej saj të përçmuarit!” Në fakt, e tërë krenaria i takon Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por munafikët nuk e dinë këtë.
  9. O ju që keni besuar, as pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej përkujtimit të Allahut! Ata që veprojnë ashtu, ata janë të humbur!
  10. Shpenzoni nga ajo që Ne ju kemi dhënë, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja e të thotë: “O Zoti im, përse nuk ma shtyve edhe pak afatin, që të jepja sadaka e të bëhesha prej të mirëve!”
  11. Por Allahu asnjërit nuk ia shtyn afatin, kur ai i vjen. Allahu është i Gjithëdijshëm për ato që ju punoni.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …