Shtëpia / Kur'an Shqip / 050. KAF

050. KAF

Surja 50:  Kaf (mekase) 45 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Kaf. Betohem në Kuranin e lavdishëm!
  2. Po! Ata u çuditën që nga gjiri i tyre u erdhi një profet. Jobesimtarët thonë: “Kjo është vërtet shumë e çuditshme!
  3. Po pasi të vdesim e të bëhemi dhé?! Ai kthim është larg!”
  4. Ne dimë se ç’ha toka prej tyre. Te Ne është libri që ruan çdo gjë.
  5. Ata e mohojnë të vërtetën, kur ajo u vjen, dhe janë vazhdimisht të luhatur.
  6. A nuk e vështrojnë qiellin sipër tyre, se si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa lejuar në të asnjë të çarë?!
  7. Edhe Tokën e kemi shtrirë dhe kemi vendosur në të male përforcuese. Ne e kemi bërë që në të të mbijnë larmi bimësh të bukura.
  8. Këto janë dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për çdo adhurues që kthehet i penduar e i bindur.
  9. Ne e lëshojmë nga qielli shiun e bekuar dhe me të bëjmë të mundur që të mbijnë e lulëzojnë kopshte, të korra
  10. dhe palma të larta hurmash, me vile frutash të stivosura njëra mbi tjetrën,
  11. si ushqim për njerëzit. Ne e ngjallim me të tokën e vdekur, ashtu si do të jetë edhe ringjallja juaj.
  12. Para tyre mohuan populli i Nuhut, banorët e Ressit, populli i Themudit,
  13. Adi, Faraoni, vëllezërit e Lutit,
  14. banorët e Ejkes dhe populli i Tubbeit. Të gjithë mohuan profetët, prandaj meritojnë ndëshkimin Tim.
  15. Vallë, a mos u lodhëm Ne me krijimin e parë?! Jo, por ata kanë pasiguri për rikrijimin e ri.
  16. Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet.
  17. Dy engjëj qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë.
  18. Ai nuk thotë ndonjë fjalë pa patur pranë një regjistrues të gatshëm.
  19. Kur të vijë agonia e vdekjes me të vërtetën: Kjo është ajo së cilës i largoheshe!
  20. Po kur t’i fryhet Surit! Ajo është Dita e Kërcënimit!
  21. Çdo njeri do të vijë bashkë me përcjellësin dhe dëshmitarin vet.
  22. Ti ke qenë i papërgatitur për këtë, por Ne tani ta heqim perden dhe shikimi yt sot është shumë i qartë.
  23. Shoqëruesi i tij do të thotë: “Ky në dorën time është gati!”
  24. “Hidheni në Xhehenem çdo mohues kryeneç,
  25. që ka qenë pengues i mirësisë, i padrejtë e dyshues!
  26. Atë që, krahas Allahut, adhuronte zota të tjerë, hidheni në ndëshkimin më të rëndë!”.
  27. Ndërsa shoku i tij do të thotë: “Zoti ynë, atë nuk e devijova unë prej rrugës së drejtë, por ai ishte vetë në humbje të largët”.
  28. Ai do thotë: “Mos u grindni para Meje, se Unë ju kam paralajmëruar me kohë.
  29. Vendimi Im nuk ndryshon tashmë! Unë nuk jam i padrejtë me robërit.”
  30. Atë ditë, Ne do t’i themi Xhehenemit: “A u mbushe?” Ndërsa ai do të thotë: “A ka edhe më?”
  31. Ndërsa besimtarëve të devotshëm u afrohet Xheneti.
  32. Ky është premtimi për secilin që është penduar e që ka ruajtur besën e dhënë,
  33. që i është druajtur të Gjithëmëshirshmit edhe atëherë kur nuk e shihte kush, dhe që është kthyer me zemër tek Allahu.
  34. Hyni në paqe dhe të sigurt, se kjo është dita e përjetësisë.
  35. Atje kanë çfarë të dëshirojnë, por prej Nesh ka edhe më tepër.
  36. Sa e sa breza kemi shkatërruar para tyre, të cilët ishin shumë më të fortë e më të pushtetshëm se këta! Ata u përhapën nëpër tokë, por a gjetën shpëtim?!
  37. Të gjitha këto janë fakte për cilindo që ka zemër, që dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.
  38. Ne krijuam qiejt e Tokën dhe gjithçka që gjendet ndërmjet tyre brenda gjashtë ditësh, pa ndier aspak lodhje.
  39. Por t’i ji i durueshëm ndaj fjalëve të tyre dhe madhëroje Zotin tënd në agim dhe në muzg!
  40. Edhe në një pjesë të natës madhëroje Atë, ashtu si edhe pas namazeve!
  41. Dëgjo thirrësin, kur ai të thërrasë nga ndonjë vend i afërt!
  42. Dita kur të dëgjohet thirrja për të vërtetën, është dita e daljes.
  43. Sigurisht, Ne e japim jetën dhe vdekjen dhe vetëm tek Ne është kthimi.
  44. Ditën kur toka të çahet e ata të nguten për të dalë, tubimi do të jetë i lehtë për Ne.
  45. Ne e dimë shumë mirë se çfarë thonë ata, ndërsa t’i nuk mund t’i detyrosh dot. Ti përkujto me këtë Kuran atë që i druhet kërcënimit Tim!

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …