Shtëpia / Kur'an Shqip / 043. EZ-ZUHRUF

043. EZ-ZUHRUF

Ez Zuhruf (mekase) 89 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

 

  1. Ha, Mim.
  2. Betohem në Librin e qartë!
  3. Me të vërtetë, Ne e shpallëm Kuranin në arabisht, që të jetë i kuptueshëm për ju.
  4. Nuk ka dyshim se, në Pllakën e Ruajtur (Levhi Mahfudh) te Ne, ai është i lartë dhe plot urtësi.
  5. Vallë, a do ta lëmë Ne përkujtimin tuaj e t’ju braktisim, për shkak se jeni popull i shfrenuar?!
  6. Sa e sa profetë kemi dërguar në popujt e mëparshëm?!
  7. Por sa herë që u vinte një profet, ata talleshin me të.
  8. Ne kemi shkatërruar popuj edhe më të fuqishëm se këta, të cilëve jua kemi treguar shembullin e popujve të shkuar.
  9. Nëse ti i pyet ata: “Kush i krijoi qiejt e Tokën?” Me siguri do të thonë: “Ato i krijoi i Gjithëfuqishmi e i Dijshmi!”
  10. Është Ai i Cili e bëri Tokën si shtrat për ju dhe ju mundësoi të keni rrugë e të orientoheni në të.
  11. Është Ai i Cili lëshon nga qielli shi me masë, me të cilin i japim jetë tokës së shkretuar. Ja, kështu do të ringjalleni edhe ju!
  12. Është Ai i Cili ka krijuar gjithçka në çift dhe që ju ka mundësuar anije dhe kafshë, që të udhëtoni me to.
  13. Kur të uleni mbi to, përkujtojeni këtë të mirë që ju ka dhënë Zoti juaj dhe, pasi të qëndroni mbi to, thoni: “I Lavdëruar qoftë Ai, që i nënshtroi këto për ne, sepse përndryshe, vetë ne nuk do të kishim mundësi ta bënim!
  14. Ne, me siguri, te Zoti ynë do të kthehemi!”
  15. Ata i konsiderojnë disa krijesa të Tij si pjesë e Tij. Me të vërtetë, njeriu është mohues i hapur.
  16. Mos vallë, nga ato që krijoi, Ai zgjodhi për vete vajza, kurse juve ju fali djem?!
  17. Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet për lindjen e saj (vajzës), të cilën e pretendon për të Gjithëmëshirshmin, fytyra i nxihet dhe fryma i zihet.
  18. Vallë, a është ajo që rritet me stoli e që ka argumentim të dobët?
  19. Edhe engjëjt, të cilët janë adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit, ata i konsiderojnë femra. A ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre?! Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.
  20. Ata thonë gjithashtu: “Sikur të kishte dashur Allahu, ne nuk do t’i adhuronim ata!” Por ata nuk kanë ndonjë provë për këtë. Ata, faktikisht, vetëm gënjejnë.
  21. A mos u kemi dhënë ndonjë libër para këtij, të cilit ata i përmbahen?
  22. Jo, por ata thonë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”.
  23. Në fakt, Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje”.
  24. Ai u thoshte: “Vallë, edhe pse ju kam sjellë një udhëzim më të mirë nga ai që ju keni gjetur tek të parët tuaj?” Ata thoshin: “Ne e mohojmë atë gjë për të cilën ju jeni dërguar!”
  25. Atëherë, Ne i goditëm me ndëshkime. Shih tani se si qe përfundimi i mohuesve!
  26. Kur Ibrahimi i tha babait të vet dhe popullit të tij: “Unë i urrej dhe u qëndroj larg atyre që ju adhuroni,
  27. përveç Atij që më krijoi, i Cili është Ai që më ka udhëzuar në rrugën e drejtë!”
  28. Ai e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij, me qëllim që ata gjithmonë të kthehen.
  29. Unë i lashë këta dhe etërit e tyre të kënaqen, derisa u erdhi e vërteta dhe i Dërguari me fakte.
  30. Po, kur u erdhi e vërteta, ata thanë: “Kjo është magji, prandaj nuk i besojmë asaj!”
  31. Pastaj thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kuran një njeriu që gëzon reputacion në dy qytete?!”
  32. A thua se janë ata që e përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd? Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri-tjetrit. Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.
  33. E sikur të mos ishte për njerëzit, që priren drejt një besimi, Ne atyre që nuk e besojnë Mëshiruesin do t’ua bënim prej argjendi tavanet e shtëpive edhe shkallët mbi të cilat ata ngjiten,
  34. madje edhe dyert e shtëpive apo kolltukët mbi të cilët mbështeten,
  35. e shumë stoli të tjera. Por të jeni të sigurt se të gjitha këto nuk janë gjë tjetër, veçse kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse bota e ardhshme te Zoti yt është për të devotshmit.
  36. Kush i kthen shpinën Përkujtimit të Zotit, Ne i shoqërojmë nga një shejtan, i cili nuk i ndahet kurrë.
  37. Ai (shejtani) e devijon nga rruga e drejtë, ndërkohë që ai (jobesimtari) mendon se është i udhëzuar mirë.
  38. E kur të vijë ai (jobesimtari) para Nesh, do të thotë: “Oh, mjerë për mua! Ah, sikur mes meje dhe teje (o shejtan) të kishte një largësi sa lindja prej perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!”
  39. Ju bënit zullume (do t’u thuhet), prandaj sot nuk do t’ju lehtësojë aspak fakti se nuk jeni të vetmit që po ndëshkoheni!
  40. Vallë, ti do ta bësh të shurdhërin të dëgjojë, ti do ta drejtosh të verbërin dhe atë që ka humbur keq?
  41. Edhe sikur të të tërheqim ty, Ne patjetër që do të hakmerremi ndaj tyre.
  42. Ne mund edhe të bëjmë që ti ta shohësh të realizuar premtimin që u kemi dhënë atyre. Pa dyshim, Ne jemi të Plotfuqishëm mbi ta.
  43. Atëherë, ti përmbaju fort Shpalljes që po të jepet! S’ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë.
  44. Me të vërtetë, ajo është lëvdatë e madhe për ty dhe për popullin tënd, dhe për këtë do të përgjigjeni.
  45. Pyeti ata që i dërguam para teje: a kemi lejuar që, në vend të Allahut, të adhurohen zota të tjerë?
  46. Ne e dërguam Musain me shenjat Tona te Faraoni dhe rrethi i tij, dhe ai u tha: “Unë jam i dërguari i Zotit të gjithësisë!”
  47. Por kur ai u shpalosi shenjat Tona, ata u tallën dhe qeshën me to.
  48. Ne nuk u treguam asnjë mrekulli, që të mos ishte më e madhe se paraardhësja e saj. Ndaj tyre zbritëm edhe ndëshkime, që të tërhiqeshin nga ajo rrugë e tyre.
  49. Por ata thanë: “O magjistar! Lute për ne Zotin tënd, sipas besës që ta ka dhënë, se ne po besojmë!”
  50. E kur Ne ua hoqëm ndëshkimet, ata përsëri e thyen besën.
  51. Ndërkohë, Faraoni thirri popullin e vet e u tha: “O populli im! A nuk janë nën pushtetin tim Egjipti dhe këta lumenj, që rrjedhin nën pallatin tim?! A e shikoni?
  52. Atëherë, cili është më i mirë? A nuk jam unë, apo është ai qyqar, që mezi flet?!
  53. Përse nuk i janë dhënë atij bylyzykë floriri? Përse nuk kanë ardhur engjëj bashkë me të, si shoqërues?”
  54. Ai e frikësoi popullin e vet, kurse ata e dëgjuan. Ata ishin vërtet një popull i shkatërruar.
  55. Kur ata shkaktuan zemërimin Tonë, Ne u hakmorëm ndaj tyre, duke i përmbytur të gjithë.
  56. Kështu, Ne i bëmë ata shembull e mësim për të tjerët.
  57. Kur popullit tënd iu përmend si shembull Biri i Merjemes, ata u entuziazmuan
  58. dhe thanë: “A janë më të mirë zotat tanë apo ai?!” Ata e thanë këtë veçse për polemikë, sepse ata janë vërtet njerëz ngatërrestarë.
  59. Ai ka qenë veçse një adhurues, të cilit i dhuruam mirësi dhe e bëmë shembull të jashtëzakonshëm për bijtë e Israilit.
  60. Po të donim, Ne mund të bënim engjëj në vendin tuaj, që t’ju zëvendësonin në tokë.
  61. Pa dyshim, ai qe parashenjë e Momentit, prandaj kurrsesi mos dyshoni në të, por pasoni rrugën time, sepse kjo është rruga e drejtë!
  62. Të mos ju pengojë Shejtani, se ai është armiku juaj i hapur!
  63. Kur erdhi Isai me shenja të qarta, tha: “Erdha te ju me urtësinë dhe që t’ju sqaroj një pjesë të çështjeve, për të cilat keni mospajtime. Kini frikë Allahun dhe bindmuni mua!
  64. S’ka dyshim që Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, prandaj vetëm Atë adhurojeni! Kjo është rruga e drejtë!”
  65. Por grupacionet u përçanë mes tyre. Mjerë zullumqarët për dënimin e Ditës së Dhembshme!
  66. A mos presin gjë tjetër ata, përveçse t’u vijë Ora befas dhe pa e kuptuar?!
  67. Atë ditë, edhe miqtë e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve.
  68. (Allahu do tu thotë): “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka pse të frikësoheni e as pse të brengoseni!
  69. Ju të cilët besuat shpalljet Tona dhe u treguat të dorëzuar!
  70. Hyni në Xhenet duke u gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja!
  71. Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta. Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen. Aty do të jeni përgjithmonë.
  72. Ky është Xheneti, të cilin e fituat prej veprave që keni bërë.
  73. Aty keni plot fruta, nga të cilat do të hani!”
  74. Ndërkaq, kriminelët do të vuajnë ndëshkimin e përjetshëm në Xhehenem.
  75. Për ta nuk do të ketë asnjë lehtësim. Të dëshpëruar do të jenë gjithmonë!
  76. Ne nuk u bëjmë padrejtësi atyre, sepse ata kanë bërë krime.
  77. Ata do të thërrasin: “O Malik! Le të na e marrë shpirtin Zoti yt!”. Ai u thotë: “Aty do të jeni përgjithmonë!
  78. Ne jua sollëm të vërtetën, por shumica juaj treguan urrejtje ndaj saj!”
  79. A mos po ngrejnë ndonjë kurth ata?! Por edhe Ne ngrejmë kurthe!
  80. A mendojnë ata se Ne nuk ua dëgjojmë të fshehtat dhe bisedat sekrete mes tyre? Po, i dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë, që janë pranë tyre, i mbajnë shënim ato.
  81. Thuaj: “Sikur Mëshiruesi të kishte fëmijë, unë do të isha i pari adhurues i tij!”
  82. I Lartësuar dhe larg të metave është Zoti i qiejve e i Tokës, Zoti i Fronit, nga ajo që ata e përshkruajnë.
  83. Po lëri ata të zhyten më thellë dhe të argëtohen, derisa të arrijnë ditën që u është përcaktuar.
  84. Ai është i vetmi Zot (që meriton adurimin) në qiell dhe i vetmi Zot (që meriton adurimin) në Tokë. Ai është i Urti e i Dijshmi.
  85. I Lartësuar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i Tokës dhe i çfarë gjendet ndërmjet tyre! Vetëm Ai e di çastin e Kijametit dhe tek Ai do të ktheheni.
  86. Çfarë adhurohet në vend të Allahut nuk mund të ndërmjetësojë, përveç atyre që dëshmojnë të vërtetën dhe kanë dituri.
  87. Nëse ti i pyet se kush i krijoi, ata, me siguri, do të thonë: “Allahu!” Përse, atëherë, i kthejnë shpinën Atij?
  88. Ai thotë: “O Zoti im! Vërtet, këta janë njerëz që nuk besojnë!”
  89. Distancohu prej tyre dhe thuaju: “Selam!” Ata do ta kuptojnë më vonë.

 

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …