Shtëpia / Kur'an Shqip / 042. EL SHURA

042. EL SHURA

Esh Shûrâ 42 (mekase) 53 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

 

  1. Ha, Mim.
  2. Ajn, Sin, Kaf.
  3. Kështu të shpall ty, – ashtu si atyre që ishin para teje, – Allahu, Krenari, i Urti.
  4. Vetëm e Tij është ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë; Ai është i Larti, Madhështori!
  5. Qiejt e lartë mbi ta, gati pëlcasin. Ndërkaq, engjëjt vazhdimisht bëjnë tesbih, duke e falënderuar Zotin e tyre, si edhe kërkojnë falje të gjynaheve për ata që janë në tokë. Ta dini se Allahu është Falësi e Mëshiruesi!
  6. Për ata që veç Tij adhurojnë zota të tjerë, Allahu është mbikëqyrës i tyre. Ti nuk je përgjegjës për ta.
  7. Ne ta shpallëm ty këtë Kuran në arabisht, që ta këshillosh Kryeqendrën dhe ato përreth saj, dhe t’u tërheqësh vërejtjen për Ditën e Tubimit, për të cilën nuk ka dyshim, kur një grup do të jetë për në Xhenet dhe një grup për në Zjarr.
  8. Po të dëshironte, Allahu do t’i bënte ata një bashkësi të vetme, por Ai fut në mëshirën e Vet atë që do. Ndërsa jobesimtarët nuk kanë as miq dhe as ndihmës.
  9. Mos vallë, ata zgjedhin mbrojtës të tjerë veç Atij, kur vetëm Allahu është Mbrojtësi, kur është Ai që ngjall të vdekurit dhe Fuqiploti për gjithçka!
  10. Për çdo çështje që nuk pajtoheni, gjykimin për të e gjeni tek Allahu. “Ai është Allahu, Zoti im! Vetëm tek Ai mbështetem dhe vetëm Atij i drejtohem!”
  11. Ai është Krijuesi i qiejve e i Tokës. Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte; edhe nga kafshët krijoi çifte, që t’ju shumojë. Nuk ka të ngjashëm me Të; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.
  12. Të Tij janë çelësat e qiejve e të tokës. Ai ia liron rizkun atij që Ai do, dhe po Ai ia shtrëngon. Ai është i Dijshëm për gjithçka.
  13. Ai ka caktuar për ju si fe atë me të cilën porositi Nuhun, atë që ta shpalli ty, si dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (porosia ishte) Praktikoni fenë e drejtë dhe mos u përçani në të! Për idhujtarët është rëndë kjo ku ju i ftoni. Allahu përzgjedh për të atë që Ai do dhe e udhëzon në të atë që i kthehet Atij.
  14. Po ata u përçanë mes njëri-tjetrit veçse pasi u erdhi e vërteta, për shkak të zilisë mes tyre. Sikur të mos ishte vendimi i hershëm i Zotit tënd për t’i lënë deri në një afat të caktuar, çështja e tyre do kish përfunduar. Nuk ka dyshim se ata që e kanë trashëguar deri tani Librin kanë dyshime të thella për të.
  15. E pikërisht për këtë, ti fto të tjerët, ji i qëndrueshëm, ashtu si të është urdhëruar, dhe kurrë mos shko pas dëshirave të tyre. Thuaju: “Unë u besoj librave që Allahu ka shpallur dhe jam urdhëruar që të mbaj drejtësi mes jush! Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj! Ne kemi përgjegjësi për veprat tona e ju për veprat tuaja! Nuk ka polemika mes nesh e jush! Allahu do të na mbledhë të gjithëve dhe vetëm tek Ai është përfundimi!”
  16. Ata që kundërshtojnë fenë e Allahut, pasi ajo është pranuar, sjellin argumente që janë të pavlefshme te Zoti i tyre. Mbi ta do të bjerë zemërimi i Tij dhe do të kenë një dënim të rëndë.
  17. Allahu është Ai që e zbriti Librin me të vërtetën e sigurt dhe me drejtësinë. Ti nuk mund ta dish: ndoshta çasti i Shkatërrimit është afër!
  18. Ata që nuk i besojnë atij, kërkojnë që ai të vijë sa më shpejt, ndërsa ata që i besojnë, i druhen atij momenti, pasi e dinë se ai është e vërtetë. Ta dini se ata që bëjnë polemika, duke vënë në dyshim çastin e Katastrofës së Përgjithshme, janë në një humbje të thellë.
  19. Allahu është Bamirës me robërit e Vet. Ai begaton atë që Ai do. Ai është i Gjithëfuqishmi e Ngadhënjyesi.
  20. Atij që dëshiron fitimin në botën tjetër, Ne do t’ia shtojmë atë fitim, ndërsa atij që dëshiron vetëm fitimin e kësaj bote, Ne kemi për t’i dhënë prej tij, por në botën tjetër ai nuk ka më pjesë.
  21. Ata kanë miq, të cilët u përcaktojnë atyre një fe, të cilën nuk e ka vendosur Allahu. Sikur të mos ishte vendimi final, mbi ta do të kryhej dënimi. Por, pa dyshim, mohuesit do të kenë dënim të dhembshëm.
  22. Ke për t’i parë jobesimtarët të tmerruar nga veprat e veta, por, sidoqoftë, ai do t’i godasë ata. Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e Xheneteve. Ata do të kenë gjithçka që dëshirojnë tek Zoti i tyre, dhe kjo është mirësia e madhe.
  23. Kjo është ajo me të cilën Allahu i përgëzon adhuruesit e Tij, të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Thuaju: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time, përveç dashurisë për hir të afrimitetit.”. Kush bën ndonjë të mirë, Ne e shtojmë mirësinë e saj. Vërtet, Allahu është Falës e Mirënjohës.
  24. A mos thonë ata se ai trillon gënjeshtra ndaj Allahut?! Po të dojë Allahu, Ai ta vulos zemrën tënde. Allahu e zhduk të pavërtetën dhe, me urdhrat e Tij, e forcon të vërtetën. Ai e di shumë mirë çfarë përmbajnë zemrat.
  25. Është Ai që pranon pendimin e adhuruesve të Tij, që i fshin gjynahet dhe që e di se çfarë punoni.
  26. Atij i përgjigjen ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, të cilëve Ai ua shton të mirat nga mirësia e Vet. Ndërsa jobesimtarët do të dënohen ashpër.
  27. Sikur Allahu t’ua shtonte tej mase begatinë robërve të Vet, ata do t’i kalonin kufijtë, por Ai i furnizon me masën që dëshiron. Pa dyshim, Ai di dhe sheh gjithçka te robërit e Tij.
  28. Është Ai që, pasi ata i kanë humbur shpresat, u lëshon shiun dhe shpërndan mëshirën e Vet. Ai është Mbikëqyrësi dhe i Lavdëruari.
  29. Nga shenjat e Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës, bashkë me gjallesat e shpërndara në to. Me fuqinë e Tij, Ai mund t’i grumbullojë ato kur të dëshirojë.
  30. Çfarëdo e keqe që ju godet, është pasojë e veprave tuaja, ndërkohë që për shumë të tjera, Ai ju fal.
  31. Ju nuk mund t’i shpëtoni dënimit në tokë dhe, përveç Allahut, nuk mund të gjeni ndihmës a mbrojtës tjetër.
  32. Ndër shenjat e Tij janë anijet, të cilat lundrojnë në det dhe ngjajnë me malet.
  33. Po të dojë Ai, e ndal erën, dhe ato ngelin të palëvizshme mbi sipërfaqen e ujit. S’ka dyshim se këto fakte vlejnë për çdo durimtar e mirënjohës.
  34. Ai edhe mund t’i mbysë ata, për shkak të veprave që bëjnë, por për shumë të tjera Ai i fal.
  35. Ata që i kontestojnë argumentet Tona, le ta dinë se nuk kanë shpëtim.
  36. Gjërat që tashmë ju janë dhënë janë bukuritë e kësaj bote, ndërsa ato që janë tek Allahu janë shumë herë më të mira dhe të përjetshme, por ato janë për ata që besojnë dhe që vetëm Zotit të tyre i mbështeten.
  37. Ata iu ruhen gjynaheve të mëdha e veprave të pista dhe, kur zemërohen, ata falin.
  38. Ata i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht. Ata konsultohen me njëri-tjetrin për çështje të përbashkëta, ashtu siç e ndajnë me të tjerët atë që u japim Ne.
  39. Por kur u bëhet padrejtësi, ata kundërveprojnë.
  40. Ndëshkimi i të keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, por kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët.
  41. Për ata që hakmerren për padrejtësinë që iu është bërë nuk ka ndonjë masë.
  42. Masat janë vetëm për ata që u bëjnë njerëzve padrejtësi dhe për ata që bëjnë çrregullime në tokë pa të drejtë. Për të tillët është përgatitur një dënim i dhembshëm.
  43. Por kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ai është virtyti më i lartë.
  44. Atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë ndihmës tjetër veç Tij. Do t’i shohësh zullumqarët që, kur ta vërejnë dënimin, do të thonë: “A ka ndonjë rrugë për rikthim?”
  45. Do t’i shohësh ata duke iu afruar atij të përulur nga nënshtrimi, se si e shikojnë tinëz me bisht të syrit. Besimtarët do të thonë: “Vërtet, të humbur në Ditën e Kijametit janë ata që e humbën veten dhe familjen e tyre!” Ta dini, pra, se të padrejtët do të jenë në dënim të përjetshëm.
  46. Ata nuk do të kenë ndihmës që t’i mbështesë, përveç Allahut. Për atë që Allahu e çon në humbje, nuk ka asnjë shpëtim tjetër.
  47. Përgjigjjuni thirrjes së Zotit tuaj, para se të vijë dita kur Allahu nuk do të lejojë më kthim prapa. Atë ditë, ju nuk do të gjeni strehim dhe as nuk do të mund të mohoni.
  48. Nëse ata refuzojnë, dije se Ne nuk të kemi dërguar ty si përgjegjës të tyre. Ti ke për detyrë vetëm komunikimin. Vërtet, kur Ne i dhurojmë njeriut nga ana Jonë ndonjë të mirë, ai gëzohet për të, e kur e godet ndonjë e keqe që e ka merituar vetë, atëherë njeriu bëhet përçmues.
  49. Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i fal vetëm vajza atij që Ai do, e i fal vetëm djem atij që Ai do.
  50. Ose fal edhe djem, edhe vajza. Ndërsa atë që Ai dëshiron e lë pa fëmijë. Ai është i Dijshëm, i Plotpushtetshëm.
  51. Nuk ka asnjë njeri që Allahu t’i ketë folur ndryshe, përveçse me anë të frymëzimit, ose pas një perdeje, ose me anë të një të dërguari, që i shpall – me lejen e Tij – atë që Ai do. Vërtet, Ai është më i Larti, më i Urti.
  52. Po kështu të shpallëm edhe ty Shpirtin. Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robërve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë,
  53. në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. Ta dini, se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …