Shtëpia / Kur'an Shqip / 008. EL ENFAL

008. EL ENFAL

Surja 7:  El Enfal (medinase) 75 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

  1. Atyre që të pyesin për plaçkën e luftës, thuaju: “Plaçka e luftës është çështje e Allahut dhe e të Dërguarit, prandaj kini frikë Allahun, rregulloni marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë.”
  2. Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që, kur përmendet Allahu, u frikësohet zemra dhe, kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi. Ata kërkojnë mbështetje vetëm te Zoti i tyre.
  3. Ata e përkryejnë namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne.
  4. Këta janë besimtarë të vërtetë, që kanë grada të larta te Zoti i tyre, si edhe falje e bujari prej Tij.
  5. Në të njëjtën mënyrë, Zoti yt deshi që ti të dilje nga shtëpia për të vërtetën, edhe pse disa besimtarë nuk ishin të kënaqur.
  6. Ata polemizojnë me ty për të vërtetën, pasi u ishte bërë e qartë, sikur të ishin duke u çuar drejt vdekjes së sigurt.
  7. Kujtoni kur Allahu ju premtoi se njëri prej dy grupeve do të ishte i juaji. Ju dëshironit të kishit përballë të paarmatosurit, por Allahu deshte të rrënjoste të vërtetën me fjalën e Tij e të shkulte mbeturinën e mohuesve,
  8. të forconte të vërtetën e të çrrënjoste të kotën, edhe pse kriminelët e urrejnë këtë.
  9. Atëherë kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, Ai ju përgjigj: “Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj, që vijnë njëri pas tjetrit.
  10. Allahu e solli atë veçse që t’ju gëzonte dhe që t’ju forconte zemrat. Ndihma në realitet vjen vetëm prej Allahut. Allahu është vërtet Mbizotërues dhe i Urtë.
  11. (Kujtoni) Kur Ai ju bëri të flini pak, për tju mbushur me siguri nga ana e Tij. Ai zbriti nga qielli ujë, për t’ju pastruar me të, për të hequr ndyrësinë e Shejtanit, për të fuqizuar bindjen në zemra dhe për të përforcuar me të këmbët tuaja.
  12. (Kujto) Kur Zoti yt u kumtoi engjëjve se: “Unë jam me ju, prandaj jepuni kurajë besimtarëve! Unë do të fus frikë në zemrat e jobesimtarëve, kurse ju goditini në qafë e lart e bjeruni në çdo gjymtyrë,
  13. sepse ata kanë kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Për atë që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu është vërtet Ndëshkues i ashpër.
  14. Ky është dënimi juaj, prandaj shijojeni atë! Mohuesve u takon dënimi i Zjarrit.
  15. O ju që keni besuar! Kur të jeni përballë ushtrisë së jobesimtarëve, mos ua ktheni më shpinën!
  16. Askush të mos ua kthejë atyre shpinën në atë moment, veç atij që kthehet për të luftuar ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër. Kush tërhiqet, ai ka tërhequr kundër vetes zemërimin e Allahut dhe vendi i tij është Xhehenemi. Ky është përfundim shumë i keq!
  17. Nuk ishit ju që i vratë ata, por ishte Allahu Ai që i vrau ata, ashtu si nuk ishe ti ai që i gjuajte, atëherë kur i gjuajte, por ishte Allahu Ai që gjuajti, për t’i shpërblyer besimtarët me një dhuratë të mirë prej Tij. Nuk ka dyshim se Allahu është Gjithëdëgjues dhe i Gjithëditur.
  18. Kjo është e vërteta. Pa dyshim, Allahu ka për t’i shkatërruar kurthet e jobesimtarëve.
  19. Nëse ju kërkoni fitore, ja ku e keni fitoren! Por nëse tërhiqeni, kjo do të jetë më mirë për ju. Nëse ju ktheheni, edhe Ne kthehemi. Aleanca juaj nuk ka për t’ju ndihmuar aspak, sado e madhe të jetë, sepse Allahu është me besimtarët!
  20. O besimtarë, bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e mos ktheni shpinën pasi dëgjoni!
  21. Mos u bëni si ata që thonë: “Dëgjuam”, por që në të vërtetë nuk dëgjojnë.
  22. Krijesat më të këqija para Allahut janë të shurdhërit dhe memecët që nuk logjikojnë.
  23. Nëse Allahu do të shihte tek ata ndonjë të mirë, do t’i bënte vërtet të dëgjonin. Por edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të sprapseshin dhe do të kundërshtonin.
  24. O ju që keni besuar, përgjigjjuni Allahut dhe përgjigjuni të Dërguarit, kur ai ju fton për jetëdhënësin dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni të gjithë para Tij.
  25. Ruajuni nga padrejtësia, e cila nuk godet vetëm ata që bëjnë padrejtësi, dhe ta dini se Allahu është ndëshkues i rreptë.
  26. Kujtoni kur ju ishit të pakët në numër e të dobët në tokë! Ju frikësoheshit se mos njerëzit ju gllabëronin, por Ai ju strehoi dhe ju përkrahu me ndihmën e Tij. Ai ju furnizoi me të mira, që ju të jeni mirënjohës.
  27. O ju që keni besuar, mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, dhe kështu të tradhtoni amanetet tuaja, ndërkohë që jeni të vetëdijshëm!
  28. Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju dhe se shpërblimi i madh gjendet tek Allahu.
  29. O ju që keni besuar, nëse tregoni devotshmëri ndaj Allahut, Ai do t’ju mundësojë të dalloni, do t’ju mbulojë të këqijat dhe do t’ju falë gjynahet. Allahu është Dhurues i madh.
  30. Kujto kur jobesimtarët komplotonin kundër teje, për të të burgosur, vrarë ose dëbuar. Ata bënin kurthe, por edhe Allahu u ngrinte kurthe. Allahu është më i miri planifikues.
  31. Kur u lexohen ajetet Tona, ata thonë: “Ne kemi dëgjuar si këto. Po të duam, edhe ne mund të themi gjëra të tilla. Këto nuk janë gjë tjetër, përveçse përralla të vjetra!”
  32. Po kur thanë: “O Allah! Nëse është ky është vërtet prej Teje, lësho mbi ne gurë nga qielli, ose na jep ndonjë dënim të rëndë”.
  33. Por Allahu nuk i dënon ata, përderisa ti je në mesin e tyre, ashtu si Allahu nuk i dënon përsëri nëse kërkojnë falje.
  34. Përse të mos i dënojë Allahu, kur ata pengojnë vizitën në Xhaminë e Shenjtë?! Ata nuk janë miq të saj. Miq të saj janë vetëm të devotshmit, por shumica e tyre nuk e dinë.
  35. Namazi i tyre në Shtëpinë e Shenjtë ishte vetëm fishkëllima dhe duartrokitje. Prandaj (u thuhet) “shijojeni” dënimin, se ju nuk besonit!
  36. Ata që nuk besojnë e shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar njerëzit nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë, por ajo do të jetë vetëm dëshpërim për ta, dhe në fund ata do të mposhten. Në fund, të gjithë mohuesit do të grumbullohen në Xhehenem.
  37. Allahu do t’i veçojë të këqijtë nga të mirët: të këqijtë do t’i vërë njërin mbi tjetrin, e të gjithë bashkë do t’i hedhë në Xhehenem. Këta janë vërtet më të humburit.
  38. Thuaju jobesimtarëve që, nëse heqin dorë nga e tyrja, do t’u falet e kaluara, por nëse kthehen ku kanë qenë, atëherë le të jetë dënimi i popujve të mëparshëm si paralajmërim për ta.
  39. Luftojini ata, derisa të mos ketë fitne dhe i tërë adhurimi të bëhet vetëm për Allahun. Po nëse ata heqin dorë, Allahu sheh gjithçka që ata veprojnë.
  40. E nëse refuzojnë, dijeni se Allahu është mbrojtësi juaj. Ai është mbrojtës dhe mbështetës i mrekullueshëm!
  41. Ta dini se çfarëdo plaçkë lufte që fitoni, një e pesta i takon Allahut, të Dërguarit dhe farefisit të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve, nëse besoni në Allahun dhe në atë që Ne ia kemi shpallur robit Tonë Ditën e Fitores, atë ditë kur u ndeshën dy ushtritë. Vërtet Allahu është i plotpushtetshëm për gjithçka.
  42. Ju ishit në zonën më të afërt të luginës, ndërsa ata në zonën më të largët të saj, ndërsa karvani ishte më poshtë jush. Edhe sikur ta kishit planifikuar atë takim, nuk do të kishte qenë aq i puthitur mirë. Por ishte Allahu Ai që e kishte caktuar të ndodhte, dhe ashtu ndodhi, me qëllim që jobesimtarët ta dinë se kanë mohuar pasi e vërteta iu bë e qartë, ndërsa besimtarët të vazhdojnë të besojnë pasi e vërteta u bë e qartë. Allahu është Dëgjues dhe i Gjithëdijshëm.
  43. Allahu të tregoi në ëndërr se ata ishin pak. Sikur të tregonte se ishin shumë, ju do të humbisnit guximin e do të grindeshit për atë çështje, por Allahu ju shpëtoi. Ai është vërtet i Gjithëdijshëm për çfarë fshehin zemrat.
  44. Kur u përballët me armikun, Ai jua shfaqi në sytë tuaj sikur ishin pak, por edhe juve ju bëri të dukeshit pak në sytë e atyre, për të përmbushur atë që ishte caktuar. Tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.
  45. O besimtarë, kur të ndesheni me ndonjë grup, qëndroni fort dhe përmendni vazhdimisht Allahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar.
  46. Bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij, e mos u grindni ndërmjet jush, sepse kështu do të dobësoheni e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm se, me të vërtetë, Allahu është me të durueshmit.
  47. Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpisë sa për krenari e për t’i parë bota, për të penguar të tjerët nga rruga e Allahut. Allahu mbikëqyr gjithçka që ata veprojnë.
  48. Shejtani ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe u tha: “Askush nuk mund t’ju mposhtë juve sot, sepse do të jem unë mbrojtësi juaj.” Por kur u ndeshën dy ushtritë, ai u tërhoq prapa e tha: “Unë nuk kam të bëj me ju! Unë shoh atë që ju nuk e shihni! Unë i frikësohem Allahut. Allahu ka vërtet ndëshkim të ashpër”.
  49. Munafikët dhe ata që kishin zemër të sëmurë thanë: “Këta i ka mashtruar feja e tyre.” Për ata që i mbështeten Allahut, s’ka dyshim se Allahu është Ngadhënjyes e i Urtë.
  50. E sikur t’i shihje engjëjt në momentin kur ua marrin shpirtin mohuesve! Ata i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë): “Shijoni dënimin me djegie!”
  51. Kjo vjen për shkak të veprave që keni bërë me duart tuaja. Allahu nuk është i padrejtë me robërit e Vet.
  52. Kështu u ndodhi edhe ithtarëve të Faraonit dhe të tjerëve që kanë qenë para tyre. Ata i mohuan shpalljet e Allahut dhe Ai i ndëshkoi për shkak të gjynaheve që bënë. Pa dyshim, Allahu është i Plotfuqishëm dhe ndëshkues i ashpër.
  53. Kjo ndodh, sepse Allahu kurrë nuk do t’i ndryshonte begatitë që ia ka dhuruar një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre. Vërtet, Allahu është Gjithëdëgjues dhe i Gjithëdijshëm.
  54. Njëlloj ishte tradita e njerëzve të Faraonit dhe të tjerëve më përpara. Ata i konsideronin të rreme faktet e Zotit të tyre, dhe Ne i ndëshkuam, për shkak të gjynaheve që bënë, ndërsa njerëzit e Faraonit i fundosëm. Të gjithë këta ishin zullumqarë.
  55. Krijesat më të këqija për Allahun janë ata që mohojnë dhe kurrë nuk besojnë.
  56. Janë ata që ke bërë marrëveshje, por ata e shkelin marrëveshjen dhe nuk druhen.
  57. Nëse i ndesh ata në luftë, shpartalloji, që të marrin mësim ata që vijnë pas tyre.
  58. Nëse i druhesh pabesisë së një populli, atëherë njoftoji paraprakisht për prishjen e paktit, që të jeni të barabartë. Allahu nuk i do të pabesët.
  59. Mohuesit të mos mendojnë kurrsesi se ia hodhën. Ata kurrsesi nuk mund të shpëtojnë.
  60. Përgatituni kundër tyre sa të keni mundësi, duke shtuar fuqinë e kuajt e luftës, në mënyrë që ta frikësoni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë, për të cilët ju nuk dini gjë, por Allahu di për ata. Çfarëdo që të shpenzoni për rrugën e Allahut, ajo do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet aspak padrejtësi.
  61. Nëse ata kërkojnë paqe, kërkoje edhe ti, duke iu mbështetur Allahut, që është Gjithëdëgjues e i Gjithëditur.
  62. Po nëse ata duan të të mashtrojnë, atëherë ty të mjafton Allahu. Ai të mbështeti ty me ndihmën e Tij dhe me besimtarët,
  63. duke i bashkuar zemrat e tyre. Edhe sikur të shpenzoje gjithçka të kësaj bote, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu ishte Ai që e bëri bashkimin e tyre. Ai është i Plotëfuqishëm e i Urtë.
  64. O Pejgamber! Allahu të mjafton ty dhe besimtarëve që të pasojnë ty.
  65. O Pejgamber, nxiti besimtarët për luftë! Nëse prej jush janë njëzet vetë të durueshëm, do t’i mundni dyqind, e nëse jeni njëqind, do t’i mundni një mijë jobesimtarë, për shkak se ata janë njerëz që nuk kuptojnë.
  66. Allahu ju solli tashmë një lehtësim, duke ditur se keni dobësi. Nëse prej jush janë njëqind të durueshëm, do t’i mundni dyqind, e nëse jeni një mijë, atëherë, me ndihmën e Zotit, do t’i mundni dy mijë. Allahu është me durimtarët.
  67. Asnjë pejgamberi nuk i takon të mbajë robër, derisa të ketë triumfuar plotësisht në tokë. Ju synoni të mirat e kësaj bote, ndërsa Allahu dëshiron për ju ahiretin. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
  68. Po të mos ishte dispozita e mëhershme e caktuar prej Allahut, atëherë do t’ju godiste një dënim i madh për atë që morët.
  69. Kënaquni me atë që fitoni me luftë si të lejuar dhe të mirë, dhe jini të devotshëm ndaj Allahut! Allahu është vërtet Falës e Mëshirëplotë.
  70. O Profet! Thuaju robërve që i keni në dorë se, nëse Allahu sheh ndonjë të mirë në zemrat tuaja, Ai ju jep edhe më shumë të mira nga ajo çka ju është marrë dhe jua fal gabimet tuaja. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
  71. E nëse ata duan të të tradhtojnë, dije se në të vërtetë kanë tradhtuar Allahun, por Ai ngadhënjen ndaj tyre. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
  72. Vërtet, ata që besuan dhe mërguan, pastaj luftuan me pasurinë e shpirtin e tyre në rrugën e Allahut, por dhe ata që i strehuan dhe i ndihmuan, janë miq e mbrojtës të njëri-tjetrit. Ndërsa ata që besuan, por ende nuk kanë mërguar, ju nuk e keni detyrë t’i mbështesni e t’i ndihmoni, derisa edhe ata të emigrojnë. Nëse ata kërkojnë ndihmën tuaj për çështjen e fesë, atëherë jeni të detyruar t’i ndihmoni, përveç rastit nëse del kundër një populli me të cilët keni marrëveshje. Allahu sheh gjithçka që ju veproni.
  73. Ata që mohojnë të vërtetën janë miq të njëri-tjetrit. Nëse ju nuk veproni ashtu, do të bëhet fitne dhe shkatërrim i madh në tokë.
  74. Ata që besuan, mërguan dhe luftuan në rrugën e Allahut, dhe ata që i strehuan dhe i ndihmuan, pikërisht ata janë besimtarë të vërtetë. Për ta ka falje dhe shpërblim bujar.
  75. Edhe ata që u bënë besimtarë më vonë, që mërguan dhe luftuan së bashku me ju, janë vëllezërit tuaj. Megjithatë, pjesëtarët e farefisit kanë më tepër përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu është vërtet i Ditur për gjithçka.

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …