Shtëpia / Kur'an Shqip / 007. EL EA’RAF

007. EL EA’RAF

Surja 7: – A’raf (mekase), 206 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

  1. Elif, Lam, Mim, Sad.
  2. Ky Libër të është shpallur i tillë që ti të mos ndiesh aspak ngushtim në gjoks prej tij! Ai të është shpallur që, nëpërmjet tij, të paralajmërosh të tjerët dhe të përkujtosh besimtarët.
  3. Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj dhe mos ndiqni mbrojtës të tjerë veç Tij! Shumë pak po përkujtoni!
  4. Sa e sa qytete kemi shkatërruar Ne! Dënimi Ynë u erdhi atyre natën ose kur ishin duke pushuar.
  5. Kur u erdhi dënimi Ynë, thirrja e tyre e vetme ishte: “Ne ishim vërtet zullumqarë!”.
  6. Ne patjetër që do t’i marrim në përgjegjësi ata që patën të dërguar mes tyre, e patjetër që do t’i marrim në pyetje edhe të dërguarit.
  7. Ne do t’ua rrëfejmë atyre me dituri të plotë atë që kanë bërë, sepse Ne kemi qenë të pranishëm.
  8. Peshorja atë ditë është e drejtë. Ata që kanë peshore të rëndë, ata janë të shpëtuarit.
  9. Ndërsa ata që kanë peshore të lehtë e kanë humbur vetveten, për shkak të refuzimit të padrejtë të argumenteve Tona.
  10. Ne ju vendosëm në tokë, ku edhe ju mundësuam jetesën, por ju pak falënderoni.
  11. Ne ju krijuam, ju dhamë formën tuaj, e pastaj ju thamë engjëjve: “Bëni sexhde për Ademin!”. Ata ranë në sexhde, përveç Iblisit. Ai nuk qe prej atyre që bënë sexhde.
  12. Allahu Tha: “Çfarë të pengoi ty të bëje sexhde, kur Unë të urdhërova?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta!”
  13. Allahu Tha: “Zbrit prej andej (Xhenetit)! Nuk të takon të bësh kryelartësi në të! Shporru, qofsh i poshtëruar!”.
  14. Ai tha: “Më jep afat deri ditën kur ata të ringjallen!”
  15. Allahu Tha: “Je prej të afatizuarve!”
  16. Tha (Iblisi): “Për shkak se më humbe mua, unë do t’u zë pusi atyre në rrugën Tënde të drejtë!
  17. Gjithashtu, do t’u dal atyre nga para e nga prapa, nga e djathta dhe nga e majta. Pastaj, shumicën e tyre nuk do t’i gjesh më mirënjohës!”
  18. Tha: “Dil prej andej i përbuzur e i dëbuar! Me çdonjë që vjen pas teje, me ju të gjithë, Unë kam për të mbushur Xhehenemin!”
  19. “O Adem, ti dhe bashkëshortja jote zini vend në Xhenet, hani nga të doni, por mos iu afroni kësaj peme e të bëheni të padrejtë!”
  20. Shejtani i joshi ata të dy, për t’u zbuluar pjesët e turpshme të atyre, të cilat i kishin të mbuluara, dhe tha: “Zoti juaj jua ndaloi atë pemë veçse që të mos bëheni melekë ose të përjetshëm.”
  21. Dhe iu betua atyre, duke iu thënë: “Unë jam vërtet këshillues i sinqertë për ju.”
  22. Kështu, me anë të mashtrimit, ai i mposhti ata. Kur e shijuan pemën, atyre iu zbuluan vendet e turpshme, prandaj ata filluan t’i mbulojnë me gjethet e Xhenetit. Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha bërë të ndaluar atë pemë?! A nuk ju thashë se Shejtani është vërtet armiku juaj i hapur?!”
  23. Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të shkatërruar!”
  24. Ne u thamë: “Uluni poshtë! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në tokë do të keni vendbanimin dhe do të gjeni mjetet e jetesës, deri në një afat të caktuar.”
  25. Tha: Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni.
  26. O bijtë e Ademit, Ne zbritëm për ju veshje, si mbuluese për vendet tuaja të turpshme dhe si zbukurim. Por veshja e devotshmërisë, ajo është më e mira. Këto janë disa nga shenjat e Allahut, me qëllim që ata të përkujtojnë.
  27. O bijtë e Ademit, kurrsesi të mos ju mashtrojë Shejtani, sikurse nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke hequr prej tyre veshjen e duke u nxjerrë në shesh lakuriqësinë. Vërtet, ai dhe shoqëria e tij ju sheh juve, ndërsa ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.
  28. Kur ata bëjnë diçka të shëmtuar, thonë: “Kështu i gjetëm prindërit tanë dhe Allahu na urdhëroi për këtë.” Thuaj: “Allahu nuk urdhëron për poshtërsi. A po thoni për Allahun gjëra që nuk i dini?!”
  29. Thuaj: “Allahu urdhëron për drejtësi. Kthejini fytyrat në çdo xhami dhe lutjuni Atij, duke qenë të sinqertë në adhurimin kushtuar vetëm Atij. Ashtu sikurse e nisi krijimin tuaj herën e parë, ashtu do të ktheheni sërish tek Ai.”
  30. Një pjesë Ai e udhëzoi në rrugë të drejtë, ndërsa pjesa tjetër e meritoi të jetë e humbur. Në të vërtetë, ata kanë zgjedhur për miq shejtanët në vend të Allahut, dhe mendojnë se janë të udhëzuar në rrugë të drejtë.
  31. bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz, hani e pini dhe mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.
  32. Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira, që Allahu i krijoi për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për besimtarët, ndërsa Ditën e Kijametit janë të posaçme vetëm për ta.” Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton.
  33. Thuaj: “Zoti im ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, qofshin ato të hapura ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi dhunimin pa të drejtë, ndaloi të adhuroni veç Allahut diçka tjetër, pa pasur kurrfarë argumenti të shpallur, dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”
  34. Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’u vijë afati i tyre, ata nuk do mund ta shtyjnë atë për asnjë moment, e as ta shkurtojnë.
  35. O bijtë e Ademit, kur nga mesi juaj t’ju vijnë të dërguar, që t’ju përkujtojnë faktet e Mia, atëherë, kush është ruajtur dhe përmirësuar tani, nuk do të ketë frikë dhe as do të pikëllohet.
  36. Ndërsa ata që i konsiderojnë si gënjeshtra faktet Tona dhe me kryelartësi largohen prej tyre, ata janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht.
  37. Kush është më mizor se ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, ose që nuk pranojnë argumentet e Tij? Ata do ta arrijnë pjesën që u është caktuar. Kur të dërguarit (melekët) Tanë të shkojnë për t’u marrë shpirtin, do t’u thonë: “Ku janë ata që ju u luteshit përveç Zotit?” Ata do të thonë: “Kanë humbur prej nesh”. Kështu, ata do të dëshmojnë kundër vetes se ishin mohues.
  38. Melekët do t’u thonë: “Hyni në Xhehenem, mes popujve xhindë dhe njerëz, që shkuan para jush.” Sa herë që një grup hyn aty, mallkojnë ata të mëparshmit. Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, këta na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini!”
  39. Të parët do t’u thonë të fundmëve: “Ju nuk keni përparësi ndaj nesh, prandaj shijojeni dënimin, që vetë e fituat!”
  40. Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhenet deri sa deveja të futet në vrimën e gjilpërës. Kështu i shpërblejmë Ne kriminelët.
  41. Për ata është përgatitur Xhehenemi, si shtrat nga poshtë dhe si mbulesë nga lart. Kështu i shpërblejmë Ne zullumqarët.
  42. Ata që besojnë dhe bënë vepra të mira, – dhe Ne nuk detyrojmë njeri përtej mundësive, – ata janë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë.
  43. Ne do t’u heqim urrejtjen nga zemrat, ndërsa poshtë tyre do të rrjedhin lumenj. Ata do të thonë: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na udhëzoi për këtë. Ne kurrë nuk do të dinim të gjenim udhëzimin, sikur të mos na drejtonte Allahu. Vërtet, të dërguarit e Zotit na e thanë të vërtetën!” Atyre u drejtohet një thirrje: “Ky është Xheneti, të cilin e trashëgoni si fryt i veprave tuaja”.
  44. Banorët e Xhenetit thërrasin banorët e Zjarrit e u thonë: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na kishte premtuar Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju kishte premtuar Zoti juaj?” Ata thonë: “Po”. Atëherë, mes tyre thërret një zë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi zullumqarët,
  45. të cilët penguan nga rruga e Allahut, që kërkuan shtrembërimin e saj dhe që ishin mohues të botës tjetër!”
  46. Mes dy grupeve është një mur ndarës, mbi të cilin qëndrojnë burra që e njohin secilin grup me shenjat e tyre. Ata thërrasin banorët e Xhenetit: “Selami qoftë mbi ju!”. Ata nuk kanë hyrë në të, por shpresojnë.
  47. Kur shikimi i tyre shkon nga ata të Xhehenemit, thonë: “Zoti ynë, mos na bashko me të këqijtë!”
  48. Këta të murit thërrasin pastaj disa burra të tjerë, që i njohin nga shenjat e tyre, dhe u thonë: “Sa ju vleu ajo që grumbullonit dhe kryelartësia që tregonit?
  49. Këta këtu janë ata, për të cilët ju betoheshit se nuk kishte për t’i përfshirë mëshira e Allahut”. Vazhdoni në Xhenet, se për ju as nuk ka më frikë e as brenga!”
  50. Banorët e Zjarrit do të thërrasin banorët e Xhenetit: “Na jepni ndopak ujë ose diçka nga ato që ju ka dhënë Allahu!” Ata përgjigjen: “Allahu i ka ndaluar këto gjëra për jobesimtarët!”
  51. Këta janë ata që fenë e tyre e merrnin si tallje e lojë dhe të cilët u mashtruan nga jeta e dynjasë. Por Ne i harrojmë ata sot, sikurse ata harruan takimin e kësaj dite dhe për shkak se kundërshtuan faktet Tona!”
  52. Ne u sollëm atyre një libër, të cilin ua shtjelluam me dituri, për të qenë udhërrëfyes e mëshirë për besimtarët.
  53. Vallë, ata po presin realizimin e tij? Ditën kur ai të realizohet, ata të cilët e kishin harruar do të thonë: “Vërtet, të dërguarit e Zotit tonë erdhën me fakte të vërteta. A ka ndonjë ndërmjetës për ne, që të na shpëtojë, ose të kthehemi e të veprojmë ndryshe nga ç’kemi bërë?” Ata kanë shkatërruar vetveten, ndërsa iluzionet e tyre dalin të kota.
  54. Vërtet, Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Fron. Ai e mbulon ditën me natën, që me të shpejtë e kërkon atë sërish. Edhe dielli, hëna dhe yjet i janë nënshtruar sundimit të Tij. Vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi. I madhëruar është Allahu, Zoti i botëve.
  55. Luteni Zotin tuaj të përulur e në fshehtësi! Me të vërtetë, Ai nuk i do ata që e teprojnë.
  56. Mos shkaktoni trazira në tokë, pasi është vendosur rregulli në të, dhe luteni Atë me drojë dhe me shpresë. S’ka dyshim se mëshira e Allahut është pranë vepërmirëve.
  57. Është Ai që i lëshon erërat si përgëzuese të ‘mëshirës’ së Tij. Kur erërat bartin re të mëdha, Ne i sjellim ato mbi një tokë të vdekur dhe aty lëshojmë shiun, nëpërmjet të cilit nxjerrim nga të gjitha frutat. Kështu do t’i nxjerrim të vdekurit, në mënyrë që ju të përkujtoni.
  58. Toka e mirë i jep frytet e saj me lejen e Zotit, ndërsa toka e keqe nuk jep fryte ndryshe, veç me vështirësi. Kështu, në rrugë të ndryshme, Ne i radhisim argumentet Tona për ata që falënderojnë.
  59. Ne e dërguam Nuhun te populli i vet, për t’u thënë: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. Unë kam frikë për ju dënimin e një ditë të madhe!”
  60. Paria e popullit i tha: “Për ne, ti je krejt i humbur!”
  61. Ai u tha: “O populli im, jo, unë nuk jam i humbur. Të jeni të sigurt se unë jam i dërguar prej Zotit të botëve!
  62. Unë po ju kumtoj juve Shpalljen e Zotit tim, po ju këshilloj dhe di nga Zoti im diçka që ju nuk e dini!”
  63. Vallë, po çuditeni që përkujtimi nga Zoti juaj ju erdhi përmes një njeriu prej jush, për t’ju paralajmëruar që të ruheni dhe me shpresë që të mëshiroheni!”
  64. Ata e kundërshtuan Nuhun, por Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anije. Ndërsa ata që i mohuan faktet Tona i fundosëm. Vërtet, ata ishin popull i verbër.
  65. Edhe tek Adët dërguam vëllain e tyre Hudin, që u tha: “O populli im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. A nuk keni frikë?!”
  66. Paria nga mesi i popullit të tij, të cilët nuk besonin, thanë: “Për ne, ti je një mendjelehtë, madje je edhe gënjeshtar!”
  67. Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam mendjelehtë, por jam, pa dyshim, i dërguar prej Zotit të botëve”.
  68. “Unë po ju kumtoj shpalljet e Zotit tim dhe jam këshillues i sinqertë për ju.
  69. “Vallë, po çuditeni që Përkujtimi nga Zoti juaj ju erdhi përmes një njeriu prej jush, si paralajmërim?! Përkujtoni se si Ai ju bëri sundues pas popullit të Nuhut dhe jua shtoi fuqinë fizike! Përkujtoni të mirat e Allahut, që të gjeni shpëtim!”
  70. Ata thanë: “Paske ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun e ta braktisim atë çka adhuronin prindërit tanë?! Hajde, bëje realitet kërcënimin tënd, nëse thua të vërtetën!”.
  71. Ai tha: “Mbi ju tashmë ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj. A polemizoni me mua për disa emra, që vetë ju dhe prindërit tuaj i keni vënë e për të cilët Allahu nuk ka shpallur asnjë fakt? Prisni, atëherë, se edhe unë jam duke pritur bashkë me ju!”.
  72. Me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtaët që ishin me të, ndërsa i shfarosëm ata që kundërshtuan argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.
  73. Edhe në popullin e Themudit dërguam vëllain e tyre, Salihun, i cili u tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. Juve ju erdhi argumenti nga Zoti juaj. Kjo deve është mrekulli për ju. Lëreni atë të lirë të hajë në tokën e Allahut dhe kujdes të mos e lëndoni aspak, se pastaj do t’ju bjerë një dënim i dhembshëm”.
  74. “Përkujtoni kur Ai ju bëri sundues pas Adëve, duke ju vendosur në tokë, mbi të cilën ju ndërtuat pallate, kurse nëpër male gdhendët shtëpi. Përkujtoni të mirat e Allahut e mos u bëni shkatërrimtarë në tokë!”.
  75. Krerët arrogantë të popullit u thanë atyre që ishin më të dobët e që kishin besuar: “A jeni të sigurt se Salihu është i dërguar i Zotit të tij?” Ata thanë: “Po, ne e besojmë mesazhin e tij!”.
  76. Kryeneçët thanë: “Ne nuk e besojmë atë që besoni ju!”.
  77. Ata e therën devenë, duke shkelur me arrogancë dispozitën e Zotit të tyre, dhe thanë: “O Salih, hajde e na i bëj realitet kërcënimet e tua, nëse je vërtet profet!”.
  78. Atëherë, ata ndjenë tërmetin dhe pastaj u gdhinë në shtëpitë e tyre si kufoma të ngrira.
  79. Ai u ktheu shpinën atyre, duke u thënë: “O populli im, unë jua përcolla mesazhin e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillët këshilluesit!”.
  80. Përkujto kur Luti i tha popullit të vet: “Ç’është kjo punë e fëlliqur që po bëni, që asnjë popull në botë nuk e ka bërë para jush!”
  81. Ju, të shtyrë nga epshi, josheni nga burrat e largoheni nga gratë. Ju jeni vërtet njerëz të degjeneruar!”
  82. Por përgjigjja e popullit qe kjo: “Dëbojini ata nga vendi! Ata janë njerëz që ruhen shumë.”
  83. Por Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, veç së shoqes, e cila mbeti aty.
  84. Ne lëshuam mbi ata një lloj shiu. Shiko si qe fundi i zullumqarëve!
  85. Edhe në Medjen dërguam vëllain e tyre, Shuajbin, që u tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, që meriton të adhurohet. Juve ju erdhi mrekulli nga Zoti juaj. Kryeni me saktësi matjet dhe peshimet, mos u bëni padrejtësi njerëzve në pasurinë e tyre dhe mos shkaktoni çrregullime në tokë pas përmirësimit të saj. Këto janë më të dobishme për ju, nëse jeni besimtarë”.
  86. “Mos zini pusi në rrugë, mos kërcënoni dhe mos pengoni nga udha e Zotit njerëzit që i besojnë Atij, duke ua paraqitur si udhë të gabuar. Kujtoni kur ishit pak në numër dhe se si Ai ju bëri të jeni shumë. Shihni si ka qenë fundi i shkatërrimtarëve!”.
  87. “Disa prej jush e besojnë mesazhin që përcjell unë, e disa të tjerë nuk besojnë, prandaj duroni derisa Allahu të na gjykojë! Ai është Gjykuesi më i mirë!”.
  88. Paria kryelartë e popullit të tij tha: “O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë, se ndryshe do t’ju dëbojmë nga qyteti, ty dhe ata që të besojnë ty.”. Ai tha: “Edhe pse e urrejmë atë?!
  89. Nëse kthehemi në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi prej saj, atëherë do të shpifnim ndaj Allahut. Ne nuk mund të kthehemi në të, veç nëse dëshiron Allahu, Zoti ynë. Zoti ynë ka përfshirë me diturinë e Vet çdo gjë. Ne i mbështetemi vetëm Allahut. Zoti ynë, na gjyko ne dhe popullin tonë me gjykimin Tënd të drejtë, se Ti je Gjykatësi më i mirë!”
  90. Krerët mohues të popullit të tij thanë: “Nëse shkoni pas Shuajbit, atëherë do të humbni me siguri”.
  91. Ata i përfshiu një tërmet i fortë dhe aguan në shtëpitë e tyre si kufoma të gjunjëzuara.
  92. Kundërshtarët e Shuajbit sikur nuk kishin ekzistuar kurrë më parë! Ata që e mohuan Shuajbin, ata ishin të humburit.
  93. Ai u ktheu shpinën e tha: “O populli im, unë jua kumtova qartë Shpalljen e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të më vijë keq për një popull mohues?!”
  94. Sa herë që kemi dërguar pejgamber në ndonjë popull, Ne i kemi goditur ata me fatkeqësi e sprova, me qëllim që të përuleshin.
  95. Pastaj ua kemi zëvendësuar fatkeqësitë me mirësi. Por kur ata shumoheshin e begatoheshin, thoshin: “Edhe etërit tanë kanë vuajtur e kanë qenë në skamje”. Atëherë i dënonim në befasi, pa u kuptuar fare nga ata.
  96. Sikur popujt e vendeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju kishim hapur begatitë nga qielli e toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam me shkatërrim, siç e merituan.
  97. A janë të sigurt banorët e vendeve nga ndëshkimi Ynë natën, kur ata janë në gjumë?
  98. A janë të sigurt banorët e vendeve nga ndëshkimi Ynë paradite, kur janë duke dëfryer?
  99. A janë të sigurt ata prej ndëshkimit të Allahut? Nuk çlirohet prej frikës së ndëshkimit të Allahut askush tjetër, veç njerëzve të humbur.
  100. A nuk është e qartë për ata që trashëguan tokën e banorëve të hershëm të saj se, nëse dëshirojmë, Ne i dënojmë për gjynahet e tyre dhe ua vulosim zemrat, që ata të mos dëgjojnë?!
  101. Këto janë ato vendbanime, për të cilat Ne të kemi treguar disa ngjarje. Atyre u erdhën të dërguarit me argumente të qarta, por ata kurrë nuk do t’i besonin asaj që më parë e kishin mohuar. Kështu i vulos Allahu zemrat e atyre që nuk besojnë.
  102. Shumicën e tyre nuk i gjetëm besnikë ndaj premtimit. Shumicën e tyre i gjetëm shkelës të kufijve.
  103. Pas tyre, ne dërguam Musain te Faraoni dhe rrethi i tij me shenjat Tona, por edhe ata i refuzuan ato padrejtësisht. Shiko si qe fundi i shkatërruesve!
  104. Musai tha: ‘O Faraon, unë jam i dërguari i Zotit të botëve.
  105. Është detyrë për mua që të flas për Zotin veçse të vërtetën. Unë kam ardhur tek ju me argument të qartë nga Zoti juaj, prandaj lejoi bijtë e Izraelit të vijnë me mua!”
  106. Ai tha: “Nëse ke ndonjë shenjë për të na treguar, na e trego, nëse je i sinqertë në ato që thua!”.
  107. Ai e hodhi shkopin e vet, që u bë gjarpër i vërtetë.
  108. Pastaj nxori dorën e tij, që ishte e bardhë për shikuesit.
  109. Paria e popullit të Faraonit tha: “Ky qenka vërtet një magjistar i fortë!
  110. Qëllimi i tij është që t’ju përzërë nga vendi juaj. Atëherë, çfarë na këshilloni?”
  111. Ata thanë: “Ndale atë dhe të vëllanë e tij dhe dërgo nëpër qytete lajmëtarë,
  112. që të sjellin para teje çdo magjistar të fortë.
  113. Magjistarët shkuan te Faraoni e thanë: “A do të kemi shpërblim, në qoftë se dalim fitues?”
  114. Ai u tha: “Po, madje do të jeni nga më të afërmit e mi”.
  115. Ata thanë: “O Musa, hidh ti, ose të hedhim ne të parët!”
  116. Ai tha: “Hidhni ju në fillim!” Me hedhjen e tyre, njerëzit u magjepsën nga sytë dhe u frikësuan, sepse ishte vërtet magji e madhe.
  117. Atëherë, Ne i thamë Musait: “Hidh ti tani shkopin tënd!” Dhe ai filloi të gëlltiste hedhjet e tyre.
  118. Kështu doli e vërteta në shesh dhe u asgjësua vepra e tyre.
  119. Në këtë mënyrë, ata u thyen dhe u larguan të poshtëruar.
  120. Ndërsa magjistarët u lëshuan në sexhde
  121. dhe thanë: “Ne i besojmë Zotit të gjithësisë,
  122. Zotit të Musait dhe të Harunit!”
  123. Faraoni tha: “Guxuat ta besoni Atë pa lejen time?! Kjo është veç një dredhi, që ju e keni përgatitur, me qëllim që të largoni banorët prej qytetit. Por keni për ta parë pastaj!
  124. Unë kam për t’jua prerë duar e këmbë këmbyerazi, e pastaj do t’ju gozhdoj të gjithëve.”
  125. Ata thanë: “Po nuk ka dyshim se ne do të kthehemi tek Zoti ynë.
  126. Ti po hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam në shenjat e Zotit tonë, kur na erdhën para syve?! Zoti ynë, na fal durim dhe na bëj që të vdesim si muslimanë!”
  127. Paria e popullit të Faraonit tha: “A do ta lejosh Musain dhe njerëzit e tij që të sjellin shkatërrim në tokë dhe të të braktisin ty e zotat e tu?!” Ai tha: “Do t’ua shfarosim djemtë, ndërsa femrat do t’i lëmë të gjalla. Kështu do të vazhdojmë të jemi sundues të tyre”.
  128. Musai i tha popullit të vet: “Kërkojini ndihmë Allahut dhe bëni durim! S’ka dyshim se toka është e Allahut, që ua lë në trashëgim atyre robërve të Vet që Ai dëshiron. Përfundimi i lumtur iu takon të devotshmëve”.
  129. Ata thanë: “Ne ishim të shtypur para se të na vije ti dhe pasi erdhe ti”. Ai tha: “Pritet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj, t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend, e pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni”.
  130. Ne e goditëm popullin e Faraonit me vite zie dhe me pakësim prodhimesh, që ata të reflektonin.
  131. Kur u vinte ndonjë e mirë, ata thoshin: “Kjo është thjesht merita jonë”. E kur i godiste ndonjë e keqe, atë e konsideronin si ogur të zi, të shkaktuar nga prania e Musait dhe shoqëruesve të tij. Në fakt, fatkeqësitë u vinin nga Allahu, por shumica e tyre nuk e dinin.
  132. Ata thoshin: “Me çfarëdo argumenti magjepsës që të na vish, ne nuk do të të besojmë!”.
  133. Atëherë Ne lëshuam kundër tyre përmbytje, karkaleca, parazitë, bretkosa dhe gjak, fakte të qarta njëra pas tjetrës. Por ata treguan arrogancë, sepse ishin njerëz të poshtër.
  134. Kur u ranë fatkeqësitë, ata thanë: “O Musa, lute për ne Zotin tënd, sipas premtimit që të ka dhënë. Nëse na e largon ndëshkimin, ne do të të besojmë ty dhe do t’i lejojmë bijtë e Izraelit me ty.”
  135. Por kur ua largonim ndëshkimin, për t’u lënë një afat të caktuar, ata e thyenin premtimin.
  136. Kështu, Ne u hakmorëm kundër tyre dhe i fundosëm në det, ngaqë ata i konsideruan gënjeshtra argumentet Tona dhe nuk ua vunë veshin.
  137. Ndërsa popullit të përvuajtur i lamë në trashëgim tokën e lindjes dhe të perëndimit, që Ne e kishim bekuar. Kështu u plotësua premtimi i mirë i Zotit ndaj bijve të Izraelit, për durimin që ata treguan. Ne e rrënuam atë që bënte Faraoni dhe kullat që ata kishin ndërtuar.
  138. Bijtë e Izraelit i kaluam përtej detit, ku hasën në një popull që ishin të përkushtuar në adhurimin e putave. Ata i thanë: “O Musa, na bëj edhe neve një zot, si zotat që kanë ata”. Por ai u tha: “Ju qenkeni vërtet njerëz të paditur.
  139. Ky popull, në këtë gjendje, është i shkatërruar dhe me vepra të asgjësuara.”
  140. Pastaj Musai tha: “Mos doni t’ju gjej një zot tjetër, përveç Allahut, kur është pikërisht Ai që ju ngriti mbi të tjerët?!
  141. Kujtoni kur Ai ju shpëtoi prej njerëzve të Faraonit, të cilët ju persekutonin e torturonin! Ata ju vrisnin djemtë dhe ju linin gjallë vajzat. Këto ishin një sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj.”.
  142. Ne i premtuam Musait se do t’i jepnim Shpallje pas tridhjetë netësh, afat që e plotësuam edhe me dhjetë të tjera. Kështu, afati për takimin me Zotin e tij u plotësua me dyzet net. Musai i tha vëllait të vet, Harunit: “Ti do të më zëvendësosh te populli im! Mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e shkatërrimtarëve!”.
  143. Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe kur Zoti i foli, ai tha: “Zoti im! Më mundëso të të shoh!” Ai i tha: “Ti nuk mund të më shohësh Mua! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. Po kur Zoti iu shfaq malit, e thërrmoi dhe e bëri pluhur atë, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: “I lavdëruar qofsh, o Zoti im! Pendohem para Teje! Unë jam i pari i besimtarëve!”
  144. Ai tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët me Shpalljen Time dhe të folurin Tim. Merre atë që të kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!”.
  145. Ne i shkruam atij në pllaka rreth çdo gjëje, si këshilla dhe sqarim për çdo çështje: “Merri këto me përkushtim dhe urdhëroje popullin tënd që të përvetësojë më të mirat e tyre. Unë do t’ju tregoj vendin të pabindurve”.
  146. Unë do t’i spraps nga shenjat e Mia ata të cilët, pa pasur të drejtë, tregohen mendjemëdhenj në tokë, të cilët, edhe nëse shohin çdo argument, nuk besojnë. Nëse shohin rrugën e shpëtimit, ata nuk e marrin atë rrugë, e nëse shohin rrugën e humbjes, ata e ndjekin atë. Kjo ndodh ngase ata i konsiderojnë të rreme faktet Tona dhe janë të pavëmendshëm ndaj tyre.
  147. Ata të cilët i mohojnë argumentet Tona dhe takimin në ahiret, ata i asgjësojnë veprat e tyre. A nuk do të shpërblehen ata sipas veprave të tyre?!
  148. Populli i Musait, pas largimit të tij, nisi të adhuronte një statujë viçi që pëlliste, të bërë me stolitë e tyre. Nuk e shihnin, vallë, se ai nuk u fliste e as nuk i udhëzonte në rrugë të drejtë?! E mbanin atë si të adhuruarin e tyre, duke i bërë kështu padrejtësi vetes.
  149. Kur ajo iu thye në duar, e kuptuan se kishin gabuar, prandaj thanë: “Nëse nuk na mëshiron dhe nuk na e fal gabimin Zoti ynë, ne atëherë do të jemi më fatkeqët!”.
  150. Kur Musai u kthye te populli i vet, i zemëruar dhe shumë i hidhëruar, tha: “Sa keq më paskeni zëvendësuar pas largimit tim! A kërkuat përshpejtimin e ndëshkimit të Zotit tuaj?” I lëshoi pllakat dhe e zuri të vëllanë për koke, duke e tërhequr drejt vetes. Ai tha: “O bir i sime mëje, populli më mundi dhe gati më vrau! Mos më turpëro para armiqve dhe mos më shih si kriminel!”.
  151. Atëherë, ai tha: “Zoti im, më fal mua dhe vëllain tim dhe na përfshi në mëshirën Tënde! Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve”.
  152. Nuk ka dyshim se ata që adhuruan viçin ka për t’i përfshirë zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi në jetën e dynjasë. Kështu i shpërblejmë Ne trilluesit e të pavërtetës.
  153. Për ata që bënë vepra të këqija e pastaj u penduan dhe besuan sinqerisht, Zoti yt do të jetë Falës e Mëshirues.
  154. Kur Musait iu shua zemërimi, ai mori pllakat, në të cilat kishte udhëzime e mëshirë për ata që kanë frikë Zotin e tyre.
  155. Musai zgjodhi nga populli i vet shtatëdhjetë veta për kohën që Ne i caktuam për takim. Ata i tundi tërmeti, prandaj ai tha: “O Zoti im, po të kishe dashur Ti, do të na kishe shfarosur më parë, si ata, edhe mua. A po na shfaros për atë që vepruan mendjelehtët nga mesi ynë? Kjo është vetëm një sprovë e Jotja, me të cilën e lë të humbur atë që Ti do dhe udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ti do. Ti je Mbrojtësi ynë! Na fal e na mëshiro, se Ti je më i miri Falës!
  156. Cakto për ne mirësi në dynja dhe mirësi në ahiret, sepse ne jemi kthyer vërtet tek Ti!” Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë. Atë e kam caktuar për ata që ruhen, japin zekatin dhe për ata që besojnë argumentet Tona,
  157. për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin arab, të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill, që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, që u heq barrën e rëndë dhe prangat. Ata që e besojnë atë, që e nderojnë dhe e ndihmojnë, ata që veprojnë me dritën që iu zbrit atij, të tillët janë të shpëtuarit.
  158. Thuaj: “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju. Jam i dërguari i Allahut, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje. Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk shkruan e as nuk lexon, që beson Allahun dhe Shpalljet e Tij! Ndiqeni rrugën e tij, që ta gjeni të vërtetën.
  159. Në popullin e Musait kishte njerëz që udhëzonin në të vërtetën dhe, nëpërmjet saj, mbanin drejtësinë.
  160. Ne i ndamë ata në dymbëdhjetë fise, secili popull më vete. Kur populli i kërkoi Musait ujë, Ne i shpallëm atij: “Bjeri shkëmbit me shkopin tënd”. Kështu, prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime. Secili grup e dinte mirë burimin e vet. Ne bëmë që retë t’u bënin hije atyre, u zbritëm menna dhe thëllëza dhe u thamë: “Hani nga të mirat me të cilat ju begatuam!”. Në fund, ata nuk na dëmtuan Ne, por dëmtuan vetveten.
  161. Atyre iu tha: “Jetoni në këtë vend dhe merrni nga mirësitë e tij ku dëshironi. Thoni: “Na fal!” dhe hyni në portat e tij duke rënë në sexhde, që t’ju falim gjynahet, ndërsa vepërmirëve t’ua shtojmë shpërblimin!”
  162. Por të këqijtë nga mesi i tyre e ndryshuan atë fjalë që u ishte rekomanduar me një tjetër fjalë, prandaj Ne zbritëm kundër tyre një dënim nga qielli për padrejtësitë e bëra.
  163. Pyeti ata për fshatin që gjendej në bregdet dhe që shkelte rregullin e sabathit! Të shtunën, peshqit u vinin sheshazi mbi ujë, ndërsa ditët e tjera, që nuk e kishin të ndaluar punën, nuk u vinin. Kështu Ne i sprovonim, sepse ata i kalonin kufijtë.
  164. Kur disa prej tyre thanë: “Përse e këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose do t’i japë një dënim të ashpër?!”, këshilluesit thanë: “Si arsyetim para Zotit tuaj dhe me shpresë që ata do të ruhen.”.
  165. Por kur ata e braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që ndalonin nga të këqijat, ndërsa ata që kundërshtuan i ndëshkuam me një dënim të ashpër, për shkak se ishin të shfrenuar.
  166. Kur ata ngulmuan me arrogancë të hapur në atë që u ishte ndaluar, Ne i shndërruam në majmunë të përbuzur.
  167. Zoti Yt shpalli qartas se, mbi ta do të vendosë, deri Ditën e Kijametit, sundimin e dikujt, që ka për t’i ndëshkuar ata me formën më të keqe. Zoti yt është vërtet ndëshkues i shpejtë, por Ai është pa dyshim edhe Falës e Mëshirues.
  168. Ne i shpërndamë ata në tokë grupe-grupe. Prej tyre ka të mirë, por edhe jo të tillë. Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, që të kthenin rrugë.
  169. Pas tyre erdhën të tjerë, që trashëguan Librin, por që kënaqeshin me stolitë e pavlera të kësaj bote dhe thoshin: “Do të na falet.” Por kur u vinte ndonjë kënaqësi tjetër e ngjashme, ata përsëri shkonin pas saj. A nuk janë zotuar në Libër që të mos thonë ndaj Allahut asgjë tjetër veç të vërtetës dhe a nuk e kanë studiuar mirë gjithçka në të?! Bota tjetër është më e mirë për ata që ruhen. A nuk logjikoni?!
  170. Ata që i përmbahen me besnikëri Librit dhe e falin namazin, (le ta dinë se) Ne nuk ua humbim shpërblimin të mirëve.
  171. Kujto kur Ne e ngritëm malin mbi ta, njëlloj si një re, aq sa ata menduan se do të binte mbi ta: “Merreni atë që ju kemi dhënë me ngulm dhe përkujtoni përmbajtjen e tij, që të bëheni të devotshëm!”
  172. Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmitarë për veten e tyre: “A jam Unë Zoti juaj?” – “Po, – thanë ata, – jemi dëshmitarë për këtë!”. Atëherë, mos thoni Ditën e Kijametit: “Ne s’kemi ditur gjë për këtë!”.
  173. Ose: “Etërit tanë ishin idhujtarë, ndërsa ne ishim thjesht pasardhës të tyre. A do të na ndëshkosh për atë që bënë ata refuzues të së vërtetës?!”
  174. Kështu i shtjellojmë Ne argumentet, që ata të kthejnë rrugë.
  175. Rrëfeju atyre ngjarjen e atij personi që Ne i kishim mësuar faktet Tona, por ai i braktisi ato. Për këtë arsye, atë e bëri shok Shejtani dhe humbi.
  176. Po të donim, Ne do ta lartësonim atë nëpërmjet saj, por ai e kërkoi përjetësinë në tokë dhe ndoqi egon e vet. Ai i ngjan një qeni, që, nëse e përzë, nxjerr gjuhën, por edhe nëse nuk e përzë, ai sërish nxjerr gjuhën. Të tillë janë ata që i quajnë dokrra faktet Tona. Rrëfeju atyre historinë, që ata të mendojnë.
  177. Sa i keq është si shembull populli që i mohoi faktet Tona dhe e rëndoi vetveten me padrejtësi.
  178. Atë që Allahu e udhëzon, ai është në rrugë të drejtë, ndërsa atë që Ai e lë në humbje, ai është i humbur.
  179. Ne krijuam për Xhehenem shumë nga xhindët dhe njerëzit. Ata kanë zemër me të cilën nuk kuptojnë, kanë sy me të cilët nuk shikojnë dhe kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur. Këta janë të hutuarit.
  180. Allahu ka emrat më të bukur, prandaj lutjuni Atij nëpërmjet tyre dhe distancohuni nga ata që bëjnë shtrembërime në emrat e Tij. Ata kanë për t’u “shpërblyer” për veprimet e tyre.
  181. Ndër ata që Ne krijuam, ka edhe njerëz që udhëzojnë në të vërtetën dhe mbajnë drejtësi sipas saj.
  182. Ndërsa ata që i mohojnë Shpalljet Tona, Ne do t’i shpiem dalëngadalë drejt shkatërrimit, pa e kuptuar.
  183. Atyre do t’u jap afat, se me të vërtetë plani Im është i fuqishëm.
  184. A nuk janë menduar ndopak, se shoku i tyre nuk është aspak i marrë?! Ai është vetëm një paralajmërues i qartë.
  185. A nuk vështrojnë ata në mbretërinë e qiejve dhe të tokës dhe në gjithçka që ka krijuar Allahu?! Ndoshta afati i tyre tashmë është afruar. Atëherë, cilës fjale, veç këtij, do t’i besojnë?
  186. Për ata që Allahu i lë në humbje, nuk ka udhëzues. Ai do t’i lërë ata të enden në mosbesimin e tyre.
  187. Të pyesin ty rreth Orës, se kur do të ndodhë. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im. Kohën e saj nuk mund ta zbulojë kush, veç Tij. Kjo çështje është shumë serioze për ata në qiej dhe në tokë. Ajo ka për të ardhur veçse befas. Ata të pyesin ty, sikur ti ke dije rreth saj. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
  188. Thuaj: “Unë nuk kam në dorë t’i bëj mirë e as keq vetes sime, përveç ashtu siç do Allahu. Sikur ta dija gajb-in, do t’i shumoja për vete të mirat e nuk do të më prekte asgjë e keqe. Unë jam veçse një qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë.”
  189. Allahu është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm, prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij, për t’u qetësuar tek ajo. Kur njeriu e mbuloi gruan e tij, ajo u ngarkua me një barrë të lehtë dhe ashtu vazhdoi me të. Por kur ajo u bë e rëndë, ata të dy e lutën Allahun, Zotin e tyre: “Nëse na jep pasardhës të mirë, do të të jemi vërtet mirënjohës!”.
  190. Por pasi Ai u dhuroi atyre pasardhës të mirë, ata i përshkruan Atij ortakë në atë që u dhuroi. I Dëlirë dhe i Lartësuar është Allahu nga ajo që ata ia përshkruan si ortakë!
  191. Mos vallë, po i përshkruajnë Atij si ortakë ata që nuk mund të krijojnë asgjë, madje edhe ata vetë janë të krijuar?!
  192. Ata nuk mund t’u sjellin atyre ndonjë ndihmë, madje as veten e tyre nuk mund ta ndihmojnë.
  193. Edhe nëse i ftoni për t’i udhëzuar, ata nuk ju përgjigjen. Për ju është njëlloj, i thirrët ata apo nuk i thirrët.
  194. Nuk ka dyshim se ata që ju po i adhuroni veç Allahut, janë të krijuar, sikurse edhe ju. Lutjuni atëherë atyre, dhe le t’ju përgjigjen, nëse e thoni të vërtetën.
  195. A kanë ata këmbë për të ecur? A kanë duar për të kapur? A kanë sy për të parë? A kanë veshë për të dëgjuar? Thuaj: “Thirrini idhujt tuaj, thurni plane kundër meje dhe mos pritni aspak!”.
  196. Mbrojtësi im është Allahu, i Cili e zbriti Librin dhe që kujdeset për të mirët.
  197. Ndërsa ata të cilëve ju u luteni veç Tij, nuk kanë mundësi për t’ju ndihmuar, madje as veten e vet nuk mund ta ndihmojnë.
  198. Nëse i ftoni në rrugën e drejtë, ata nuk dëgjojnë. Ata duken se të vështrojnë, por në të vërtetë ata nuk shohin.
  199. Pranoje atë që të falin, urdhëro për mirësi dhe rri larg nga të paditurit.
  200. E nëse të ngacmon Shejtani me ndonjë vesves, kërko mbrojtje tek Allahu, sepse Ai është Dëgjues dhe i Ditur.
  201. Vërtet, të devotshmit, kur i prek ndonjë iluzion nga Shejtani, bëjnë dhikër dhe atëherë arrijnë të shohin qartë.
  202. Ndërsa vëllezërit e tyre, ata i shtyjnë për në humbje dhe nuk u ndahen.
  203. Kur nuk u sjell ndonjë mrekulli, ata thonë: “Përse nuk zgjedh një nga ato?” Thuaju: “Unë i përmbahem vetëm asaj që më shpallet nga Zoti im. Ky është argument nga Zoti juaj. Ai është udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.
  204. Kur lexohet Kurani, ju dëgjojeni me vëmendje dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.
  205. Zotin tënd përmende në vete, me respekt e me drojë, jo me zë të lartë, në mëngjes e në mbrëmje dhe mos u bëj i shkujdesur.
  206. S’ka dyshim se ata që janë pranë Zotit tënd nuk tregojnë mendjemadhësi për adhurimin ndaj Tij. Ata e madhërojnë Atë dhe vetëm Atij i bëjnë sexhde.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …