059. EL HASHR

El Hashr (medinase) 24 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Allahun e madhëron me tesbih gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë; Ai është Ngadhënjyesi, i Urti.
  2. Është Ai që i nxori prej shtëpive të tyre ata ithtarë të Librit që nuk besuan, në kohën e dëbimit të parë. Ju nuk menduat se ata do të dilnin, ndërsa ata menduan se fortifikatat e tyre do t’i mbronin prej ndëshkimit të Allahut. Por dënimi i Allahut u erdhi andej nga nuk e prisnin, duke futur frikë në zemrat e tyre. Ai i bëri që t’i prishnin shtëpitë e veta me duart e tyre, si edhe me duart e besimtarëve. Prandaj mësoni nga kjo, o ju të mençur!
  3. Sikur Allahu të mos kishte caktuar për ta shpërnguljen, do t’i ndëshkonte që në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër ata i pret dënimi i Zjarrit.
  4. Këtë, për shkak se ata iu kundërvunë Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kushdo që i kundërvihet Allahut, le të jetë i sigurt se Allahu është Ndëshkimfortë.
  5. Çdo palmë që e keni prerë apo e keni lënë në këmbë, e keni bërë veçse me lejen e Allahut, për t’i poshtëruar e mposhtur të prishurit!
  6. Për gjithçka që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë prej tyre, ju nuk u hipët as kuajve e as deveve, sepse është Allahu Ai që i bën të dërguarit e Vet triumfues kundër kujt të dojë. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.
  7. Çfarëdo pasurie që Allahu ia dhuroi pa luftë të Dërguarit të Tij si plaçkë nga jobesimtarët, ajo i takon Allahut, të Dërguarit, farefisit të tij, jetimëve, të varfërve e udhëtarëve të mbetur në rrugë, që ajo të mos mbetet vetëm ndërmjet pasanikëve tuaj. Çfarë t’ju japë Pejgamberi, merreni, e çfarë t’ju ndalojë, largojuni prej saj dhe kini drojë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Ndëshkues i ashpër.
  8. Ajo u takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive dhe pasurisë së tyre, për shkak se kërkonin mirësinë e kënaqësinë e Allahut dhe që të ndihmonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht këta janë të vërtetët!
  9. Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para tyre, të cilët i duan ata që emigruan tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre. Madje ata u japin përparësi atyre para vetvetes, edhe sikur të kenë vetë nevojë të domosdoshme. Kush u ruajt prej koprracisë së vetes, ata janë të fituarit!
  10. Edhe atyre që kanë ardhur më pas e thonë: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë, që u pajisën me besim para nesh, dhe mos lejo në zemrat tona urrejtje ndaj atyre që besojnë! Zoti ynë, Ti je i Butë e Mëshirues!”
  11. A nuk e di se ata që u bënë munafikë, u thanë vëllezërve të vet nga ithtarët e Librit, që nuk besojnë: “Nëse ju dëboheni, edhe ne do të dalim me ju! Gjithashtu, për çështjen tuaj, ne nuk do t’i bindemi askujt! Nëse luftoheni prej dikujt, të jeni të sigurt se ne do t’ju ndihmojmë!” Por Allahu dëshmon se ata janë gënjeshtarë!
  12. Nëse ata do të dëbohen, këta nuk do të dalin së bashku me ata, dhe sikur ata të luftohen, këta nuk do t’i ndihmojnë. Por edhe sikur t’i ndihmojnë, shpejt do të kthejnë shpinën, e kështu miqtë e tyre do të mbeten pa ndihmë.
  13. Ju, në zemrat e tyre, jeni frikë më e madhe se Allahu. Kjo për shkak se ata janë popull që nuk kuptojnë.
  14. Ata, të gjithë së bashku, nuk kanë guxim t’ju luftojnë, vetëm kur gjenden në ndonjë vend të fortifikuar ose pas mureve. Pasiguria mes tyre është e madhe. Të duket sikur janë të bashkuar, por në fakt janë me zemra të përçara, sepse janë njerëz që nuk logjikojnë.
  15. Ashtu si populli jo shumë larg më parë, të cilët vuajtën pasojat e veprimeve të tyre, edhe ata do të kenë një dënim të rëndë.
  16. Ata i përngjajnë Shejtanit, që i thotë njeriut: “Moho fenë!”, e kur ky mohon, ai tërhiqet duke thënë: “Unë distancohem prej teje, se unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë!”
  17. Dhe kështu, përfundimi i të dy palëve është në Zjarr, ku do të jenë përgjithmonë. Ky është ndëshkimi i zullumqarëve!
  18. O ju që keni besuar, jini të devotshëm ndaj Allahut! Gjithashtu, le të shikojë njeriu se çfarë ka përgatitur për nesër! Kini drojë Allahun! Nuk ka dyshim se Allahu është i Dijshëm në detaje rreth asaj që ju bëni!
  19. Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, prandaj Allahu i bëri që të harrojnë vetveten! Ata janë të degjeneruarit.
  20. Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit.
  21. Sikur ta zbrisnim këtë Kuran mbi ndonjë mal, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, me qëllim që ata të mendojnë.
  22. Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me meritë! Ai është Njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes! Ai është Mëshirëploti, Mëshiruesi!
  23. Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me meritë! Ai është Sunduesi i përgjithshëm, i Pastër nga çdo e metë, Shpëtimtari, Siguruesi, Mbikëqyrësi, Ngadhënjyesi, Mbizotëruesi, Krenari! I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë!
  24. Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi! Atij i takojnë emrat më të bukur! Atë e madhëron çfarë ka në qiej e në Tokë! Ai është Ngadhënjyesi, i Urti!

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *