Shtëpia / Jeta e Muhamedit (S.A.V.S) / Fëmijëria jetim

Fëmijëria jetim

12141767_847244542039854_4366962078726679701_n

Në moshën trevjeçare Muhamedi (s.a.v.) u kthye në Mekë që të jetojë me të emën. Tre vjet më vonë Amineja vendosi që ta marrë të birin që të vizitojë dajat e tij në Jethrib. Ajo i tha shërbëtores së vet, Berekesë që të përgatisë çdo gjë të nevojshme për një udhëtim të gjatë e pastaj iu bashkangjit njërit prej karvaneve që ishin nisur për atje.Ata qëndruan në Jethrib afër një muaj ndërsa Muhamedi (s.a.v.) u gëzua shumë që i vizitoi kushërinjtë. Atje klima ishte shumë e përshtatshme, kurse ai u mësua të notojë dhe t’i fluturojë fluturaket. Mirëpo, duke u kthyer prapë në Mekë Amineja sëmuret dhe vdes.Ajo varroset në fshatin el Ebue, jo fort larg Jethribit. I pikëlluar, Muhamedi (s.a.v.) së bashku me shërbëtoren e së ëmës kthehet në Mekë. Tani ai ishte vetëm gjashtë vjeç dhe kishte humbur të dy prindërit. Atë pastaj e mori gjyshi i tij Abdulmuttalibi, i cili e donte shumë ndaj çdo herë e përkrahte.Abdulmuttalibi e kishte zakon që të rrinte pranë Qabes i ulur mbi një batanije. Atje çdoherë ishte i rrethuar nga njerëz që vinin për të biseduar me të. Askush nuk e kishte të lejueshme që të ulej në batanije pranë tij përveç nipit te vet Muhamedit (s.a.v.) që tregon se sa të afërt ishin ata ndërmjet tyre. Shpesh herë mund të dëgjohej Abdulmuttalibi duke thënë: “Ky djalë, një ditë do të bëhet shumë i rëndësishëm.”

Pas dy vjetësh Abdulmuttalibi u sëmur ndërkaq Muhamedi (s.a.v.) tërë kohën qëndroi pranë tij. Abdulmuttalibi i tha të birit Ebu Talibit që pas vdekjes së tij të kujdeset për Muhamedin (s.a.v.) gjë të cilën ai e bëri. Ebu Talibi kishte shumë fëmijë mirëpo Muhamedi (s.a.v.) menjëherë u bë pjesë e familjes së tij dhe fëmija më i dashur.

Erdhi koha që kurejshët të përgatisin karvanin e tyre për të shkuar në Siri.Me të shkonte edhe Ebu Talibi, i cili me vete mori edhe Muhamedin (s.a.v.).Ky qe udhetimi i parë i Muhamedit (s.a.v.) për në veri. Pas disa ditësh udhëtimi, karvani arriti deri në një vend afër Sirisë, i njohur për nga tregtia që romakët bënin me arabët. Afër këtij tregu jetonte një murg i quajtur Behira. Qelia e tij ishte shfrytëzuar nga gjeneratat e murgjve para tij dhe përmbante shumë dorëshkrime të lashta.Behira e pa karvanin nga larg dhe u habit kur pa se mbi të qëndronte një re e bardhë. Ajo ishte reja e vetme në qiellin e kthjellët e të kaltër dhe ishte paraqitur me qëllim që udhëtarëve t’u bënte hije.Murgu edhe më tepër u befasua kur vërejti se reja që ndiqte karvanin, çdo herë zhdukej kur njeriu, të cilit ajo i bënte hije, ulej nën hijen e ndonjë druri.Nga shkrimet e vjetra, Behira e dinte se pas Isait a.s., pritej të vinte një i dërguar dhe dëshira e tij ishte që ta shohë këtë të Dërguar para se të vdesë.Kur e kuptoi se e tërë kjo që ndodhi para pak çastesh ishte një mrekulli, ai filloi të mendojë se më në fund, dëshira e tij do të plotësohej.Murgu i ftoi mekasit që të vijnë dhe të hanë me të. Arabët u befasuan ngaqë ata shpesh kishin kaluar pranë, mirëpo Behira nuk i kishte ftuar asnjëherë.
Kur u mblodhën për të ngrënë, murgu pyeti: “A jeni të gjithë?” “Jo!” tha dikush. “Një djalë mbeti që të ruajë devetë.”Behira nguli këmbë që edhe djali të bashkohej me ta. Ai djalë ishte Muhamedi (s.a.v.). Kur arriti ai, Behira nuk tha asgjë, por gjatë tërë kohës së drekës, vetëm e shikonte. Ai vërejti shumë gjëra, të cilat cekeshin edhe në dorëshkrimet e vjetra lidhur me paraqitjen e tij. Pastaj e tërhoqi Muhamedin (s.a.v.) mënjanë dhe i bëri shumë pyetje. Së shpejti kuptoi se ç”ndien ai rreth idhujve të Qabes. Kur Behira u përpoq ta binde që të betohet mbi to, ashtu siç bënin edhe arabët e tjerë, Muhamedi (s.a.v.) i tha:” Nuk ka gjë në botë, të cilën e urrej më tepër.” Ata biseduan së bashku për Allahun dhe rreth jetës dhe familjes së Muhamedit (s.a.v.).Nga e tërë ajo që u tha, Behira u bind se ky me të vërtetë është i Dërguari që vjen pas Isait. Pastaj murgu shkoi te Ebu Talibi dhe e pyeti se ç’e kishte Muhamedin (s.a.v.). Ebu Talibi iu përgjigj se Muhamedi (s.a.v.) ishte biri i tij. Behira ia ktheu se nuk mund të jetë kështu, se fëmija është i paracaktuar të jetojë jetim, dhe pastaj e urdhëroi që ta ruajë Muhamedin (s.a.v.) dhe të kujdeset mirë për të.

Ka shumë rrëfime për rininë e Muhamedit (s.a.v.). Disa tregojnë se ai i ka marrë delet e familjes dhe i ka kullotur, dhe çdoherë ka qenë i sjellshëm me to. Ndërkohë që ato kullosnin, ai ulej duke menduar për fshehtësinë e natyrës. Për dallim nga njerëzit rreth tij, ai kurrë nuk i adhuroi idhujt dhe kurrë nuk u betua në ta. Ai gjithashtu habitej se përse njerëzit luftojnë për të holla dhe për pushtet dhe kjo e pikëllonte shumë dhe e bënte të vetmuar, mirëpo këto ndjenja ai i ruante për vete. Ai ishte një djalë i qetë dhe i thelluar në mendime, dhe rrallëherë luante me moshatarët e vet.

Njëherë, Muhamedi (s.a.v.) me disa djem të tjerë shkuan në një dasmë në Mekë. Kur arritën në shtëpi, ai dëgjoi zërin e këngës dhe të valles, mirëpo në çastin kur duhej të hyjë brenda, papritmas e ndjeu veten të lodhur dhe ashtu të ulur e zuri gjumi. Ai nuk u zgjua deri të nesërmen në mëngjes kështu që nuk arriti t’i shohë ceremonitë.Në këtë mënyrë Allahu e parandalonte atë që të mos bëjë diçka të papëlqyeshme, sepse Ai e ruante Muhamedin (s.a.v.) për diçka shum më të
rëndësishme.

Postimi i radhës

Fëmijët e Ismailit

Gjatë shumë viteve edhe fëmijët e Ismailit patën fëmijë të tyre. Pasardhësit e tij u …