Dijetarët kanë mendime të ndryshme, nëse Shuajbi a.s u dërgua para Junusit a.s apo pas tij. Shuajbi a.s ishte profet arab dhe ishte biri i Medjenit, birit të Medjanit, birit të Ibrahimit a.s. Kështu, ai është nga pasardhësit e profetit Ibrahim a.s.
Ai lindi dhe u rrit në fisin Medjen dhe në fshatin Medjen. Fshati i tij Medjen, ndodhej pranë qytetit Mean, në afërsi me liqenin e Lutit, ku ishte ndëshkuar populli i Lutit a.s. Ky liqen ishte formuar pasi Zoti e ndëshkoi popullin e Sedomit. Kur Xhibrili a.s e ngrit lart vendbanimin e tyre dhe e përmbysi, nga forca e madhe e përplasjes, aty u formua një gropë gjigande dhe më pas u mbush me ujë duke formuar një liqen, që njihet si liqeni i Lutit a.s.
Populli i Shuajbit a.s ishin popull jobesimtar dhe kriminelë. Ata adhuronin idhujt dhe plaçkitnin udhëtarët. Ata kishin ngritur dogana në rrugë dhe kushdo që kalonte, duhej t’u paguante një të dhjetën e pasurisë. Nëse dikush refuzonte, ia merrnin forcërisht. Populli i Shuajbit a.s merreshin me tregti, por mashtronin dhe bënin me hile.
Të gjithë profetët, përveç përmbushjes së mesazhit hyjnor për të ftuar njerëzit në adhurimin e një Zoti të vetëm, kishin dhe rol edukativ, moral, social, politik, ekonomik etj… Kështu, profeti Musa a.s u përball me tiraninë dhe dhunën e faraonit, i cili shtypte padrejtësisht Benu Israilët. Profeti Lut a.s luftoi me një çështje morale dhe sociale. Kurse profet Shuajb a.s do të luftojë për një çështje ekonomike. Feja nuk është vetëm adhurim, rite dhe besim me zemër. Ajo përfshin dhe jetën e përditshme dhe i lufton fenomenet negative që përhapen.
Përveç se bënin hile në shitblerje, populli i Shuajbit a.s ishin dhe idhujtarë, pasi adhuronin një pemë, e cila quhej Ejke. Për këtë, ky popull njihet me emrin njerëzit e Ejkes dhe përmenden dhe në Kuran.
“Por edhe banorët e Ejkes ishin keqbërës,” (Hixhr, 78)
“Edhe banorët e Ejketit i quajtën gënjeshtarë të dërguarit,” (Shuara, 176)
Në fakt, ata përgënjeshtruan Shuajbin a.s, por të përgënjeshtrosh një profet, ke përgënjeshtruar të gjithë profetët. Kjo, pasi thirrja dhe mesazhi i tyre ishte një i vetëm, besimi dhe adhurimi i një Zoti të vetëm.
Shuajbi a.s u fliste njerëzve rreth Zotit dhe i ftonte ta besojnë dhe adhurojnë Atë.
“Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllain e tyre, Shuajbin, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj – të gjithë profetët pajiseshin me mrekulli të caktuara, të cilat nuk mund të bëheshin nga njerëzit e thjeshtë, si ringjallja e të vdekurit, shkop që shndërrohej në gjarpër etj…Mrekullitë e pranuara në fe, u ndodhnin vetëm njerëzve të ndershëm dhe të mirë si profetët. Këto mrekulli ndodhnin me kërkesën e profetëve si sfidë ndaj popujve të tyre – prandaj matni dhe peshoni saktë– mos bëni hile në peshore dhe mos i mashtroni blerësit –, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë! Mos zini pusi në çdo rrugë, duke frikësuar dhe penguar nga rruga e Allahut ata që besojnë tek Ai dhe duke kërkuar shtrembërimin e saj! Kujtoni atëherë kur ishit të paktë në numër e Ai ju shumoi. – numri i tyre ishte shumë i ulët fillimisht dhe Zoti i shtoi – Shikoni si përfundojnë ngatërrestarët – u kujtonte atë që i ndodhi popullit të Lutit a.s -! (Araf, 85-86)
Kurse në suren Hud, Salihu a.s u thotë veç të tjerave:
“Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” (Hud, 88)
Kurse ata i përgjigjeshin me mendjemadhësi dhe arrogancë:“Ata thanë: “O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam? Qenke njëmend i butë dhe i drejtë ti!” (Hud, 87)
Janë fjalë të cilat kanë jehonë akoma në vendet dhe kohën ku jetojmë. A nuk kemi dëgjuar kushedi sa herë që njerëzit tanë të na thonë: E ç’qenka kjo fe që përzihet në ekonominë dhe politikën e vendit?!” Një reagim i tillë, e ka burimin tek populli jobesimtar i Shuajbit a.s.
Lidhur me fjalinë e fundit të ajetit:”Qenke njëmend i butë dhe i drejtë ti!” Abdullah ibnu Abasi thotë:”E thanë për t’u tallur me Shuajbin.”
Kur konstatoi përqeshjet dhe talljet e tyre, Shuajbi a.s filloi t’i paralajmërojë:
“O populli im, kundërshtimi ndaj meje le të mos ju çojë kurrsesi që t’ju ndodhë ajo, që i ndodhi popullit të Nuhut ose popullit të Hudit apo popullit të Salihut; mos harroni se edhe populli i Lutit nuk është larg prej jush.” (Hud, 89)
Ndëshkimi i popullit të Lutit a.s ishte i freskët në mendjet e tyre.
“Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” (Hud, 90)
“Nëse një grup mes jush beson në mesazhin me të cilin jam dërguar, ndërsa grupi tjetër nuk beson, duroni derisa Allahu të gjykojë midis nesh! Ai është gjykatësi më i mirë!” (Araf, 87)
Edhe pse i paralajmëroi dhe u foli mbi pasojat e mosbesimit, ata nuk zunë mend. Madje i përgjigjeshin me cinizëm dhe tallje.
“Ata thanë: “Ti je vetëm një i magjepsur. Ti je vetëm një vdekatar, si ne. Në të vërtetë, Ne mendojmë se ti je gënjeshtar; andaj, lësho mbi ne një copë nga qielli, nëse thua të vërtetën!”(Shuara, 185-187)
Tashmë fillojnë sfidat mes Shuajbit a.s dhe popullit të tij. Është e njëjta metodë që kanë ndjekur dhe popujt e mëparshëm me profetët e tyre.
“Paria arrogante e popullit të tij tha: “O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë ose do t’ju dëbojmë nga qyteti ynë ty me gjithë ndjekësit e tu. Shuajbi tha: “Edhe pse e urrejmë atë?!”. (Araf, 88)
Shuajbi a.s e intensifikoi thirrjen dhe lutjet me qëllim që t’i shpëtojë nga ndëshkimi, por ata refuzonin sërish, madje nuk pranonin as ta dëgjojnë më. Kur Shuajbi i fliste dikujt për fenë, ai e dëgjonte i shkujdesur. Në fund i thoshte që nuk kam kuptuar asgjë nga ato që më the o Shuajb. Ai ia përsëriste sërish dhe përsëri e njëjta përgjigje. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:”Ata thanë: “O Shuajb, ne nuk kuptojmë shumë nga ato, që na thua ti dhe të konsiderojmë të dobët midis nesh. Sikur të mos ishte farefisi yt, do të të kishim mbytur me gurë; ti nuk je i respektuar te ne. Ai tha: “O populli im, a mos vallë farefisi im për ju është më i respektuar se Allahu, të cilin po e anashkaloni? Me të vërtetë, Zoti im, ka nën kontroll gjithçka që bëni ju.” (Hud, 91-92)
Si është e mundur që i frikësoheni fisit tim dhe nuk i frikësoheni Zotit?! Pas kësaj, Shuajbi a.s i sfidon dhe paralajmëron për herë të fundit njerëzit me fjalët:
“O populli im, bëni sa të mundni, por edhe unë do të bëj. Ju, shpejt do ta mësoni se kë do ta gjejë dënimi që do ta poshtërojë dhe kush është gënjeshtar. Pritni (dënimin), se edhe unë do të pres me ju”. (Hud, 93)
Mandej Shuajbi a.s u lut me fjalët:”O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit
tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë!” (Araf, 89)
Kjo ishte një lutje që Zoti t’i jepte fund atij populli kokëfortë dhe ta pabindur.
Pas kësaj lutjeje, filloi dënimi i Zotit mbi popullin e Medjenit. Nuk ishte vetëm një lloj dënimi, por disa llojesh. Me këtë, sikur Zoti kërkon të na tregojë mbi fuqinë e Tij absolute për gjithçka. Ne pamë sesi Zoti e shkatërroi popullin e Adit me anë të erës. “kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese të rreptë, të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?” (Hakka, 6-8)
Kurse popullin e Shuajbit a.s, Zoti e shkatërroi me të kundërtën e erës. Dënimi filloi me ndaljen e erës, ku nuk lëvizte asgjë. Kjo gjendje vazhdoi për ditë të tëra, ajri u pakësua dhe mezi mbusheshin me frymë. Pas disa ditësh, njerëzit dallojnë një re matanë fshatit të tyre. Menjëherë burra, gra e fëmijë dolën dhe qëndruan nën hijen e saj për t’u freskuar. Me t’u ulur, toka poshtë tyre filloi të lëkundej dhe të dridhej. Të gjithë ranë në gjunjë nga dridhjet. Mandej vjen Xhibrili a.s dhe u ulërin fort në vesh. Nga kjo, mbetën të gjithë të vdekur në vend.
“Ata vazhduan të mos e besojnë, prandaj i goditi dënimi Ditës së Hijes. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe.” (Shuara, 189)
Dënimi u erdhi sikur e kërkuan nga Shuajbi a.s, kur i thanë:“lësho mbi ne një copë nga qielli.”
“Por, ata e përgënjeshtruan atë, prandaj i goditi një tërmet i tmerrshëm e si pasojë u gdhinë në vendbanimin e tyre të vdekur e të gjunjëzuar.” (Ankebut, 37)
“Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e shpëtuam me mëshirën Tonë Shuajbin dhe ata që i besuan atij, kurse mohuesit i kaploi një zë i tmerrshëm dhe në shtëpitë e tyre u gdhinë të vdekur e të palëvizshëm, thuajse nuk kishin jetuar kurrë aty. Qoftë larguar (nga mëshira e Zotit) populli i Medjenit, ashtu siç qe larguar edhe fisi Themud!” (Hud, 94-95)
Shuajbi a.s qëndroi diku larg popullit të tij të cilin e kishte kapluar ndëshkimi dhe me dhimbje tha:“O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!” (Araf, 79)
Pasi përfundoi dënimi, profeti Shuajb a.s bashkë me besimtarët e tij u kthye në vendbanimet e popullit të tij, të cilat nuk ishin shkatërruar. Ai jetoi në Medjen, ku njerëzit filluan ta popullojnë sërish. Shumica e tyre tashmë ishin besimtarë. Jobesimtarë ishin vetëm ata që u vendosën në Medjen nga vendet përreth. Është pikërisht ky vend, Medjeni, vendi ku Musai a.s qëndroi për disa vite.