Historia e Profetit Joshua a.s

Pas vdekjes së Harunit dhe Musait a.s, ishte Joshua bin Nuan ai që udhëhoqi Benu Israilët. Siç e kemi cekur dhe më lart, dijetarët kanë mendim pothuajse unanim që edhe ai ishte profet. Joshua rridhte nga familja e Jusufit a.s. Ai i qëndronte pranë Musait a.s, prej të cilit merrte dije dhe studionte Teuratin.

Me të përfunduar periudha e humbjes në shkretëtirë, Joshua a.s u drejtua bashkë me popullin e tij drejt Jeruzalemit, të cilin ua kishte premtuar Zoti. Dyzet vite të humbur në shkretëtirë, kishin shërbyer si mësim për të mos kundërshtuar urdhrat dhe dispozitat e Zotit. Tashmë, brezi që kishin adhuruar viçin kishin vdekur të gjithë dhe kishte lindur një brez i ri. Thotë profeti Muhamed a.s:”Nga ata që adhuruan viçin, nuk kishte mbetur asnjë syresh.”
Joshua me popullin e tij e rrethojnë Jeruzalemin për gjashtë muaj. Beteja e fundit që zhvillohet mes dy ushtrive ndodhi ditën e premte. Siç dihet, Benu Israilët e kishin të ndaluar punën dhe luftën ditën e shtunë. Ata filluan ta ndjejnë superioritetin e tyre pasditen e ditës së premte. Nëse do të perëndonte dielli, atyre u duhej ta linin luftën, pasi me perëndimin e tij fillonte e shtuna. Duke konstatuar se dielli ishte në perëndim e sipër dhe fitorja akoma nuk ishte arritur, Joshua bin Nuni vështroi drejt tij dhe i tha:”Ti o diell je i urdhëruar, ashtu siç jam unë i urdhëruar. O Allah, ndaloje perëndimin e tij!”
Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu:”Dielli nuk është ndalur për asnjë njeri përveç Joshua bin Nun.”
Dielli e ndaloi lëvizjen e tij drejt perëndimit derisa Joshua bin Nun bashkë me ushtrinë hynë në Jeruzalem dhe shtrinë sundimin e tyre mbi qytet. Kjo ishte një mrekulli që u bashkohet mrekullive të tjera që kishin parë Benu Israilët.
Kur nisën të hyjnë në portat e qytetit, Joshua i urdhëroi të hynin të përulur para Zotit, duke thënë:”O Zot na i fal gjynahet tona!”
“Kujtoni kur thamë: “Hyni në këtë qytet dhe hani ç’të doni dhe sa të dëshironi, por, duke hyrë në qytet, përuluni në sexhde dhe thoni: “Falna!” që Ne t’jua falim gabimet. Atyre që bëjnë vepra të mira, Ne ua shtojmë shpërblimin.” (Bekare, 58)
Brezi i ri që luftoi me Joshuan a.s filluan të tallen me të dhe në vend që të luteshin për falje gjynahesh, filluan të përsërisin fjalën “elb”, e cila në hebraisht është e përafërt me fjalën “falje”. Kështu, në vend që të thonin “hitta” (falje) thonin “hinta” (elb).
“Por keqbërësit e ndryshuan fjalën që iu tha me një fjalë tjetër, prandaj Ne u sollëm atyre që bënë (këtë) padrejtësi një dënim nga qielli për mosbindjen e tyre.” (Bekare, 59)
Përveç kësaj, ata nuk hynë të përulur me kokë para, por hynë të përulur me të ndenjurat para, si shenjë talljeje. Këtë e shoqëronin me fjalët “elb” në vend të “falje”.
Që nga ky moment, Benu Israilët fillojnë të shtojnë dhe heqin nga libri i tyre i shenjtë Teurati.
Si ndëshkim për atë që vepruan, Zoti u dërgoi një murtajë të rëndë e cila shfarosi brenda një dite më shumë se njëzet mijë prej Benu Israilëve. Të frikësuar për atë që u ndodhi, harruan gjithçka dhe filluan t’i përgjërohen Zotit me lutje.
Me kalimin e viteve e dekadave dhe pas vdekjes së Joshuas, pushteti fetar që drejtohej kryesisht nga profetët, filloi të ndahej nga pushteti politik. Pushtetit politik ishte në duart e pasardhësve të Jehodhas, djalit të Jakubit a.s. Ndërkohë që pushteti fetar (profetët) ishte në duart e pasardhësve të Iladhit, djalit i Jakubit a.s.
Joshua vdiq njëzet e shtatë vite pas vdekjes së Musait a.s. Mosha e Joshuas kur vdiq ishte njëqind e njëzet e shtatë vjeç.

Postimi i radhës

Milingona dhe Mjalti

Rrugës duke ecur milingona pa një copë mjalti. U ndal, e provoi dhe deshi të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *