Pas kushedi sa vitesh e shekujsh, mes Benu Israilëve shfaqet një familje e mirë dhe e ndershme, pasardhës së Jakubit dhe Ibrahimit a.s. Kjo familje ishte ajo e Imranit, e cila ceket dhe në suret e Kuranit. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
“Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre). (Ata ishin) pasardhës të njëri – tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Al Imran, 33)
Imrani, emri i të cilit përmendet në këtë ajet, është nga pasardhësit dhe pinjollët e profetit Daut a.s. Ai kishte një vajzë me emrin Ashia, e cila është motra e Merjemes a.s (Marisë). Ashia është gruaja e profetit Zekeria a.s dhe tezja e profetit Isa a.s (Jezusit). Tregon profeti Muhamed a.s lidhur me udhëtimin e Miraxhit, ku ndër të tjera thekson:”Kalova dhe pranë dy kushërinjve (djem tezesh) Jahja a.s (Gjon pagëzori) dhe Isai a.s…”
Lindja e Merjemes a.s
Historia e Merjemes a.s fillon me nënën e saj e cila ishte e paaftë për të lindur. Një ditë, ajo sheh një harabel duke ushqyer të vegjlit e tij, gjë e cila ia shtoi më shumë dëshirën për t’u bërë nënë. Për këtë, ajo u betua se nëse do të mbetej shtatzënë dhe do lindte një fëmijë, do ia kushtonte Zotit dhe fesë së Tij.
“Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” (Al Imran, 35)
Ndërkohë, Zekeria a.s ishte transferuar nga Damasku në Jerusalem, për t’i shërbyer shtëpisë së shenjtë. Asokohe, ishte bërë traditë që familjet t’ua kushtonin një djalë të shtëpisë shërbimeve që kërkonte vendi i Shenjtë. Fëmijët merreshin në dorëzim nga murgjërit, të cilët përkujdeseshin, i edukonin, u mësonin Teuratin, i përgatisnin për murgjër që më pas t’i shërbenin shtëpisë së shenjtë. Edhe gruaja e Imranit, u betua se nëse mbetet shtatzënë, djalin që do të lindë do ia kushtojë shtëpisë së shenjtë. Dhe në fakt, ajo mbeti shtatzënë, por kur lindi foshnja ishte femër dhe jo mashkull. Ishin vetëm meshkujt ata që i kushtoheshin shërbimit të shtëpisë së shenjtë, kurse femrat ishin të përjashtuara.
“E kur ajo lindi, tha: “Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, – e mashkulli nuk është si femra.” (Al Imran, 36)
Ndërkohë, vetë Imrani, babai i Merjemes së porsalindur, ishte kryemurgu i shtëpisë së Shenjtë në Jeruzalem. E shoqja u këshillua me Imranin lidhur me betimin e saj. Ai i tha:”Përderisa t’i je betuar se do ia kushtosh shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë, kështu le të jetë, edhe pse është femër.”
Me fjalët “e mashkulli nuk është si femra” Zoti kërkon ta lartësojë figurën e kësaj femre, Merjemes a.s. Mashkulli që gruaja e Imranit ia kishte kushtuar shtëpisë së Shenjtë, edhe sikur të lindte, nuk do të gëzonte statusin dhe madhështinë e Merjemes a.s.
Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar”. (Al Imran, 36)
Thotë profeti Muhamed a.s:”Çdo foshnje që lind nga bijtë e Ademit ngacmohet nga shejtani me gishtin e tij. Përjashtim ka bërë Merjemeja, vajza e Imranit dhe djali i saj Isai.” (Buhariu, Muslimi, Ahmedi etj…)
“Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë” (Al Imran, 37)
Kështu, Merjemeja i përkushtohet tërësisht shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë që kur ishte foshnje.
Ishte bërë traditë, që kur në Shtëpinë e Shenjtë sillej një foshnje, për t’i shërbyer më pas Shtëpisë së Shenjtë, i dorëzohej njërit prej murgjërve që të kujdesej dhe ta edukonte. Kur mbërriti Merjemja, secili nga murgjërit donte ta merrte për vete. Zakonisht, kur të gjithë donin ta merrnin një foshnje, ata e lusnin Zotin që t’i frymëzojë se kush e meritonte më shumë. Kështu, Zoti i frymëzonte në mënyra të ndryshme se cili duhej të ishte kujdestari. Në rastin e Merjemes nuk ndodhi kështu. Duke para ngulmimin e Zekerias për ta marrë Merjemen në kujdestarinë e tij, ata vendosën të hedhin penat në rrjedhën e ujit. Nëse gjatë rrjedhës, dikujt do i shfaqej ndonjë mrekulli tek pena, ai e meritonte kujdestarinë e Merjemes. Kur u hodhën në rrjedhën e ujit, të gjithë penat ndoqën rrjedhën, kurse ajo e Zekerias çau në drejtim të kundërt me rrjedhën. Kjo ishte një mrekulli që Zekeria a.s ta merrte në kujdestarinë e tij. Diçka e tillë ceket dhe në Kuran, ku Zoti thotë:“Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin.” (Al Imran, 44)
Ishte mrekulli ajo që ndodhi me penën e Zekerias, por është mrekulli edhe fakti që këtë ndodhi e përmend Zoti në Kuran, në gojën e të dërguarit të tij të fundit, profetit Muhamed a.s.
“Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë” (Al Imran, 37)
Merjemeja gëzonte shëndet të mirë, pasi ajo rritej dhe zhvillohej më shpejt se bashkëmoshataret e saj. Kur lindi profetin Isa a.s, ajo ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, por që në pamje dukej si një grua me përvojë.
Në Shtëpinë e Shenjtë, ajo i ishte përkushtuar krejtësisht adhurimit dhe shërbimeve të përditshme. Zoti i kishte dhënë disa mrekulli, si shpërblim për përkushtimin dhe devocionin e saj.
“dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. (Al Imran, 37)
Thuhet që Zekeria a.s gjente në dhomën e Merjemes jo vetëm ushqime të ndryshme, por gjente në dimër fruta që piqeshin në verë dhe anasjelltas. Që në moshë të vogël, asaj iu shfaqën mrekulli.
“(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.” (Al Imran, 42)
“Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë.” (Maide, 75)
Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, Muslimi etj…, profeti Muhamed a.s thotë:”Gruaja më e mirë mbi tokë është Merjemeja vajza e Imranit. Gruaja më e mirë mbi tokë është dhe Hadixheja, vajza e Huvejlid-it.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Nga gratë e tokës, mjafton të përmendësh katër:”Merjemen vajzën e Imranit, Asijen, gruan e Faraonit, Hadixhen, vajzën e Huvejlidit dhe Fatimen vajzën e Muhamedit.”
Nga këto të katërta dhe nga të gjitha gratë e botës, Merjemeja padyshim që zë vendin e parë. Ajo ndiqet nga Fatimeja, vajza e Profetit a.s, pastaj Hadixheja bija e Huvejlid dhe në fund Asija, gruaja e faraonit.
Zekeria a.s uron të ketë një fëmijë
Duke parë mrekullitë që i ndodhnin Merjemes, edhe Zekeria a.s filloi të ushqejë dëshirën për t’u bërë baba. Në këtë kohë, ai ishte njëqind vjeç dhe ishte privuar nga të pasurit fëmijë. Vetë e shoqja ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeçe. Ai filloi ta lusë Zotin, që t’i japë një fëmijë. Këto lutje i ka regjistruar Zoti në Kuran:
Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij –
Zekerijas.
“Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë):“O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, – nga sjelljet e të afërmve të tij, ai frikësohej se mos nuk do i përkushtoheshin shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë dhe do të braktisnin fenë – ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!” (Merjem, 2-6)
Zoti i lartësuar ia pranoi lutjen, gjë e cila deklarohet dhe në Kuran:
“Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje).” (Enbija, 90)
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Me t’ia pranuar Zoti lutjen, gruas së Zekerias i erdhën menstruacionet.” edhe pse ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeçe.
Gjithashtu, ajo njihej si grua llafazane dhe paedukatë. Pasi ia pranoi lutjen Zekerias, Zoti ia hoqi edhe këto vese.
Edhe vetë melekët e përgëzuan Zekerian a.s për djalin që do i lindte. Thotë Zoti në Kuran:
“O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”. (Merjem, 7)
Pra, edhe emri i ishte vënë këtij djali. Ai ishte një emër që nuk njihej më parë, gjë e cila ceket dhe në ajet.
Zekeria a.s u çudit që do i lindë djalë në këtë moshë të shtyrë, ndërkohë që edhe e shoqja ishte sterile, e paaftë për të lindur.
“Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!” I tha: “Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”. (Zekerija) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” – Ai i kërkoi Zotit një shenjë që ta kuptojë se gruaja e tij është shtatzënë. Gjithashtu, i kërkoi një shenjë që Benu Israilët ta kuptojnë se ky fëmijë do e trashëgojë dijen e tij – Ai tha:“Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.” (Merjem, 8-10)
Shenja ishte e tillë, që edhe pse nuk kishte asnjë sëmundje fizike, Zekeria a.s nuk do të mund të fliste për tre ditë radhazi. Ai mund të komunikonte me njerëzit vetëm me shenja dhe duke lëvizur buzët. Thuhet që kur ishte fjala për adhurim dhe lartësim të Zotit, ai fliste dhe dëgjohej. Por kur donte t’u flasë njerëzve ngecte dhe e kishte të pamundur. Kjo i zgjati për tre ditë.
“Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje!” (Merjem, 11)
Në disa ajete të tjera në Kuran, Zoti flet me hollësi të tjera mbi Zekerian a.s dhe lutjen e tij për djalë.
“Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan): “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isain a.s.), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të mirëve”. (Al Imran, 38-39)
Pra, përveç Jahjas, Zoti i tregoi se do të vijë dhe një profet tjetër, Isai a.s, ku Jahja do i besojë dhe do e ndjekë.
“i dëlirë” d.m.th që nuk do të martohet, edhe pse është i aftë për këtë. Disa dijetarë mendojnë se Isai a.s ishte i paaftë për t’u martuar, por kjo nuk është e vërtetë.
“O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri.”(Merjem, 12)
Që në vegjëli, Jahja a.s ishte i mençur dhe nuk e harxhonte kohën kot. Në një hadith, thuhet se bashkëmoshatarët i thanë një ditë:”Eja me ne të luajmë!” Ai ua ktheu:”Nuk jemi krijuar për të luajtur.”
Lidhur me disa virtyte dhe cilësi të Jahjas, thotë Zoti në Kuran:“butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm. Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.”(Merjem, 13
Dijetarët thonë se ceket paqa, pasi janë tre momente kur njeriu ka më shumë nevojë për të, lindja, vdekja dhe dita e ringjalljes.
Në një hadith, thuhet se Isai a.s u takua me Jahjan dhe i tha:”Kërkoji Zotit falje për mua, pasi ti je më i mirë se unë!” Jahja ia ktheu:”Jo, ti kërko falje për mua. Ti je më i mirë se unë.” Isai a.s i tha:”Jo, ti je më i mirë. Unë kam përshëndetur veten time, kurse ty të ka përshëndetur vetë Zoti.”
Jahjan e kishte përshëndetur vetë Zoti në ajetin:”Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.”(Merjem, 13
Kurse Isai a.s përshëndet veten në ajetin:”Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33)
Padyshim që kjo është prej modestisë së profetit Isa a.s, pasi të gjithë dijetarët kanë mendim unanim se ai është më i mirë se Jahjai a.s.
Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith:”Nuk ka njeri që nuk ka gabuar, ose ka dashur të bëjë një të ligë, përveç Jahjait biri i Zekerias. Askujt nuk i takon të thotë se unë jam më i mirë se Junus ibnu Meta.”
Në shumë transmetime ceket fakti që Jahjai a.s ishte i ruajtur dhe i dëlirë nga veprat e liga.
Vrasja e Jahjas a.s
Zekeria dhe djali i tij Jahja vazhduan misionin e profetëve mes Benu Israilëve, duke i këshilluar dhe udhëzuar drejt besimit dhe vlerave morale. Pushteti politik asokohe ishte në duart e një mbreti tiran, të lig dhe jomoral. Ashtu siç ndodh me shumë pushtetarë në vendet islame sot, edhe ky mbret, manifestonte gjoja respekt dhe nderim për Zekerian, Jahjan dhe njerëzit e ditur të fesë.
Një ditë, ky mbret shpreh dëshirën për t’u martuar me vajzën e vëllait të vet. Vetë mbesës së tij i pëlqeu kjo, pasi do të bëhej mbretëreshë. Në shumë hadithe thuhet se kjo vajzë ishte e pamoralshme. Për këtë, ajo pati dhe mbështetjen e nënës së saj. E gjitha kjo, edhe pse e dinin që feja e tyre e ndalon martesën mes xhaxhait dhe mbesës së tij. Mbreti deshi që për rastin e tij të bëjë një përjashtim dhe i kërkoi Jahjas a.s që ta lejojë të martohet me mbesën. Kur dëgjoi kërkesën e tyre, Jahja a.s mbajti një predikim para gjithë njerëzve, ku deklaroi dhe një herë ndalesën e martesës së xhaxhait me mbesën e tij. Kjo, me qëllim që nëse mbreti martohet, njerëzit ta kuptojnë se ka shkelur një ligj të shenjtë.
Kjo sjellje e zemëroi pa masë mbretin, ashtu siç zemëroi dhe mbesën. Nëse do të martoheshin, kjo do të shkaktonte reagime të forta në popullatë. Kështu, mbreti hoqi dorë nga kjo ide. Por mbesa e tij nuk hiqte dorë nga froni i mbretëreshës. Një natë, ai filloi të këndojë për mbretin dhe të kërcejë. Mbreti e kërkoi për në shtrat, por ajo refuzoi duke i thënë:”Vetëm pasi të martohemi.” Mbreti i tha:”E si të martohemi, ndërkohë që Jahja e ka ndaluar këtë?!” Ajo iu përgjigj:”Më sill kokën e Jahjas si dhuratë martesore dhe i japim fund kësaj çështjeje.”
Aq shumë ishte dhënë pas saj, saqë në çast urdhëroi ushtarët t’i sillnin kokën e Jahjas. Menjëherë ushtarët u nisën drejt faltores së Jahjas a.s, i cili në ato çaste ishte duke u falur. Ata ia prenë kokën dhe ia sollën mbretit në një tepsi. Ai e mori kokën e Jahjas a.s, ia dorëzoi mbesës së tij dhe kështu u martuan.
Kjo ishte një sprovë e Zotit për profetët e tij. Koka e një profeti, i jepet si dhuratë martesore një gruaje të përdalë. Prandaj profeti Muhamed a.s thotë:”Njeriu do të sprovohet sipas besimit që ka.”
Vrasja e profetit Zekeria a.s
Pasi vranë Jahjan a.s, ushtarët – me urdhër të mbretit – u nisën për një mision tjetër, vrasjen e Zekerias a.s. Në shumë transmetime, të cilat nuk janë të sakta, por për shkak se janë të shumta po i përmendim, thuhet se Zekeria a.s u fsheh në trungun e një peme. Kur pema u mbyll, shejtani mbajti jashtë një copë të rrobave të Zekerias. Kur ushtarët arritën tek pema dhe nuk e gjetën, u shfaqet shejtani me pamje njeriu dhe u thotë:”A nuk po e shihni rrobën e tij brenda pemës? Sharrojeni pemën që ta vrisni!” Kështu u vra dhe profeti Zekeria a.s që të dy profetë të nderuar.