Shtëpia / Kur'an Shqip / 065. ET TALAK

065. ET TALAK

Et Talak (medinase) 12 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. O Profet! Nëse i ndani gratë, ndajini ato në prag të hyrjes së kohëpritjes së tyre! Kohën e pritjes llogariteni mirë dhe kini frikë Allahun, Zotin tuaj! Mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre dhe ato gjithashtu të mos dalin, vetëm nëse ato sillen haptas në mënyrë të shëmtuar. Këto janë ligjet e Allahut, e kush del jashtë ligjeve të Allahut, e ka dëmtuar rëndë vetveten. E ku mund ta dish ti, Allahu pas kësaj mund të sjellë diçka tjetër.
  2. E kur ato t’i afrohen mbarimit të afatit të tyre, atëherë ose mbajini si duhet, ose ndajini si është më e mira! Për këtë kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj. Dëshminë bëjeni me korrektësi e për hir të Allahut! Kështu këshillohet ai që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit. Kush tregon devotshmëri ndaj Allahut, Ai i jep rrugëzgjidhje për gjithçka
  3. dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret. Kush i mbështetet Allahut, mjaftohet me Të. Allahu ka për ta realizuar vendimin e Tij dhe Ai çdo gjë e ka përcaktuar me korrektësi.
  4. Për ato gra të cilave u është ndërprerë cikli mujor, nëse nuk jeni të sigurt për to, dijeni se koha e pritjes së tyre është tre muaj, e po kaq është edhe për ato që ende nuk u kanë ardhur menstruacionet. Ndërkaq, për shtatzënat, afati i pritjes është derisa ato të lindin. E kush i frikësohet Allahut, Ai ka për t’ia lehtësuar çështjet.
  5. Ky është gjykimi i Allahut, të cilin e shpalli për ju. Kush e ka frikë Allahun, Ai ia mbulon të këqijat dhe ia shton shpërblimin.
  6. to, sipas mundësisë suaj, vendosini në të njëjtin vend ku banoni edhe vetë, e mos i ngushtoni për t’i detyruar të dalin. Në qoftë se ato janë shtatzëna, atëherë furnizojini derisa të lindin fëmijën! Nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepuni atyre shpërblimin që u takon dhe urdhëroni njëri-tjetrin për mirë! Në qoftë se kini probleme mes jush, atëherë le ta ushqejë me gji një tjetër.
  7. Ai që është i pasur, le të shpenzojë sipas mundësisë së vet, e ai që ka pak pasuri, le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu! Allahu nuk ngarkon asnjë më tepër se sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Allahu sjell lehtësim.
  8. Sa e sa banorë të vendbanimeve të shumta, që u treguan kryeneçë ndaj urdhrit të Zotit të tyre dhe ndaj të dërguarve të Tij, Ne u kemi bërë një llogari të ashpër dhe u kemi dhënë një dënim të papërshkrue-shëm!
  9. Ata vuajtën pasojat e punës së vet dhe fundi i tyre qe shkatërrimi.
  10. Allahu ka përgatitur për ta dënim të rëndë, prandaj frikësojuni Allahut, o njerëz të mençur që keni besuar! Allahu ju solli një Përkujtues,
  11. një të Dërguar, që ju lexon Shpalljen e Allahut me shpjegime të qarta, për t’i nxjerrë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira prej errësirave në dritë. Kush i beson Allahut dhe bën vepra të mira, Ai do ta fusë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jetë përgjithmonë. Allahu ka për t’i dhënë atij një furnizim të mirë.
  12. Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe prej Tokës aq sa ata. Nëpër to zbret vendimi i Tij, për të qenë të bindur se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe se me të vërtetë Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen e Vet.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …