Shtëpia / Kur'an Shqip / 044. ED DUHAN

044. ED DUHAN

Ed Duhan (mekase) 59 ajete

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

  1. Ha, Mim.
  2. Betohem në Librin e qartë!
  3. Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Vërtet, Ne kemi qenë gjithmonë paralajmërues!
  4. Atëherë vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje e urtë,
  5. me urdhër nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne kemi dërguar gjithmonë profetë,
  6. si mëshirë nga Zoti yt. Me të vërtetë, Ai është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdijshmi.
  7. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet mes tyre, që të jeni të bindur.
  8. Nuk ka zot tjetër, veç Tij. Ai jep jetën dhe sjell vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i etërve tuaj të lashtë.
  9. Kurse ata dyshojnë e dëfrehen.
  10. Qëndro dhe prit ditën kur qielli të lëshojë një tym të qartë,
  11. që do t’i mbulojë njerëzit. Ky do të jetë një ndëshkim i dhimbshëm.
  12. “Zoti ynë! Largoje dënimin prej nesh! Ne tashmë jemi besimtarë!”
  13. E si mund të përfitojnë më ata nga këshillat, kur atyre u erdhi Profeti me mesazh të qartë,
  14. ndërsa ata i kthyen shpinën atij, duke thënë: “E kanë mësuar! Është i çmendur”.
  15. Ne do t’jua largojmë dënimin për pak kohë, por ju do t’i ktheheni përsëri të kotës.
  16. Ditën kur t’ju japim ndëshkimin e madh, atëherë do të hakmerremi!
  17. Përpara tyre, Ne sprovuam popullin e Faraonit, kur atyre u erdhi i dërguari i ndershëm.
  18. “M’i lini mua (u tha ai) robërit e Allahut, sepse unë jam një i dërguar besnik për ju.
  19. Mos u tregoni arrogantë ndaj Allahut, sepse unë po vij tek ju me shenja të qarta.
  20. Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj, që ju të mos më vrisni me gurë.
  21. Nëse nuk më besoni, atëherë distancohuni prej meje!”
  22. Ai iu lut Zotit të vet (duke iu ankuar): “Këta janë vërtet kriminelë!”.
  23. “Bashkë me adhuruesit e Mi udhëtoni gjatë natës, sepse ata do t’ju ndjekin nga pas!
  24. Lëre detin pas, ashtu si është, sepse ushtria e tyre do të përmbytet.”
  25. Sa e sa kopshte e burime lanë pas ata!
  26. Sa ara të mbjella e vende të bukura!
  27. Sa begati e stoli, në të cilat argëtoheshin!
  28. Të gjitha ato, Ne ua lamë trashëgim një populli tjetër.
  29. Për ta nuk vajtuan as qielli e as toka dhe as nuk iu dha afat!
  30. Ne i shpëtuam bijtë e Israilit prej dënimit poshtërues,
  31. prej Faraonit, i cili qe vërtet mizor dhe i shfrenuar!
  32. Ne, me dije të plotë, i zgjodhëm ata ndër popujt e tjerë
  33. e u dhamë shenja, të cilat ishin prova të qarta.
  34. Ata, me siguri, thonë:
  35. “Ajo që ekziston është veçse vdekja jonë e parë, pasi ne nuk do të ringjallemi!
  36. Përndryshe, na i sillni këtu etërit tanë, nëse thoni të vërtetën!”
  37. A janë këta më të mirë se populli i Tubbeit apo se pararendësit e mëhershëm të tyre, të cilët Ne i shkatërruam?! Ata ishin vërtet kriminelë!
  38. Ne nuk i krijuam qiejt, Tokën dhe ç’ka ndërmjet tyre për t’u zbavitur.
  39. Ne i krijuam ato veçse me një qëllim të caktuar, por shumica e tyre nuk dinë.
  40. S’ka dyshim se Dita e Kijametit është premtimi i pakthyeshëm për të gjithë.
  41. Atë ditë, miku nuk mund ta ndihmojë dot mikun, por as veten nuk do mund ta ndihmojë,
  42. përveç atyre që Allahu i ka mëshiruar. Pa dyshim, Ai është Ngadhënjyesi e Mëshirëploti.
  43. Është e vërtetë se pema e Zekumit,
  44. do të jetë ushqim i keqbërësve.
  45. Si tunxh i shkrirë, ajo u vlon në bark,
  46. ashtu sikurse vlon uji i nxehtë.
  47. “Rrëmbejeni atë dhe flakeni në mes të Zjarrit!
  48. Pastaj, mbi kokën e tij derdhni ujin e valë të ndëshkimit!”
  49. Shijoje këtë tani, t’i që ishe ai i forti e fisniku!
  50. Ky është ai që e vinit në dyshim!
  51. Vërtet, ata që i druhen Zotit, do të jenë në një vend të sigurt,
  52. me kopshte mirësie e me burime të rrjedhshme.
  53. Do të veshin rroba mëndafshi të hollë dhe të trashë e do të qëndrojnë ulur ballë për ballë njëri-tjetrit.
  54. Ja, kështu do të jetë! Ne do t’i martojmë ata me hyri symëdha.
  55. Atje do kërkojnë që t’ju sjellin çdo lloj frute. Atje do të ndihen të sigurt.
  56. Atje nuk do ta provojnë më vdekjen, përveç vdekjes së parë. Ai i ka ruajtur prej vuajtjeve të Xhehenemit.
  57. Kjo është dhuratë nga Zoti yt. Kjo është fitorja e madhe!
  58. Ne ua bëmë të lehtë atë në gjuhën tënde, që të mund të përkujtojnë.
  59. Prandaj t’i prit, se edhe ata janë duke pritur.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …