Shtëpia / Kur'an Shqip / 040. EL GAFIR

040. EL GAFIR

El Gafir (mekase) 85 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

 

  1. Ha, Mim!
  2. Shpallja e Librit është prej Allahut, Krenarit, të Gjithëdijshmit,
  3. Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që ndëshkon ashpër, si dhe prej Dhuruesit e Bamirësit të madh. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.
  4. Argumentet e Allahut nuk i kundërshton kush, veç atyre që nuk besojnë, prandaj mos u mashtro nga bredhja e tyre nëpër botë.
  5. Përpara tyre, mohuan populli i Nuhut dhe ata që erdhën pas. Të gjithë këta u përpoqën ta asgjësonin të Dërguarin e vet dhe polemizonin me të me kotësira, nëpërmjet të cilave synonin të zhduknin të Vërtetën, prandaj Unë i ndëshkova ata. Sikur ta dinit ju si ishte ai ndëshkim!
  6. Kështu, Fjala e Zotit tënd kundër atyre që nuk besojnë do të përmbushet: ata do të jenë banorë të Zjarrit.
  7. Ata që mbajnë Fronin dhe ata që janë përreth tij e lartësojnë me lavde Zotin e tyre dhe i besojnë Atij. Ata kërkojnë falje për besimtarët: “Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde ke përfshirë çdo gjë, prandaj fali ata që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde, dhe ruaji ata nga dënimi i Zjarrit flakërues!
  8. Zoti ynë, futi ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të mirët prej etërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjyesi e i Urti!
  9. Ruaji ata prej të këqijave, sepse atë që Ti e mbron atë ditë prej të këqijave, vërtet e ke mëshiruar! Ky është vërtet shpëtimi i madh”.
  10. Nuk ka dyshim se mohuesve do t’u thuhet: “Urrejtja e Allahut ndaj jush, kur ju ftoheshit të besonit e ju refuzonit, ishte më e madhe se urrejtja juaj sot ndaj vetvetes”.
  11. Ata do të thonë:“O Zoti ynë! Na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë. Ne i pranojmë gjynahet tona tani, prandaj, a ka për ne ndonjë rrugëdalje?”
  12. Atyre do tu thuhet: “Këtë ndëshkim e merituat vetë, sepse kur ishte fjala për ta adhuruar Allahun si Një të vetëm, ju e refuzonit, e nëse ishte për të adhuruar ndonjë tjetër veç Tij, ju e pranonit. Por i tërë sundimi i përket Allahut, të Lartit, të Madhërishmit!
  13. Është Ai që ju tregon shenjat e Tij dhe ju zbret rizkun prej qiellit, por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar.
  14. Pra, drejtojuni Allahut me lutje të sinqertë ndaj Tij, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!
  15. Ai është Zotëruesi i pozitës më të lartë, Zotëruesi i Fronit. Ai, me urdhrin e Vet, ia jep Shpirtin atij që Ai do nga robërit e Vet, për t’i paralajmëruar për Ditën e Takimit,
  16. për Ditën kur ata do të dalin në shesh, e kur Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë e tyre. I kujt është pushteti sot? I Allahut, të Vetmit, Ngadhnjimtarit!
  17. Sot çdokush shpërblehet për atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi. Allahu është Llogaritës i shpejtë.
  18. Paralajmëroji ata për Ditën e Afërt, kur zemrat do të arrijnë në fyt nga tmerri. Për zullumqarët nuk ka mik të afërt e as ndërmjetësues që i shkon fjala.
  19. Ai e di për shikimin vjedhurazi dhe për atë që fshihet në zemra.
  20. Allahu gjykon me drejtësi, ndërsa ata që adhurohen veç Tij nuk kanë në dorë të gjykojnë për asgjë. Me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.
  21. A nuk shëtisin ata nëpër botë e të shohin se si ka qenë përfundimi i popujve pararendës? Ata ishin edhe më të fuqishëm dhe lanë më shumë gjurmë në tokë, por përsëri Allahu i dënoi për shkak të gjynaheve të tyre, ndërkohë që ata nuk patën ndonjë që t’i mbronte prej dënimit të Allahut.
  22. Kjo ndodhi sepse, kur profetët u shkonin atyre me argumente të qarta, ata i mohonin ato, e kështu Allahu i ndëshkoi. Me të vërtetë, Ai është i Fuqishëm dhe ndëshkon ashpër.
  23. Ne e dërguam Musain me argumentet Tona e me fakte të qarta
  24. te Faraoni, te Hamani dhe te Karuni, por ata i thanë: “Magjistar e gënjeshtar!”
  25. Kur ai ua solli të vërtetën nga ana Jonë, ata thanë: “Vritini djemtë e atyre që besojnë si ai dhe lërini të jetojnë vajzat e tyre!” Por kurthet e mohuesve janë të destinuara të dështojnë.
  26. Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain, dhe le ta thërrasë ai Zotin e vet!” Unë në të vërtetë druhem se ai po ndryshon fenë tuaj e po nxit shkatërrimin në tokë!”
  27. Musai tha: “Unë i jam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj, që të më mbrojë prej çdo kryeneçi, që nuk i beson Ditës së Përgjegjësisë!”
  28. Një besimtar nga familja e Faraonit, që e fshihte besimin e vet, tha: “A doni ta vrisni një njeri vetëm pse thotë: “Zoti im është Allahu”, ndërkohë që ju ka sjellë argumente të qarta prej Zotit tuaj? Nëse ai është gënjeshtar, dënimi për gënjeshtrën e vet do të godasë mbi të, por nëse është i drejtë, juve do t’ju godasë diçka nga ajo me të cilën ai ju kërcënon. Nuk ka dyshim se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron dhe është gënjeshtar.
  29. O populli im, sot juve keni sundimin në tokë, por kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut kur ai të godasë mbi ne?” Faraoni tha: “Unë po ju tregoj veçse atë që shoh dhe po ju udhëzoj veçse në rrugën e drejtë!”
  30. Ndërkaq, ai që kishte besuar tha: “O populli im! Unë kam frikë se do t’ju godasë ndonjë dënim ashtu si popujt e mëparshëm,
  31. si dënimi i popullit të Nuhut, të Adit, të Themudit dhe brezave pas tyre. Allahu nuk dëshiron padrejtësi ndaj robërve.
  32. O populli im! Unë kam frikë për ju Ditën e Britmës,
  33. ditën kur, nga frika, do të sprapseni për të gjetur shpëtim, por nuk do të gjeni ndonjë që t’ju mbrojë prej Allahut. Atë që Allahu e lë në humbje, për të nuk do të gjesh udhëzues.
  34. Edhe më parë ju erdhi Jusufi me argumente të qarta, por ju vazhduat të kishit dyshime ndaj mesazhit që ju solli ai. Ndërsa kur ai vdiq, ju thatë: “Allahu kurrë nuk do të dërgojë më pejgamber pas tij!” Kështu, Allahu e lë në humbje këdo që e tepron dhe ka dyshime.
  35. Ata që polemizojnë rreth argumenteve të Allahut duke mos pasur asnjë fakt, ata janë shumë të urryer për Allahun dhe për besimtarët. Kështu e vulos Allahu çdo zemër arroganti e tirani.
  36. Faraoni tha: “O Haman, më ndërto një kullë, ndoshta do t’i arrij rrugët,
  37. rrugët e qiejve, e të shoh Zotin e Musait, sepse unë mendoj se ai është gënjeshtar”. Kështu, Faraonit iu duk e mirë vepra e tij e keqe dhe u shmang prej rrugës së drejtë. Sigurisht që kurthet e Faraonit përfunduan të dështuara.
  38. Ai që kishte besuar tha: “O populli im, më pasoni mua, që t’ju udhëzoj në rrugën e drejtë!
  39. O populli im, jeta e kësaj bote është veçse një përjetim i shkurtër, ndërsa jeta tjetër është e pasosur.
  40. Kush bën ndonjë vepër të keqe, do të ndëshkohet vetëm për aq sa meriton, e kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull a femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet, ku do të shpërblehet pa masë.
  41. O populli im! Ç’është kështu, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni për në Zjarr?
  42. Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe të adhuroj veç Tij zota të tjerë, për të cilët nuk kam dituri, ndërsa unë ju ftoj të adhurojmë të Gjithëfuqishmin, Mëkatfalë-sin!
  43. Është e vërtetë se ata zota, tek të cilët ju më ftoni, nuk meritojnë t’u lutesh as në dynja e as në botën tjetër. Kthimi ynë është tek Allahu. Nuk ka dyshim se ata që e teprojnë me të këqija do të jenë banorë të Zjarrit.
  44. Ju do t’i kujtoni shumë shpejt këto që po ju them! Unë çështjen time ia besoj Allahut, se Allahu i sheh robërit e Vet!”
  45. Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave e kurtheve që i kurdisën, ndërsa ithtarët e Faraonit i përfshiu dënimi më i rëndë.
  46. Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje, ndërsa kur të arrijë Ora, do të thuhet: “Futini pasuesit e Faraonit në dënimin më të rëndë!”
  47. Kur të grinden mes njëri-tjetrit në Zjarr, të dobëtit do t’u thonë parisë që mbahej me të madh: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj, ndaj a mund të na e lehtësoni disi dënimin e Zjarrit?”
  48. Ata që krekoseshin do të thonë: “Ne jemi të gjithë këtu! Tashmë, Allahu e ka përfunduar gjykimin mes robërve”.
  49. Ata që gjenden në Zjarr do t’u thonë rojtarëve të Xhehenemit: “Luteni Zotin tuaj të na e lehtësojë, qoftë edhe një ditë, dënimin!”
  50. Ata do t’u thonë: “A nuk ju erdhën të dërguarit tuaj me argumente të qarta?” Ata përgjigjen: “Po!”. – “Atëherë – do u thonë – lutuni vetë tani!” Por lutjet e jobesimtarëve do të jenë të kota!
  51. Ne patjetër që do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan, në jetën e kësaj bote dhe në ditën kur të paraqiten dëshmitë.
  52. Atë ditë, zullumqarëve nuk do t’u bëjnë dobi shfajësimet. Ata i pret mallkimi dhe një vendbanim i keq.
  53. Ne i dhamë Musait udhëzimin, ndërsa bijve të Israilit u lamë në trashëgim Librin,
  54. si udhërrëfyes e përkujtues për mendarët.
  55. Ti bëj durim, se premtimi i Allahut është i vërtetë. Kërko falje për gjynahet e tua dhe lartësoje me lavde Zotin tënd, mbrëmje e mëngjes!
  56. Ata që kundërshtojnë Shpalljen e Allahut pa pasur argument, kanë në zemrat e tyre veçse mendjemadhësi, me të cilën nuk do t’ia arrijnë qëllimit. Kërko mbrojtje tek Allahu, se Ai është vërtet Gjithëdëgju-es dhe Gjithëshikues.
  57. S’ka dyshim se krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
  58. Nuk është i barabartë i verbëri dhe ai që sheh; as ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira nuk janë të barabartë me të këqijtë. Sa pak që përkujtoni!
  59. Sigurisht që Ora do të vijë! Për këtë s’ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
  60. Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! Ata që, nga mendje-madhësia, i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”.
  61. Është Allahu Ai që natën e bëri për të pushuar, ndërsa ditën e bëri të ndritshme. Allahu është dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk falënderojnë.
  62. Ky është Allahu, Zoti juaj, Krijuesi i çdo gjëje. Nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij. Atëherë, si i largoheni?
  63. Kështu sprapsen ata të cilët i mohojnë argumentet e Allahut.
  64. Është Allahu Ai që Tokën jua bëri vendbanim e qiellin çati. Ai ju dha formë, duke e përkryer atë dhe ju begatoi me të mira. Ky është Allahu, Zoti juaj. I Lartësuar e plot begati është Allahu, Zoti i botëve!
  65. Ai është i Përjetshmi. S’ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, prandaj vetëm Atij lutjuni, duke iu përkushtuar me adhurime të sinqerta! Lavdia e plotë i qoftë vetëm Allahut, Zotit të Gjithësisë!
  66. huaj: “Mua më është ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni veç Allahut, pasi më kanë ardhur argumente të qarta nga Zoti im, dhe jam urdhëruar t’i dorëzohem e nënshtrohem vetëm Zotit të botëve”.
  67. Është Allahu Ai që ju ka krijuar fillimisht prej dheu, pastaj prej një pikë fare, e pastaj prej gjaku të ngjizur. Mandej, Ai ju bën të lindni si foshnje, e më vonë të arrini pjekurinë, e pastaj të plakeni; disa prej jush vdesin më herët, në mënyrë që të gjithë të arrini afatin e caktuar dhe që të arrini të kuptoni.
  68. Është Allahu Ai që jep jetë dhe sjell vdekje. Kur dëshiron diçka, Ai vetëm thotë: “Bëhu”, e ajo menjëherë bëhet.
  69. A nuk i sheh ata që kundërshtojnë argumentet e Allahut se si largohen nga e vërteta?
  70. Ata që mohojnë Librin dhe mesazhet që u kemi dhënë të dërguarve Tanë, më vonë do ta kuptojnë të vërtetën:
  71. atëherë, kur zinxhirët t’u shtrëngohen në qafa e të tërhiqen zvarrë,
  72. me ujë të valë dhe kur të hidhen në Zjarr.
  73. Pastaj do të pyeten: “Ku janë ata që i adhuronit
  74. në vend të Allahut? Ata do të thonë: “Na kanë humbur sysh! Ne nuk kemi adhuruar asgjë më parë!” Ja, kështu i shpie Allahu në humbje jobesimtarët.
  75. Këtë e keni për shkak se gëzoheshit në tokë pa kurrfarë të drejte dhe për shkak se mburreshit shumë.
  76. Hyni tani në dyert e Xhehenemit! Aty do të jeni përgjithmonë. Sa i shëmtuar është vendi i kryeneçëve!
  77. Bëhu i durueshëm se, pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë! Ne ose do të bëjmë të shohësh diçka nga dënimi që u kemi premtuar atyre, ose do të ta marrim jetën . Por, pa dyshim, ata tek Ne do të kthehen.
  78. Ne, edhe para teje kemi dërguar pejgamberë. Për disa prej tyre të kemi njoftuar me rrëfimet Tona, e për disa prej tyre nuk të kemi njoftuar. Asnjë pejgamber nuk mundi të sjellë ndonjë mrekulli ndryshe, por veçse me lejen e Allahut. Kur të vijë urdhri i Allahut, gjykimi do të zbatohet me drejtësi e, atëherë, ithtarët e të kotës do të dëshpërohen.
  79. Është Allahu Ai që i krijoi kafshët për ju, që disa t’i shaloni e disa të tjera t’i përdorni për ushqim.
  80. Ju prej tyre keni dobi të shumta dhe përmes tyre plotësoni nevojat tuaja. Nëpërmjet tyre dhe mbi anije ju mbartni e udhëtoni.
  81. Ai ju mundëson t’i shihni shenjat e Tij. Cilën shenjë të Allahut mohoni ju?
  82. A nuk lëvizin ata nëpër botë, për të parë se si qe fundi i atyre që jetuan më herët? Ata ishin më të shumtë dhe më të fortë për nga forca e gjurmët që lanë në tokë, por atyre nuk u bënë aspak dobi ato që kishin fituar.
  83. Kur u erdhën të dërguarit me shenja të qarta, ata iu gëzuan diturisë së vet, dhe atëherë i përfshiu ai me të cilin talleshin.
  84. E kur e panë dënimin Tonë, thanë: “Ne i besojmë vetëm Allahut dhe i mohojmë ata që adhuronim veç Tij”.
  85. Por besimi i tyre pasi panë dënimin Tonë, nuk u bëri dobi. Ky është ligj i Allahut ndaj robërve të Tij. Ai çast do të jetë dëshpërim për jobesimtarët.”

 

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …