Shtëpia / Kur'an Shqip / 011. HUD

011. HUD

Surja :  Hud  (mekase)  123 ajete

Me emrin e Allahut,

të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

  1. Elif, Lam, Ra. Libër me ajete që janë përkryer me urtësi dhe pastaj janë shtjelluar nga ana e Atij që është i Urtë e i Gjithëdijshëm,
  2. që të mos adhuroni asgjë tjetër përveç Allahut. Dijeni mirë se unë jam për ju qortues e përgëzues i dërguar prej Tij.
  3. Dhe që ju t’i kërkoni falje Zotit tuaj dhe të ktheheni tek Ai të penduar! Ai do t’ju mundësojë të kënaqeni me përjetime të bukura deri në një afat të caktuar, dhe pastaj çdo punëmiri do t’i japë mirësinë që i takon. E nëse ata refuzojnë, thuaju: “Unë kam frikë për ju dënimin e Ditës së Madhe.
  4. Vetëm tek Allahu është kthimi juaj dhe Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka.”
  5. Shih si përpiqen të mbulojnë çfarë mbajnë në kraharor, si për t’u ruajtur nga Ai! Le ta dinë se, edhe kur mbulohen me rroba, Ai e di se çfarë fshehin dhe çfarë shfaqin. S’ka dyshim se Ai është i Gjithëdijshëm për ato çfarë fshihen në gjoks.
  6. Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin. Ai e di vendbanimin dhe vendprehjen e tyre. Gjithçka gjendet në një libër të qartë.
  7. Është Ai që i krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditëve, – ndërsa Froni i Tij ishte mbi ujë -, që t’ju sprovojë, se cili prej jush është më vepërmirë. Nëse u thua: “Me siguri që do të ringjalleni pas vdekjes!”, mohuesit me këmbëngulje thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër veçse një magji e qartë!”.
  8. Nëse Ne ua vonojmë ndëshkimin për njëfarë kohe, ata pyesin: “Ç’e pengon atë?!” Por le ta dinë se, kur t’u vijë dita, ai nuk ka për t’ju larguar më assesi. Mbi ta do të bëhet realitet ai me të cilin ata tallen.
  9. Kur Ne i mundësojmë njeriut të shijojë mëshirën Tonë, e pastaj ia heqim atë, ai vërtet bëhet shpresëhumbur dhe mohues.
  10. Por kur Ne i dhurojmë atij të mira, pas një të keqeje që e ka goditur, ai thotë: “Kaluan të këqijat prej meje!”. Vërtet, ai gëzohet tej mase dhe bëhet mendjemadh!
  11. Përveç atyre, të cilët kanë durim dhe bëjnë vepra të mira, se për ta do të ketë falje dhe shpërblim të madh.
  12. Vallë, mos do të lësh diçka nga ajo që po të shpallet dhe po të ngushtohet gjoksi prej saj, sepse ata thonë: “Pse të mos i jepej atij ndonjë thesar ose pse të mos vinte bashkë me të ndonjë melek?!”. Por ti je vetëm një qortues, ndërsa është Allahu Ai që përkujdeset për çdo gjë.
  13. Mos, vallë, po thonë: “Ai e ka trilluar atë”? Thuaju: “Sillni dhjetë sure të ngjashme me të, të trilluara, dhe thirrni për ndihmë kë të mundeni, veç Allahut, nëse thoni të vërtetën!”
  14. E nëse nuk ju përgjigjen, atëherë dijeni se ai u shpall me dijen e Allahut dhe se nuk ka asnjë të adhuruar me meritë veç Tij. A nuk po nënshtroheni si muslimanë?”
  15. Atyre që kanë për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t’ua japim të plotë shpërblimin e veprave në të, pa u lënë asgjë mangët.
  16. Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm Xhehenemi. Veprimtaria e tyre dështoi, ndërsa punët e tyre u asgjësuan.
  17. E kush mund të krahasohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij, i ndjekur nga dëshmues prej tij, me atë që i parapriu Libri i Musait si udhërrëfyes e mëshirë?! Të tillët e besojnë vërtet atë. Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë, Zjarri është vendi i premtuar. Prandaj ti kurrsesi mos dysho në të! Ai është e vërteta e sigurt prej Zotit tënd, ndonëse shumica e njerëzve nuk e besojnë.
  18. E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut? Këta do të sillen para Zotit të tyre dhe dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata të cilët kanë gënjyer ndaj Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!”
  19. Ata pengojnë nga rruga e Allahut dhe përpiqen ta shtrembërojnë atë, ndërsa botën tjetër nuk e besojnë.
  20. Ata nuk mund t’i shpëtojnë në tokë dhe nuk mund të gjejnë asnjë mbështetës tjetër veç Allahut. Atyre do t’u shumëfishohet dënimi, sepse ata nuk dëgjojnë dhe nuk shohin.
  21. Shpjegimi i ajeteve
  22. Këta janë ata që e kanë shkatërruar veten dhe prej tyre ka humbur çdo gjë që kanë trilluar.
  23. Nuk ka dyshim se në botën tjetër ata do të jenë më të humburit.
  24. Pa dyshim, ata të cilët besojnë, bëjnë vepra të mira dhe i përulen Zotit të tyre, ata do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të jenë të përjetshëm.
  25. Gjendja e këtyre dy grupeve krahasohet me një që është i verbër e i shurdhër përkundër një tjetri që sheh e dëgjon. A janë të njëjtë këta? A nuk po përkujtoheni?!
  26. Ne e dërguam Nuhun te populli i vet (t’u thoshte): “Unë jam një paralajmërues i hapur,
  27. që të mos adhuroni asgjë tjetër veç Allahut. Unë kam frikë për ju dënimin e një dite të dhimbshme!”.
  28. Paria e popullit të tij, e cila nuk besoi, tha: “Ne shohim se ti je thjesht një njeri, sikurse edhe ne, dhe po shohim se nuk të pason kush përveç të pavlerëve, pa u menduar fare. Ne nuk shohim që të jeni më të mirë se ne. Madje, ne mendojmë se ju jeni gënjeshtarë!”
  29. Ai tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse unë mbështetem në një argument të qartë nga Zoti im, i Cili më ka dhuruar mëshirë nga ana e Tij, që ju nuk arrini ta shquani, vallë, a mund t’ju detyrojmë që ta pranoni të vërtetën, kur ju e urreni atë!
  30. O populli im! Unë nuk ju kërkoj ndonjë pasuri për këtë. Në fakt, shpërblimin unë e kam vetëm nga Allahu. Unë nuk kam për t’i dëbuar kurrë besimtarët. Nuk ka dyshim se ata do të takohen me Zotin e tyre, por unë po shoh se ju jeni një popull që nuk dini.
  31. O populli im! Kush mund të më mbrojë mua nga Allahu, nëse i dëboj ata? A e pranoni këshillën?
  32. Nuk po ju them se tek unë gjenden depot e Allahut apo se unë di të fshehtën! As po ju them se unë jam melek. Unë nuk kam për t’u thënë atyre të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk ka për t’u dhuruar asnjë të mirë. Allahu e di më mirë se ç’kanë ata në shpirt. Atëherë unë do të isha i padrejtë.”
  33. Ata thanë: “O Nuh, ti polemizove me ne dhe e zgjate shumë me polemikën tënde. Na e sill, pra, atë që na ke paralajmëruar, nëse thua të vërtetën.”
  34. Ai tha: “Atë jua sjell vetëm Allahu, po qe se dëshiron, dhe ju nuk mund ta pengoni!
  35. Këshilla ime nuk ka për t’ju bërë dobi, edhe sikur të doja t’ju këshilloja, nëse Allahu dëshiron t’ju lërë në humbje. Ai është Zoti juaj dhe ju vetëm tek Ai do të ktheheni.”
  36. Mos po thonë, vallë, se ai e trilloi atë? Thuaj: “Nëse unë e kam trilluar atë, atëherë ai do të ishte mëkati im, por unë jam i pastër nga krimi që ju kryeni!”
  37. Nuhut iu shpall: “Askush nga populli yt nuk do të besojë më, përveç atyre që tashmë kanë besuar, prandaj mos u brengos për veprimet e tyre!”.
  38. Ndërtoje anijen nën Sytë Tanë dhe sipas Shpalljes Tonë, e mos m’u drejto Mua për ata që kanë bërë padrejtësi! Ata, me siguri, do të përmbyten.”
  39. Ai vazhdonte të ndërtonte anijen! Sa herë që kalonte pranë tij, paria e popullit të tij e përqeshte. Ai u thoshte: “Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç po talleni ju!
  40. Më vonë do ta kuptoni se kë do të zërë dënimi poshtërues dhe mbi kë do të bjerë dënimi i përhershëm.
  41. Kur erdhi urdhri Ynë dhe furra gufoi, Ne i thamë: “Ngarko në të nga një çift prej çdo krijese, familjen tënde, – përveç atyre për të cilët është dhënë vendimi i ndëshkimit, – dhe besimtarët.” Megjithëse, bashkë me të, kishin besuar veçse një pakicë.
  42. E ai tha: “Hipni në të! Me emrin e Allahut, ajo lundron dhe ndalet! Vërtet, Zoti im është Falës i madh e Mëshirues”.
  43. Ajo lundronte me ta përmes valëve të larta si male. Nuhu thirri të birin, që ishte në një vend të veçuar: “O djali im, hip bashkë me ne e mos e bëj me mohuesit!”
  44. Ai tha: “Unë do të ngjitem në mal, që do të më mbrojë nga uji!” Por ai i tha: “Sot nuk ka mbrojtje prej ndëshkimit të Allahut, përveç atij që Ai e ka mëshiruar!” Ndërkaq, dallga hyri mes tyre e ai u fundos.
  45. U tha: “O tokë, gëlltite ujin tënd, dhe ti, o qiell, ndalu!” Kështu, uji u tërhoq, urdhri u zbatua dhe ajo u ndal në El Xhudi. Pastaj u tha: “Mallkuar qoftë populli mizor!”
  46. Nuhu e thirri Zotin e vet dhe tha: “O Zoti im, biri im është prej familjes sime. Nuk ka dyshim se premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykuesi më i drejti!”
  47. Ai tha: “O Nuh, ai nuk ishte nga familja jote, se ai ishte vërtet një punëkeq. Prandaj ti mos më kërko Mua diçka për të cilën nuk ke dijeni! Unë të këshilloj, me qëllim që të mos bëhesh si të paditurit!”
  48. Ai tha: “Zoti im, unë kërkoj mbrojtjen Tënde që kurrë të mos kërkoj prej Teje atë për çka nuk kam njohuri! Në qoftë se Ti nuk më fal mua dhe nuk më mëshiron, unë do të jem një ndër të humburit!”
  49. Dhe kështu iu tha: “O Nuh, zbarko me paqe nga ana Jonë, me begati të shumta për ty dhe për çdo popull që është me ty. Shumë popujve do t’u mundësojmë përjetime e kënaqësi, por pastaj do t’i godasim me ndëshkim të dhembshëm”.
  50. Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura, që po t’i shpallim ty, të cilat nuk i ke ditur as ti, as populli yt para këtij. Bëj durim, se fundi i lavdishëm u takon të devotshmëve.
  51. Edhe tek Adët dërguam vëllain e tyre, Hudin. Ai u tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin, veç Tij. Ju veçse trilloni!”
  52. O populli im! Unë nuk po kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për këtë. Shpërblimi im vjen vetëm prej Atij që më krijoi. A nuk e kuptoni këtë?!
  53. O populli im! Kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij të penduar! Ai do t’ju lëshojë shi me bollëk dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj, ndaj mos refuzoni e mos u bëni zullumqarë!”
  54. Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument, ndaj ne nuk i braktisim zotat tanë për fjalën tënde dhe nuk të besojmë ty.
  55. Ne themi se ndonjë prej idhujve tanë të ka goditur me ndonjë të keqe!” Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju që unë distancohem nga idhujt që ju adhuroni
  56. veç Tij. Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat.
  57. Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. Nuk ka asnjë nga gjallesat, që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet Zoti im është i Drejtë.”
  58. Nëse ata kthejnë shpinën (thuaju): “Unë tashmë jua kam përcjellë qartë atë me të cilin jam dërguar te ju. Zoti im mund t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, ndërsa ju nuk mund t’i bëni Atij kurrfarë dëmi. Vërtet, Zoti im është Mbikëqyrës i çdo gjëje”.
  59. Kur erdhi caktimi Ynë, atëherë, me mëshirën Tonë, Ne shpëtuam Hudin, e së bashku me të, edhe ata që kishin besuar. Ne i shpëtuam ata prej një ndëshkimi të ashpër.
  60. Ja, ky ishte populli i Adit. Ata mohuan me forcë argumentet e Zotit të tyre, kundërshtuan të dërguarit e Tij dhe shkuan pas urdhrit të çdo tirani kokëfortë.
  61. Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit. Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit!
  62. Edhe te Themudët dërguam vëllain e tyre, Salihun. Ai u tha: “O populli im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin veç Tij. Është Ai që ju krijoi nga toka dhe ju bëri banorë të saj. Kërkoni falje prej Tij dhe gjithmonë pendohuni tek Ai. S’ka dyshim, Zoti im është afër dhe ju përgjigjet.”
  63. Ata thanë: “O Salih, ti vërtet ishe shpresëdhënës mes nesh më përpara. Si, vallë, po na ndalon që të adhurojmë atë që adhuronin prindërit tanë?! Vërtet, ne jemi në mëdyshje për atë në të cilën po na fton!”
  64. “O populli im, mendoni pak! Nëse unë bazohem në argumente nga Zoti im, – dhe Ai më ka dhuruar mëshirë prej Tij, – kush do të më mbrojë mua nga Allahu, nëse unë e kundërshtoj Atë? Ju nuk do të më shtonit gjë tjetër veç humbjes.
  65. O populli im, kjo është Deveja e Allahut, një shenjë e qartë për ju. Lëreni atë të ushqehet në tokën e Allahut e mos i bëni ndonjë të keqe, sepse ashtu do t’ju kapë dënimi menjëherë!”
  66. Por ata e therën atë, prandaj ai u tha: “Dëfreni në vendin tuaj për tri ditë! Ky është një kërcënim që nuk mund të hidhet poshtë!”
  67. Kur erdhi caktimi Ynë, Ne e shpëtuam Salihun nga poshtërimi i asaj dite dhe, bashkë me të, edhe ata që besuan. Me të vërtetë, Zoti yt, Ai është i Fuqishmi, Ngadhënjyesi.
  68. Ndërsa ata që bënë padrejtësi i kapi britma dhe u gdhinë në vendin e tyre si kufoma,
  69. sikur të mos kishin jetuar kurrë në to. Vërtet, Themudët e mohuan Zotin e vet. Qofshin të mallkuar Themudët!
  70. Edhe Ibrahimit i shkuan të dërguarit Tanë me sihariq dhe i thanë: “Selam”. Ai u përgjigj: “Gjithnjë paçi selam!”. Dhe nuk vonoi t’u nxirrte përpara një viç të pjekur.
  71. Kur pa se duart e tyre nuk po e preknin mishin, iu dukën të pazakontë dhe ndjeu prej tyre njëfarë frike. Ata i thanë: “Mos u frikëso, ne jemi të dërguar për te populli i Lutit”.
  72. Gruaja e tij, që rrinte në këmbë, qeshi. Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut, me Jakubin.
  73. Ajo tha: “E mjera unë, e si mund të lind, kur unë jam moshë e madhe, ndërsa burri im është plak?! Kjo është shumë çudi!”.
  74. Ata i thanë: “Si?! Mos po çuditesh me caktimin e Zotit?!” Mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin për ju, o familja e kësaj shtëpie! Vërtet, Ai është Merituesi i falënderimeve dhe Bamirës i madh.
  75. Pasi Ibrahimit i kaloi ajo ndjenja e frikës dhe pasi mori lajmin e mirë, ai diskutoi me të dërguarit tanë rreth popullit të Lutit.
  76. Vërtet, Ibrahimi ishte shumë i butë, i dhembshëm dhe pendestar i vazhdueshëm.
  77. “O Ibrahim, lëre këtë! Urdhri i Zotit tënd tashmë ka zbritur. Nuk ka më dyshim se ata do të vuajnë një dënim të pashmangshëm!”
  78. Kur të dërguarit Tanë vajtën te Luti, ai u shqetësua shumë për ta, u ngushtua rëndë me ardhjen e tyre dhe tha: “Kjo është një ditë e vështirë!”
  79. Pastaj aty erdhën shumë shpejt njerëzit e popullit të tij. Ata kishin bërë vepra të turpshme edhe më parë. Atëherë, ai tha: “O populli im! Ja ku janë bijat e mia! Ato janë më të pastra për ju. Kini frikë Allahun e mos më turpëroni me mysafirët e mi! A ka në mesin tuaj ndonjë njeri me mend?”
  80. Ata thanë: “Ti e di shumë mirë se ne nuk kemi asnjë dëshirë për bijat tua. Ti, me siguri, e di shumë mirë se çfarë dëshirojmë ne!”
  81. Ai tha: “Ah, sikur të kisha fuqi ndaj jush ose të kisha një krah të fortë ku të mbështetesha!”.
  82. Ata thanë: “O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd, ndërsa ata as nuk kanë për t’u afruar ty. Kur të jetë fundi i natës, ti largohu bashkë me familjen tënde dhe askush prej jush të mos vështrojë mbrapa, përveç gruas tënde, të cilën do ta godasë e njëjta gjë që do godasë edhe ata. Afati i tyre është mëngjesi. A nuk është afër mëngjesi?!”
  83. Kur erdhi caktimi Ynë, Ne e kthyem çdo gjë përmbys nga lart poshtë dhe lëshuam mbi ta një rrebesh të pandërprerë gurësh të fortë,
  84. të shenjuar te Zoti yt. Një i tillë nuk është larg të padrejtëve!
  85. Në Medjen dërguam vëllain e tyre, Shuajbin. Ai thoshte: “O popull im, adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin veç Tij. Mos bëni hile në matje e në kandar! Unë po shoh se gjendeni në mes të mirësive të mëdha, por kam frikë për ju dënimin e një dite përfshirëse!”
  86. O populli im! Kryejini me saktësi matjet dhe peshimet, mos ua cenoni njerëzve atë që u takon dhe mos u përhapni në faqe të dheut si shkatërrimtarë!”
  87. Ato që ju ka lejuar Allahu janë shumë më të mira për ju, nëse vërtet jeni besimtarë. Unë nuk jam rojtari juaj!”
  88. Ata thoshin: “O Shuajb! Vallë, namazi yt po të thotë të na urdhërosh që ta braktisim atë që kanë adhuruar prindërit tanë dhe të mos veprojmë me pasurinë tonë si dëshirojmë vetë? Ti na qenke ai i buti e i mençuri!”.
  89. “O populli im, mendoni pak! Po nëse unë kam prova të sigurta nga Zoti im dhe Ai, nga ana e Tij, më furnizon mua me begati e të mira?! Unë nuk dua t’ju kundërshtoj duke kryer vetë atë që juve dua t’jua ndaloj. Unë dëshiroj vetëm që të përmirësoj aq sa mundem, por suksesi vjen vetëm me ndihmën e Allahut. Vetëm Atij i mbështetem dhe vetëm Atij i drejtohem!
  90. O populli im, mos lejoni që kundërshtimi ndaj meje t’ju rrëzojë e të bëjë që t’ju godasë ajo që e goditi popullin e Nuhut, popullin e Hudit ose popullin e Salihut. Populli i Lutit nuk është shumë larg prej jush!
  91. Kërkojini falje Zotit tuaj dhe kthejuni Atij të penduar! Vërtet, Zoti im është Mëshirues dhe shumë i Dashur.”
  92. Ata thanë: “O Shuajb, ne nuk po i kuptojmë shumë nga këto që ti po na thua! Gjithashtu, ne të konsiderojmë ty si njeri të dobët në mesin tonë. Po të mos ishte fisi yt, ne do të godisnim me gurë, ngase ti nuk ke asnjë vlerë ndër ne!”.
  93. Ai tha: “O populli im! Mos vallë, farefisi im është më i çmuar për ju, sesa Allahu? Kështu, ju e keni hedhur besimin pas shpine. Pa dyshim që Zoti im di gjithçka që ju bëni.
  94. “O populli im, punoni sa të doni me tuajën, por edhe unë do të punoj me timen. Më vonë do ta kuptoni se cili do të goditet nga dënimi poshtërues dhe se cili është gënjeshtar. Rrini në pritje, se edhe unë së bashku me ju po pres!”.
  95. Kur erdhi urdhri Ynë, Ne, me mëshirën Tonë, e shpëtuam Shuajbin dhe, bashkë me të, edhe ata që besuan. Ndërsa zullumqarët i kapi britma e tmerri dhe u gdhinë në vendbanimet e tyre si kufoma të gjunjëzuara,
  96. si të mos kishin ekzistuar fare aty! Qoftë i mallkuar Medjeni, sikurse u mallkua Themudi!
  97. Ne e dërguam Musain me mrekullitë Tona dhe me fakte të qarta
  98. te Faraoni dhe rrethi i tij, por ata i shkuan pas urdhrit të Faraonit, edhe pse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.
  99. Ditën e Kijametit, ai do t’i prijë popullit të vet dhe do ta çojë në Zjarr. Eh, sa i shëmtuar është ai vend, ku ata do të çohen!
  100. Ata i ndoqi mallkimi si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Kijametit. Eh, sa e keqe është ajo “dhuratë”, që do t’u jepet!
  101. Këto që të rrëfyem ishin disa nga historitë e atyre vendeve. Disa prej tyre ekzistojnë ende e disa janë shkatërruar.
  102. Ne nuk u bëmë atyre asnjë padrejtësi, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetes. Kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk u erdhën aspak në ndihmë perënditë e tyre, të cilave u luteshin veç Allahut. Ata nuk u shtuan gjë tjetër veç shkatërrimit.
  103. I tillë është ndëshkimi i Zotit tënd, kur bie mbi popujt që bëjnë padrejtësi. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.
  104. Pa dyshim, këtu ka shumë mësime për atë që i druhet dënimit të botës tjetër. Ajo është dita e tubimit të njerëzve dhe dita e dëshmuar.
  105. Ne nuk po e vonojmë atë, përveçse deri në afatin e caktuar.
  106. Kur të vijë ajo ditë, askush nuk do të flasë pa lejen e Tij. Prej tyre do të ketë të dëshpëruar, por do të ketë edhe të lumtur.
  107. Të dëshpëruarit janë në Zjarr, ku do të kenë ofshamë e lëngatë.
  108. Aty do të jenë të përjetshëm, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç atij që do Zoti yt. Me të vërtetë, Zoti yt vepron gjithçka që Ai dëshiron.
  109. Ndërsa të lumturit janë në Xhenet. Aty do të jenë të përjetshëm, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç atij që do Zoti yt. Ata do të kenë një shpërblim të pandërprerë.
  110. Mos ki asnjë dyshim për çfarë adhurojnë ata. Ata adhurojnë ato çfarë adhuronin më parë prindërit e tyre. Ne do t’ua japim pjesën e vet pa ua cenuar.
  111. Ne i dhamë Musait Librin, rreth të cilit kanë patur kundërshtime. Sikur të mos ishte vendimi i Zotit tënd, i përcaktuar më herët, me siguri çështja do të merrte fund. Vërtet, ata kanë dyshime rreth tij dhe janë shumë të çoroditur.
  112. Nuk ka dyshim se, çdonjërit prej tyre, Zoti yt do t’ia japë të plotë shpërblimin për veprat e veta. Me të vërtetë, Ai është i Gjithëditur për çfarë ata veprojnë.
  113. Ji i qëndrueshëm, ashtu siç je urdhëruar, ti dhe – bashkë me ty – ata që janë penduar, e mos i kaloni kufijtë! Më të vërtetë, Ai sheh gjithçka që ju veproni.
  114. E mos anoni nga ata që bëjnë padrejtësi, e kështu t’ju përcëllojë Zjarri! Atëherë, ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe askush nuk do t’ju ndihmojë.
  115. Fale namazin në dy skajet e ditës, edhe në orët e afërta të natës. Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Ky është përkujtim për ata që përkujtojnë.
  116. Bëj durim, se, me të vërtetë, Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve.
  117. Përse të mos kishte nga brezat para jush, të mençur e të nderuar që ta ndalonin shkatërrimin në tokë?! Përveç një pakice, të cilët i shpëtuam, të gjithë të tjerët ishin mizorë dhe u dhanë pas kënaqësive si të shfrenuar, duke vazhduar të jenë kriminelë.
  118. Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje, por ata do të jenë vazhdimisht duke kundërshtuar,
  119. përveç atyre të cilët i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë edhe i krijoi ata. Vendimi i Zotit tënd se: “do ta mbushë Xhehenemin me xhinë dhe njerëz bashkë”, ka marrë fund!
  120. Ne po të rrëfejmë ngjarjet e profetëve, me qëllim që të forcojmë zemrën tënde. Në këtë Shpallje të ka ardhur e vërteta, këshilla dhe përkujtimi për besimtarët.
  121. Ndërsa atyre që nuk besojnë thuaju: “Veproni sa të mundeni në tuajën, se edhe ne jemi duke vepruar”.
  122. Ju prisni, se edhe ne jemi duke pritur!
  123. Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës dhe vetëm tek Ai kthehet çdo çështje. Vetëm Atë adhuroje dhe vetëm tek Ai kërko mbështetje! Zoti yt nuk është i shkujdesur ndaj veprave tuaja.

 

Postimi i radhës

114. EL NAS

En Nas (mekase) 6 ajete Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! Thuaj: “Mbështetem te …