Shtëpia / Çfarë është Zekati ?

Çfarë është Zekati ?

Kuptimi i Zekatit
All-llahu xh.sh. thotë:

“Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut është si një kokërr prej të cilës mbijnë shtatë kallinj, ndërsa në secilin kalli ka nga njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është Bujar i Madh, i di qëllimet.”
Zekati është i obliguar me Kur’an dhe Hadith – me burimet kryesore të Sheriatit, si detyrë e domosdoshme fetare, farzi ajn, e çdo myslimani dhe myslimaneje të pasur, të cilët sipas Sheriatit posedojnë sasi të caktuar të pasurisë – nisabin.

Obligueshmëria e zekatit rrjedh nga më shumë ajete Kur’anore, e në veçanti është potencuar në suren Tewbe:

“Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon dhe sheh.”
“Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp).”

Nga urdhëresat kur’anore rezulton se zekati është detyrë dhe e drejtë. Detyrë e të pasurve ndaj të varfëve, ndërsa e drejtë e të varfëve ndaj të pasurve.

Muhammedi alejhisselam e ka caktuar edhe përqindjen e ndarjes së zekatit: “Ndajeni një të dyzetën pjesë të pasurisë suaj” (do të thotë, 2.5%),

Domethënia e fjalës Zekat
Fjala zekat do të thotë pastrim, ose larje. Ajo gjithashtu ka kuptimin shtim, rritje.
Në kuptimin shpirtërorë, zekat do të thotë pastrim nga mëkatet dhe kënaqje e vullnetit dhe e urdhrit të All-llahut xh.sh.
Zekati e pastron dhe e çliron njeriun nga makutëria ndaj të mirave të kësaj bote.
Ai të shpie në njohjen se vlera e njeriut matet sipas virtyteve morale dhe humane, e jo sipas pozitës dhe madhësisë së pasurisë.
Zekat do të thotë edhe patrim i pasurisë nga e drejta (hakku) e huaj, sepse njeriu kurrë nuk është i sigurt edhe krahas kujdesit të tij se diç e palejueshme nuk është futur në pasurinë e tij.