Shtëpia / Uncategorized / SHTATË GRUPET E SHPËTUARA.

SHTATË GRUPET E SHPËTUARA.

SHTATË GRUPET E SHPËTUARA

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

 

Do të vijë një ditë kur Allahu të gjitha krijesat e Tij do t’i bashkon në një vend, të parët dhe të fundit, edhe atë: për t’i dënuar ata që bëjnë keq, sipas veprave të veta e, për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë, me shpërblimin më të mirë”. Nexhm 31.

Ajo ditë do të jetë shumë e gjatë, e rëndë, e tmerrshme, njerëzit do të ringjallen të zhveshur, këmbëzbathur, të pa bërë synet, pesëdhjetë mijë vite do të presim në rresht për të dhënë llogari dhe askujt nuk do t’i intereson për tjetrin, secili do të thotë vetja ime, vetja ime. Atë ditë flokët e fëmijës do të thinjen, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet, njerëzit do të shihen si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut do të jetë i rreptë. Allahu na paralajmëroi prej kësaj dite dhe na urdhëroi që të përgatitemi për të duke thënë:” O ju njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër”. Haxh 1-2.

Atë ditë dielli do të jetë mbi kokat e njerëzve në një distancë prej një milje dhe njerëzit do t’i mbulon djersa sipas asaj çka kanë punuar. Disa do t’i mbulon deri në nyjat e këmbës, disa deri në gjunj, disa deri në bel, e disa do t’i mbulon deri në fyt, sipas asaj çka ka punuar robi i Allahut në dynja. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: Në Ditën e Ringjalljes, Dielli do të jetë aq afër me njerëzit sa që distanca ndërmjet tyre do të jetë një milje. Njerëzit do të mbulohen nga djersët sipas veprave të tyre, disa deri në nyjat e këmbëve, disa deri në gjunjë, disa deri në mes dhe disa në fyt (duke thënë këtë, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, vendosi dorën në gojën e tij). Atë ditë disa njerëz do të veçohen prej të tjerëve, edhe atë duke qëndruar nën hijen e Arshit të Allahut kur të gjithë të tjerët do të jenë nën vapën e diellit. Atë ditë nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Arshit të Allahut, azze ue xhel.

 Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: Janë shtatë grupe që Allahu do t’i fusë në Hijen e Arshit të Tij në Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën nuk do të ketë hije tjetër veç Hijes së Tij: udhëheqësi i drejtë, i riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm, njeriu që zemrën e tij e ka lidhur me xhamitë, dy njerëz të cilët janë dashur për hir të Allahut, që janë takuar për këtë dhe janë ndarë për këtë, ai burrë që është thirrur nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer marrëdhënie me të ), por thotë: “I frikësohem Allahut”, personi që jep për bamirësi dhe e fsheh, saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë jep e djathta dhe personi që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë”.

Në vazhdim le t’i meditojmë veprat e këtyre njerëzve të cilat në vështrim të parë nuk duken si vepra të mëdha, mirëpo janë shkak i këtij shpërblimi të madh prej anës së Allahut, azze ue xhel.

  1. Udhëheqësi i drejtë.

Udhëheqës i drejtë është ai që gjykon mes njerëzve me drejtësi dhe nuk e pason epshin e tij siç thotë edhe Allahu, azze ue xhel: O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut, ka dënim të ashpër, ngaqë e kanë harruar Ditën e Llogarisë”. Sad 26.

Këtu nuk bën pjesë vetëm se imami apo udhëheqësi i shtetit, por të gjithë ata që e kanë marrë si përgjegjësi të gjykojnë mes njerëzve dhe t’i udhëheqin ata, si gjykatësi, kryetari, imami, etj. Marrja e përgjegjësisë nuk është e lehtë, ajo është amanet që duhet të përcillet deri në vendin e saj të duhur. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët”. Nisa 58.

Ky është shpërblimi i atij që është i drejtë në gjykim dhe ia jep të drejtat parisë së tij, ndërsa shiko se si është shpërblimi i atij që nuk është i drejtë në gjykim dhe nuk ia jep të drejtat parisë së tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn(dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin)“. Ibrahim 42.

Nëse i sheh padrejtësitë e udhëheqësve, partive, kryetarëve, mos dysho në atë se atyre a do t’ju vjen dënimi apo jo, për shkak se Allahu me të vërtet sheh dhe është i njoftuar për çdo gjë dhe secilit do t’i vjen dënimi apo shpërblimi sipas asaj çka ka vepruar.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kujt i ka dhënë Allahu përgjegjësi ndërsa ai nuk është i sinqertë në përgjegjësin që ka, vdes duke qenë mashtrues për përgjegjësin që ka, vetëm se ia ka bërë Allahu haram xhenetin”.

Poashtu, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Njerëzit të cilët do të dënohen më së shumti në ditën e kiametit janë udhëheqësit e padrejtë”.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka bërë dua duke thënë : “O Allah kush merr ndonjë përgjegjësi në çështjen e umetit tim dhe tregohet i mëshirshëm me ta ,mëshiroje atë, dhe kush merr ndonjë përgjegjësi në çështjen e umetit tim dhe tregohet i vrazhdë ndaj tyre, edhe Ti tregohu i vrazhdë ndaj tij”.

  1. I riu që është rritur duke adhuruar Allahun e Plotfuqishëm.

Ky është një djalosh i cili e donë Allahun, e adhuron Atë, i mbështetet vetëm se Atij, vepron vepra të mira dhe i donë ato, largohet prej të shëmtuarës dhe e urren atë. Kur shokët e tij e kalojnë kohën në dëfrim dhe lojë ai i drejtohet xhamisë dhe faljes së namazit. Kur ata shkojnë pas epsheve dhe pasioneve, ky djalosh edhe pse në këtë moshë epshet e tij janë të forta, i lufton ato dhe i nënshtrohet urdhërave të Allahut. Për këtë e meritoi që të jetë prej shtatë grupeve të shpëtuara.

Ky djalosh si shëmbëlltyrë i merr djelmoshat e shpellës për të cilët Allahu thotë: “Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë”. Kehf 13.

E di se është përgjegjës për rinin e tij dhe se për të do të jep llogari Ditën e Kiametit dhe  nuk e harron porosinë e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, i cili na porositi dhe tha: Shfrytëzoni pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të jesh i zënë dhe jetën para vdekjes”.

  1. Njeriu që zemrën e tij e ka lidhur me xhamitë

Ky njeri prej momentit kur del prej xhamisë nuk mund të qetësohet në asnjë vend tjetër deri sa të kthehet në xhami, zemra e tij nuk donë diçka tjetër përveç se xhamisë dhe gjithmonë i jep përparësi shtëpisë së Allahut para shtëpisë së tij. Këta njerëz në të vërtet janë ndërtuesit e realët të shtëpive e Allahut dhe për ta Allahu thotë:”Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zeqatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë”. Teube 18.

Është një inkurajim i madh në sunet për burrat që të falen në xhami dhe shpërblimi i shoqëruar me të është madhështor. Kjo jo vetëm që e bën personin të pranueshëm nën hijen e Arshit të Allahut, por sa herë që hedh ai një hap për në xhami, vetëm se ngrihet një gradë dhe i bie një gjynah. Pastaj ai lutet, dhe melaqet nuk ndalojnë së luturi për të duke thënë: “O Allah, bekoje atë! O Allah, mëshiroje atë!”.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: Xhamia është shtëpia e çdo të devotshmi. Allahu i ka garantuar atij që xhaminë e ka shtëpi të veten me shpirt, mëshirë dhe kalim të Siratit drejt kënaqësisë së Allahut dhe xhenetit“.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kur ta shihni një njeri që e ka shprehi të shkon në xhami dëshmoni për të se është besimtar”.

Poashtu, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Tre veta Allahu i ka siguruar se do t’i furnizon dhe do të kujdeset për ta derisa janë gjallë, e kur të vdesin do t’i vendosë në xhenet: Atë që jep selam kur hyn në shtëpinë e vet, atë që shkon në xhami dhe atë që është në rrugën e Allahut”.

  1. Dy njerëz të cilët janë dashur për hir të Allahut, që janë takuar për këtë dhe janë ndarë për këtë.

Lidhja më e fuqishme e besimit është dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Allahut.

Allahu, azze ue xhel, thotë: O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojmë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur“.Maide 54.

Dashuria për hir të Allahut dhe urrejtja për hir të Allahut është një prej cilësive dhe veçorive ku në të robi e shijon kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e imanit. Këta dy njerëz nuk i bashkoi farefisnia, e as shoqëria, e as interesat e dynjasë, por i bashkoi vetëm se dashuria për hir të Allahut edhe atë deri sa i ndau vdekja dhe ata vdiqën në këtë gjendje duke e dashur njëri tjetrin.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Ai që don dikë për hir të Allahut , urren për hir të Allahut , jep për hir të Allahut dhe ai që nuk jep ( në harame) për hir të Allahut , I tilli e ka plotësuar imanin”. 

Ebu Malik El Esharij, Allahu e mëshiroftë,  transmeton se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, një ditë doli para njerëzve dhe tha: “O ju njerëz, dëgjoni, mendoni dhe dijeni se ka disa nga robërit e Allahut që nuk janë Pejgamber e as shehid, mirëpo ua kanë lakmi atyre Pejgamberët, shehidët, në ulëset e tyre dhe afërsis së tyre me Allahun”. Në atë moment një beduin i mahnitur prej fjalëve të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, tha: “O i Dërguari i Allahut ka nga robërit e Allahut që nuk janë Pejgamber e as shehid, mirëpo ua kanë lakmi atyre Pejgamberët, shehidët, tregona neve kush janë ata?!  Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, qeshi me fjalët e këtij beduini dhe tha: “Ata janë njerëz sikurse ne , ata nuk i lidh farefisi I afërm, duhen për hir të Allahut, Allahu atyre do t’i dhuroj minbera prej drite që ata të ulen aty, do të bëjnë dritë fytyrat dhe rrobat e tyre, do të tmerrohen njerëzit në ditën e Kiametit kurse ata nuk do të tmerrohen dha ata janë të dashurit e Allahut nuk ka frikë për ta e as nuk do të dëshpërohen”.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni dhe nuk keni besuar derisa ta doni njëri-tjetrin. A dëshironi t’ju tregoj për një gjë, të cilën, nëse e bëni, do t’ua shtojë dashurinë? Përhapeni selamin mes jush.

Grupë tjetër i shpëtuar në Ditën e Kiametit do të jetë edhe:

  1. Ai burrë që është thirrur nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer marrëdhënie me të ), por thotë: “I frikësohem Allahut”.

Kjo grua nuk është si gratë e tjera, por është një grua të cilës Allahu i a dhuroi bukuri dhe pozitë të lartë. Ky lloj i grave për burrat është shumë sprovë e madhe pasi që atë e dëshiron çdo burrë dhe propozimin e saj për të bërë imoralitet nuk mundet ta refuzon vetëm se ai që ka besim të thellë dhe që është largpamës.

Jusufi, alejhi selam, do të jetë udhëheqësi i këtij grupi Ditën e Kiametit, për shkak se e refuzoi ftesën e gruas së ministrit të bën imoralitet me të. Edhe pse i plotësonte të gjitha kushtet ta bën këtë vepër të shëmtuar me të, ishte i vetëm larg familjes, përpara tij e kishte një grua e cila njiheshe si një ndër gratë më të bukura të Egjiptit dhe ishin të dy të vetmuar në pallatin e saj larg syve të njerëzve, prapë se prapë tha se unë i frikësohem Allahut dhe dënimit të Tij.

Allahu, azze ue xhel, për ata që i frikohen Allahut dhe i largohen të shëmtuarës thotë: ” Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. Naziat 40-41.

Kadi Ijad, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Është veçuar ky lloj i gruas për shkak se ky është lloji më i kërkuar nga burrat dhe lloji që më së vështiri arrihet deri tek ai. Kjo grua i posedon dy cilësi kryesore bukurinë dhe pozitën dhe nëpërmjet saj mund ta përfiton çdo burrë. Durimi në këtë sprovë për shkak frikës prej Allahut, kur ajo të thërret në imoralitet me bukurinë e saj dhe me pozitën e saj, është prej gradave më të larta dhe nënshtrimeve më të mëdha. Për këtë shkak Allahu e shpërbleu atë që bën durim në këtë sprovë me futjen e tij nën hijen e Arshit të Allahut atë ditë ku nuk ka hije tjetër përveç hijes së Allahut. Me pozitë të lartë nënkuptohet ajo e cila ka pasuri dhe prejardhje fisnike”.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e rrëfen një rast për tre veta ku veprat e tyre të sinqerta u bën shkak i shpëtimit të tyre prej një belaje që i kishte goditur, ndërsa prej veprave të njërit prej tyre ishte mos afrimi i imoralitetit për hir të Allahut.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Tre  vetë nga ata të cilët jetuan para jush duke udhëtuar  i  zuri shiu. U strehuan në një shpellë. Shpella u mbyll, njëri prej tyre iu tha të tjerëve:”O ju, për  Allahun, askush nuk mund t’ju ndihmojë përveç sinqeritetit, andaj secili prej jush le të bëjë duanë në emër të sinqeritetit të vet që ka bërë ndonjëherë”. Njëri prej tyre tha: “Allahu im, Ti e di se unë e kam njohur një vajzë,të cilën e kam  dashur më shumë se tërë botën. E nxitja  të bëjë gjynah e ajo refuzonte, deri sa ajo ra në nxort të madh për të holla dhe kishte nevojë për njëqind dinar. Unë i mblodha ato dhe ia dhash. Ajo atëherë mu nënshtrua. Kur i hyra në mes të këmbëve më tha:”Frikësohu nga Allahu! Mos ma hap unazën vetëm se në mënyrë të rregullt siç bëhet në kunorë”. Unë menjëherë u çova, ndërkaq njëqind dinarët ia lash. Ti e di se këtë e bëra nga frika ndaj Teje, andaj na çel derën!”. Allahu atëherë e largoi pak shkëmbin dhe e hapi një vrimë……”.

  1. Personi që jep për bamirësi dhe e fsheh.

Ka plot njerëz që japin lëmoshë dhe që shpërblimi tek Allahu është i madh për ta, mirëpo ky njeri i cili do të jetë nën hijen e Arshit të Allahut dallohet prej të tjerëve me një gjë, e ajo është se sinqeriteti i tij në dhënien e lëmoshës është

shumë i madh derisa e arrin gradën sa që dora majtë nuk e di se çka jep dora e djathtë. Allahu, azze ue xhel, i lavdëroi ata që japin lëmoshë dhe tha: “T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë”, e pastaj i veçoi ata që e japin fshehurazi dhe tha: “por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni“. Bekare 271.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: Sadakaja e fshehtë fikë hidhërimin e Allahut ashtu siç fikë uji zjarrin”.

  1. Personi që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë.

Në zemrën e këtij njeriu mbisundon dashuria ndaj Allahut. Ky njeri e donë dhe e madhëron Allahun, kur ulet në vetmi i kujton begatitë dhe të mirat të cilat ia ka dhënë Allahu, e kujton madhërinë e Tij dhe sytë e tij lotojnë dhe e kërkojnë shikimin dhe takimin e Allahut, azze ue xhel.

Allahu, azze ue xhel, për këtë lloj njerëzish thotë: Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten“. Enfal 2.

Poashtu, Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur dëgjojnë për atë (Kuranin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë, për shkak të së vërtetës që kuptuan. Ata thonë: “O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët e Tu!”. Maide 83.

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: Dy sy nuk i prek zjarri i xhehenemit: Syrin që qan nga frika e Allahut dhe syrin që tërë natën mbetet zgjuar duke ruajtura në rrugën e Zotit”.

I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeri që qante shumë prej frikës së Allahut dhe poashtu njerëzit e mirë që jetuan para tij dhe pas tij dhe kjo padyshim se vjen si rezultat i zemrës së butë që e kishin, si pasojë e përmendjes së tepërt të Allahut, azze ue xhel.

Allahu iu kërcënua atyre që zemrat e tyre i kanë të forta si guri  dhe që nuk e përmendin Allahun duke u thënë: Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!”. Zumer 22.

E lus Allahun me emrat e Tij të bukura dhe cilësitë e Tij të larta të na bën neve, fëmijët e tanë dhe familjet e tona prej një prej këtyre grupeve të shpëtuara dhe të na fut nën hijen e Arshit të Tij, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç se hijes së Arshit të Allahut.

Përgatiti dhe përktheu: Irfan JAHIU

 

 

Postimi i radhës

Milingona dhe Mjalti

Rrugës duke ecur milingona pa një copë mjalti. U ndal, e provoi dhe deshi të …